Në llogore

0
31

Nga Mimoza Dervishi, 7 Qershor 2013

Një shkrim i përciptë i Fron Nahzit në Huffington Post, i rrëmbyer më pas nga mediumet shqiptare, më ngjalli të njëjtin shqetësim dhe trishtim gati të “përjetshëm”, ku liderët politikë dhe forcat që ato përfaqësojnë futen në një thes, dhe ku zgjedhja mes tyre është e njëjta gjë. Me epitetin i përciptë, nuk dua të aludoj cektësinë e autorit, përkundrazi dua të sqaroj se për një medium apo blog ndërkombëtar ku ai shkruan, aq nevojë ka për material nga Shqipëria. Brenda numrit të fjalëve që i lejohen për një artikull me temë nga një vend i parëndësishëm, ndoshta autori s’mund të bënte më shumë. Megjithatë mendoj që dhe me pak fjalë mund të nxjerrësh në dritë thelbin e vërtetë të zgjedhjeve shqiptare të 23 qershorit. Të cilat nuk janë kurrsesi zgjidhje mes të njëjtësh. E postova mendimin tim poshtë blogut të zotit Nahzi, dhe e them dhe këtu: Këto janë zgjedhje jo të zakonshme, janë zgjedhje që përcaktojnë nëse Shqipëria shkon drejt tribalizmit përfundimtar të Sali Berishës, apo demokracisë.

Por ja që kjo filozofia e të gjithëve njësoj, që i shërben kaq mirë dhe kaq shumë Sali Berishës, ka hedhur rrënjë dhe nxjerr kokë më shumë se kurrë në prag zgjedhjesh. Të kuptohemi drejt, ata që janë të shpallur pro Berishës, kryesisht përfitues nga pushteti i tij, nuk janë trumbetuesit kryesorë të kësaj kolere. Kryesorët janë ata që pretendojnë e hiqen si të paanshëm gjithë ditën e ditës, që kritikojnë gazetarët e “llogoreve”, që shajnë para-mbrapa çdo përpjekje opozitare, mediatike, blogosferike, dhe që në fund të ditës kanë paturpësinë t’u bëjnë thirrje shqiptarëve t’i vënë një kryq fletës së votimit. E pra s’do shumë mend, e kam fjalën për Fatos Lubonjën dhe të ngjashëm si ai, nëse ka, ose nëse inspirojnë të bëhen. Në një vend që pretendon demokracinë, predikon lirinë dhe zgjedhjen me votë, thirrje më të shëmtuar se t’u thuash njerëzve mos votoni apo nxini fletën e votimit, nuk besoj se ka. Por në kontekstin shqiptar, shërbim më të vyer për Sali Berishën, as që besoj se mund të ketë. Kjo është llogore e shkuar llogores. Dhe le të bëjmë një parantezë se kush janë gazetarët e llogoreve: Gazetarët në Shqipëri ndahen në gazetarë shërbëtorë të pushtetit, me të gjitha format, mënyrat dhe mjetet, dhe gazetarë që gjithë jetën kanë qëndruar në opozitë me pushtetin, pa përfituar absolutisht asgjë nga askush, përkundrazi janë dëmtuar dhe ndëshkuar prej tij. Eshtë një grup fare i vogël ky i dyti, por ekziston ama. Dhe për këtë duhet të jemi të gjithë të lumtur. Llogorja e tyre është më e mira e mundshmja, jo lehtësisht e arritshme, por jo e pamundur.

Do doja të përcaktoja dhe një grup të tretë, por ai është grup i vetëshpallur dhe ku fut veten Lubonja. Në dukje i paanshëm, gati nihilist. Por nuk është kështu. Atë shenjën e paanshmërisë ja ka vënë vetes, thjesht sepse është pjesë e disa organizatave (të huaja kryesisht), që paanshmërinë e shikojnë si parim. Shkurt ashtu e duan ata, dhe në përpjekje për t’u dukur i paanshëm, Lubonja bën sikur i bie të gjithëve. Aspak e vërtetë! Mjafton vetëm një shembull i thjeshtë për të rrëzuar e bërë copë e çikë këtë gjoja filozofi, e për të na treguar standardin e dyfishtë të analistit në fjalë. I mbani mend të gjithë zgjedhjet lokale të 8 Majit, kur Lulzim Basha po përpiqej të bëhej kryebashkiak. Ishte Lubonja, që nuk e dëgjuam kurrë t’i bënte thirrje shqiptarëve t’i vinin kryq fletës së votimit, por tha publikisht se na duhet ta provojmë Lulzim Bashën. I cili na ishte një i ri i pasprovuar në politikë, gjithmonë sipas Lubonjës. Për një të pavarur apo të paanshëm, korrupsioni i Rrugës së Kombit, ku u përfshi kokë e këmbë Basha, do ishte më shumë se mjaft për të pasur një provë të këtij lloj politikani. E me keq akoma, vrasjet e 21 janarit do t’i jepnin një armë të jashtëzakonshme, sidomos nihilizmit të Lubonjës, për t’u thënë njerëzve: stop, po zgjidhni një hajdut që s’e ka për gjë, në mos të japë urdhër, të bëjë sehir pas xhamave, kur vriten shqiptarë me duar në xhepa. Jo vetëm që nuk e bëri, por na tha na duhet ta provojmë. Dhe ja e provoi dhe e provuam. Ai vodhi zgjedhjet mes sheshit dhe është sot, një inkompetent në krye të bashkisë, që jo vetëm s’ka bërë asgjë, por Zoti e di sa e si po i vjedh asetet e shtetit.

Këtë unë e quaj tërësish një gazetar në llogore, në atë më të keqen e mundshme. Lehtësisht e arritshme dhe sot e gjithë-frekuentueshme. Pikërisht nga kjo llogore, Lubonja agresivisht përçmon mediume online si “Tema” apo “Respublica”, sepse i duken më pak të vlefshme se platformat ku shkruan e flet. Në respekt të gazetarisë së shkruar në pikë të hallit, ne të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës jo vetëm “Temës” dhe “Respublicës”, por çfarëdolloj blogu apo mediumi që lind sot, në kushte krejt të pabarabarta të një mjedisi tërësisht të korruptuar shqiptar. Në fund të fundit “Tema” dhe “Respublica” po bëjnë punën e tyre, pjesën e tyre, me aq sa munden, me aq sa kanë, me aq sa dinë. I quaj të domosdoshme dhe të rëndësishme dhe i gjej shumë herë më informative dhe profesionale se një sërë gazetash apo televizionesh shqiptare, ku çirret pa fund simfonia: se të gjitha palët janë njësoj.

Në fund të fundit është vlerë të dish të artikulosh ndershmërisht qëndrimin tënd dhe jo të fshihesh pas sofizmash dhe titujsh që vetëngjit e mbingjit.

Ideja se të gjithë janë njësoj më ka shqetësuar gjithmonë. Për të vetmen dhe të fundit arsye, sepse është tërësisht e pavërtetë. Sepse është pjellë e Sali Berishës, që ç’nuk ka thënë e vazhdon të thotë për këdo që sheh kundërshtar. Eshtë e mjerueshme që gazetarët, drejtuesit e emisioneve apo analistët i marrin fjalët nga goja e tij, nuk i konfirmojnë apo investigojnë kurrë, dhe ja mveshin si të vërteta kundërshtarit të Sali Berishës. Kjo për mua është llogorja më e mirë në krah të Sali Berishës. Ka 8 vjet partia e këtij të fundit në pushtet, me të gjitha mjetet dhe institucionet nën kontroll. A nuk mendoni se diku, dikur do t’ia kishin diktuar me fakte korrupsionin Edi Ramës? Por janë aq të dëshpëruar, sa ngritën një komision të tërë, për një vesh, që u shkul a s’u shkul, askush se mori vesh. As ai që ju duk sikur veshi ju shkul. Kanë pasur 8 vjet kohë, gjithë televizionet apo mediumet shqiptare, sidomos ato të fuqizuarat me para nga reklamat e shtetit, të kishin investiguar dhe nxjerrë ujin e zi cdo lloj akuze apo baltosje që nxjerr nga goja Berisha. Kush i ka penguar ta bëjnë? Do kishin pasur gjithë mbështetjen e pushtetit- familje, dashamirësinë dhe bujarinë e tyre, që e marrin pa hesap edhe pa bërë gjëra të tilla.

Po qoftë dhe i pa-anshmi Lubonja, thjeshtë për kauzë të vetën e për t’i mveshur një tis vërtetësie asaj që thotë e propagandon, si nuk u mor qoftë dhe njëherë me një investigim personal, ti shkonte deri në fund me fakte dhe dokumente dhe të na tregonte pse Sali Berisha dhe Edi Rama nuk e meritojnë njëlloj të qeverisin Shqipërinë.

Si mundet një njeri me dy pare mend në kokë, të vërë shenjën e barazisë mes një ish komunisti të devotshëm, që e dogji dhe e vrau Shqipërinë në 1997, që erdhi për ta vrarë dhe grabitur sërish, me një kundërshtar dhe rebel të komunizmit qysh në fillim të viteve ’90 si Edi Rama, i cili as ka vrarë, as ka grabitur për të vrarë. Që në fund të fundit pati guximin të garonte për kryetar të PS-së, kur të gjithë aty rrotull ishin tulatur nga humbja e udhëheqësit të madh Fatos Nano.

Si mund të krahasosh një Sali Berishë që e ka kthyer PD-në në gijotinë ku asgjë s’pipëtin, me Edi Ramën që gjeti një han pa dyer në PS, dhe që ju desh e i duhet të përballet, të luftojë apo bëjë kompromise me të gjitha llojet që polli korrupsioni i Fatos Nanos?

Si mund të krahasosh një njeri që ka vrarë përsëri dhe përsëri, me një tjetër, që gabimin më të madh sipas Lubonjës, ka betonizimin e Tiranës?

Si mund t’u thuash njerëzve, që ai që të vret pse proteston se je i papunë, është njësoj me atë që në rrugën për të transformuar një kryeqytet, na bëri ca pallate edhe pa plan?

Si mund t’u thuash njerëzve vërini një kryq fletës së votimit se ky që po vjen, vërtetë nuk ka vrarë deri më tani, por po të vijë në pushtet do vrasë dhe ai?

Ky është fallxhorizmi më absurd që mund të të dëgjojnë veshët!

Eshtë gjithashtu nderi më i madh që mund ti bëhet Sali Berishës sot, të cilit unë i përmend vrasjet sepse ato janë më dramatiket, por është po njësoj kur i përmend vjedhjen e votës, që është e barasvlefshme me vjedhjen e jetës.

E vetmja shpresë e Sali Berishës sot, është që shqiptarët mos votojnë në masë, kur e vetmja shpresë e shqiptarëve është pikërisht votimi në masë, për të zhbalancuar çdo përpjekje mizore që ky kryeministër po bën për të manipuluar. Dhe këtë shërbim po ja bën vetë i paanshmi Fatos Lubonja.

E pra unë nuk mendoj se këtu kemi nevojë për analistë, këtu ka nevojë urgjente për terapistë.