Paragjykimet tona

0
153

Ardian Ndreca

Për nji vend prej tremilion banorësh me gjatësi vije kufitare prej 1094 km janë të tepërta paragjykimet e shumta që na karakterizojnë. Por, tue mendue sesa shumë kemi pasë deri para pak dekadash, mund të ndihemi optimista për të ardhmen që na pret. Paragjykimet janë mbreti i vulgut, thonin iluministat francezë, megjithatë ndodh shpesh që edhe të ashtuquejtunat “klasa të nalta” t’i nënshtrohen me dashje nji sovrani të rremë, që e shpërfytyron personin dhe e poshtnon dinjitetin njerzor tue e rrethue me arsyetime thjeshtëzuese e të cekta.

Gjithçka rrjedh nga mosnjohja, mosbesimi, ndasitë, shpirti dyshues dhe sidomos ngurtësimi mendor. Mungesa e ndërsjellë e njohjes mes nesh ka qenë dhe asht shpirtnore dhe hapsinore. Nuk po shkojmë ma mbrapa por në katër dekadat e komunizmit lëvizja e lirë ka qenë e vështirë edhe mbrenda hapsinës shqiptare dhe kjo ka ushqye paragjykime të ndërsjellta. Nuk asht e ekzagjerueme po të pohojmë se 50% e shqiptarëve, të cilët banonin në zonat rurale, lëviznin për herë të parë në jetën e tyne në skajin tjetër gjeografik të vendit me rastin e kryemjes së shërbimit ushtarak. Për shumëkend ky rast përbante mundësinë e edukimit me frymën shoqnore, pajisjen me nocionet elementare të higjienës personale, hapjen e nji horizonti të ri dhe mbi të gjitha njohjen me shqiptarë të tjerë.

Nji prej paragjykimeve ma të forta të asaj kohe ishte ai që kundërvente gegët dhe toskët. Sot Shqipnia asht zvoglue si hapsinë, tue qenë se mund të hash mëngjesin në Shkodër dhe drekën në Vlorë, tashma kemi vendtakime të përbashkëta dhe interesa të njejta e të thella që na bashkojnë.

Dikur ishte krijue ideja shabllon, e ushqyeme edhe prej kulturologjisë komuniste, se toskët ishin të gjithë komunista o prokomunista. Pakkush dinte për shembull që edhe jugu i Shqipnisë e kishte pasë nji Postribë të veten në rebelimin e Zhapokikës, nuk flitej dhe nuk njihej historia e ekzistencës së shumë katundeve balliste në Labëri etj. etj. Patjetër që edhe toskët kishin paragjykimet e tyne për veriorët, të cilët i konsideronin si njerëz të egjër, reaksionarë etj., edhe këto paragjykime të ushqyeme prej sferave të nalta të partisë në pushtet.

Kuptohet se e vërteta e këtyne paragjykimeve paraqiste vetëm nji përqindje të papërfillshme të realitetit konkret, pra s’ishte nji e vërtetë në përmasat që mëtonte me pasë. Denis Diderot tek “Letra mbi shurdhmemecat” në 1751, thotë se injoranti asht ma afër së vërtetës sesa ai që ushqen paragjykime, mbasi ky i fundit mëton se e ka në dorë të vërtetën.

Panairi i paragjykimeve ishte mjaft i pasun. Për shembull të qenit katundar përbante nji paragjykim në shumë ambjente, edhe pse dallimi i shumë qendrave të banueme – që asokohe quheshin me optimizëm të tepruem qytete – dhe katundeve të mirëfillta ishte thjesht administrativ!

Paragjykime tjera preknin prejardhjen shoqnore, gjeografike-krahinore apo etnike, për shembull shpeshherë mund të ndigjoje tue përdorë me përbuzje skajet: çam, shkja, grek, podgoriçan etj. Edhe përkatësia gjinore ishte bazë paragjykimesh të thella, përbuzja dhe nënvleftësimi i grues nuk u zhdukën as prej sistemit komunist, që nga nji anë trumbetonte barazinë gjinore, por nga ana tjetër mbante nji diferencë të rreptë mes pagave të meshkujve dhe femnave.

Ka nji seri paragjykimesh, muri i të cilave mund të shembet prej njohjes ma të thellë, ka të tjera që nuk hiqen po nuk u krye nji proces i gjatë kulturor, e ne jemi ende në fillim.

Në këto dy dekada kanë ndodhë ndryshime rranjësore pozitive në mendësinë tonë, edhe pse ka ende shumë paragjykime që vonojnë me u shembë në mendjet e pamësueme me u rrah me realitetin dhe me faktet. Realiteti asht shumë ma i pasun se skemat e vdekuna që sillen ndër krenat e mpimë.

Sot njihemi ma mirë mes nesh dhe dallimi mes veriut e jugut ka ardhë gjithnji tue u zvoglue, ato që deri dje shiheshin si vese tipike të jugorëve apo veriore, nuk janë tjetër veçse karakteristika të vetë natyrës njerzore. Kjo s’do të thotë se ata që duen me theksue dallimet mes nesh nuk kanë dhe nuk do të kenë argumenta dhe pseudo-argumenta me ba nji gja të tillë.

Ajo çka asht e randsishme asht fryma e përbashkët, e cila duhet të na çojë në njohjen e gabimeve dhe fajeve të së kaluemes e madje aty ku asht e mundun edhe në ndreqjen e tyne. Regjimi komunist ka përdorë për qëllime politike ndamjen veri/jug, tue e kthye në nji kundërvumje të mirëfilltë që ka gjetë pasqyrim asokohe në të gjitha nivelet në politikën e kuadrit e të zhvillimit ekonomik e të infrastrukturës. Nji gja e tillë nuk ishte natyrale por e ushqyeme me art prej nalt. Nji farë revanshizmi asht vu oroe në vitet ’90, gjithnji për interesat e ngushta të pushtetit. Në ato vite u pa qartë sesi demagogë të ndryshëm qenë të zotët me mbërrijtë deri atje sa me krijue idenë e rreme se shtetshpërbamja e vitit 1997 ishte nji luftë krahinore e jo tentativa ekstreme e atyne që, përtej çdo bindjet politike, urrenin Shtetin shqiptar.

Mes nesh kemi dallime që janë të papërfillshme po të konsiderojmë shumë vende tjera, por këto dallime nuk duhet të bahen “kali i Trojës” për ndasina të mirëfillta.

Logjika e ndasive çon sot në përftimin e nji teorie multi-identitare që kunorzohet në idenë mjerane të lindjes së kombit kosovar. Kjo ide, që s’ka asnji bazë shkencore, asht kundërshtue me mprehtësi gjykimit prej studjuesit Kastriot Myftaraj në sprovën me titull “Terrorizmi historiografik: kritikë librit të Nathalie Clayer…”.

Ekziston vetëm identiteti shqiptar, nji identitet dinamik që përputhet me idealet popperiane të shoqnisë së hapun, mbrenda këtij identiteti ka mjaft veçantina dhe dallime që e pasunojnë qenjën tonë si popull. Në këtë prizëm duhet të rishikohet edhe çështja e riformulimit të nji standardi gjuhësor ma gjithëpërfshimës, ma dinamik e madje ma të thjeshtë në përdorim, dhe këtu duhet të rrëzohen ma në fund paragjykimet ndaj gegnishtes. Anmiku i gjuhës shqipe asht mungesa e studimit të saj, huazimet e panevojshme prej gjuhëve tjera, shtrembnimet dhe keqpërdorimi i saj, por jo gegnishtja, e cila sjell me vete në pajë nji letërsi të pasun tradicionale dhe bashkëkohore, të nevojshme sidomos në nji kohë koleret si kjo e jona, kur shijet rrafshohen teposhte nën peshën e plehnave e llojllojshme, të vendit dhe të importit.