Nga Andi Bushati, 4 Qershor 2013
Në ditët e fundit, sidomos pas deklaratave relativisht qetësuese për qeverinë nga diplomati amerikan Jonathan Moore, është hapur një debat lidhur me ndikimin e kompanive lobuese dhe sidomos për atë të grupit Podesta. Shumë analistë pranë së majtës i kanë mëshuar argumenteve se “zbutjen” e qëndrimeve të ambasadorit Arvizu dhe kritikave të ashpra që ai i ka bërë disa prej veprimeve të Berishës, kryeministri po e amortizon përmes honorarëve të larta për lobistët e tij. Sipas tyre, kjo është mënyra e vetme që i ka mbetur atij për të çarë izolimin ndërkombëtar dhe mënjanimin që po i bëhet nga kancelaritë perëndimore. Po kjo tezë, që po zë vend gjithnjë e më shumë, ngre disa pikëpyetje: a është Berisha vërtet i izoluar? Ku vërehet kjo? Me kë krahasohet?
Krejt rastësisht, duke lundruar dje në YouTube, u gjenda përpara një spoti të vjetër fushate që mund t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve. Është një spot i garës elektorale të vitit 2009 ku njerëzit ftohen në votojnë për numrin 10, numrin që kishte PD-ja atë kohë. Titulli i këtij spoti, që ende çdokush mund ta shohë në web, është: “Ne na besojnë”. Aty jepen jo më pak se thëniet e njerëzve më të rëndësishëm të globit. Presidenti Obama: “Jemi krenarë me Shqipërinë”. Kancelaria gjermane, Anxhela Merkel, që nga tribuna e Bundestagut lavdëron reformat e qeverisjes Berisha. Ish- presidenti Sarkozi, i cili pasi e priti kryeministrin shqiptar në pallatin Elize, deklaronte: “Asnjë vend tjetër nuk ka bërë progres si Shqipëria”.
Me të drejtë, ashtu siç do të bënte çdo forcë tjetër politike ballkanike dhe më gjerë, Partia Demokratike i përdori këto deklarata për fushatën e saj elektorale të katër viteve më parë. Edhe titulli i spotit, që përsëritej pareshtur, ishte “Ne na besojnë”. Dhe kronika e këtij besimi nuk përfundonte këtu. Para zgjedhjeve të qershorit 2009, Berisha do të priste në zyrën e tij shefin e ekzekutivit grek, Karamanlis, do të shtrëngonte duart zyrtarisht më kryeministrin italian, Berluskoni dhe do të merrte pjesë në një miting gati elektoral për përurimin e Rrugës së Kombit, përkrah homologut të tij turk, Erdogan.
Ndërsa sot, katër vite më pas, përpos ndonjë takimi rutinë të Partive Popullore, ku shqyhet këmbë e duar për të kapur ndonjë fotografi, Kryeministrin shqiptar as nuk e pret, as nuk e viziton më njeri. I vetmi mik që duket se i ka mbetur, është një autokrat që sundon mbi naftë dhe gazin që i ka lënë trashëgim i ati, si presidenti Aliev i Azerbajxhanit.
Dhe e gjithë kjo situatë paradoksale shoqërohet edhe nga një tjetër fenomen i çuditshëm. Kundërshtari i tij i drejtpërdrejtë, Edi Rama, po ndjek një trajektore të ndryshme. Si asnjë lider tjetër shqiptar në opozitë, ai është pritur deri më tani në takime nga presidenti i Austrisë, nga kryeministri i Rumanisë, nga kryeministri i Danimarkës dhe së fundi nga turku Erdogan, pa përmendur këtu ndonjë foto me pagesë si ajo me Obamën. Pra, vetëm ky krahasim, kjo përmendje e thjeshtë faktesh, do të qe e mjaftë për të na treguar se këtë 4 vjeçar, Berisha nuk mund të shfaqet më në publik me sloganin “Ne na besojnë”. Në këto katër vite, doza e mëkateve të tij është shtuar.
Përdorimi politik i gjykatave, mbrojtja e të korruptuarve dhe vrasësve, prekja e zgjedhjeve dhe rreziku për nxitjen e nacionalizmit e kanë bërë atë, që jo vetëm të mos marrë asnjë deklaratë përkrahjeje, por i ka hequr edhe mundësinë e takimeve zyrtare me homologët. Nëse para zgjedhjeve të vitit 2009 ai kishte si mburojë lavdërimet e disa prej liderëve më të fuqishëm të globit, tani ka vetëm vërejtje dhe kritika. Deklaratat se ai po e fuste Shqipërinë në kurs përplasjeje me SHBA-në, se do të denoncohej publikisht për nacionalizmin, se po dështonte me një drejtësi të pavarur, po bëheshin tejet të rënda për të. Ai tashmë e di se nuk mund të marrë më mbështetje. Se nuk ka asnjë fakt për të thënë se i besojnë edhe këtë herë. Ndaj po mjaftohet vetëm me një gjë: së paku mos e fshikullojnë publikisht edhe këto tre javë. Dhe në funksion të kësaj, ka vënë jo vetëm diplomacinë e shtetit, por së pari lobistët që paguan.