“Zog pse ike”, libri më i ri i Ylli Polovinës

0
46

TemA, 30 Maj 2013

“Zog, pse ike”. Kështu titullohet libri i ri studimor i Ylli Polovinës. Dokumente të panjohura që sjellin risi për këtë figurë komplekse të historisë shqiptare, shpalosen në faqet e tij.

Një sulm i panjohur i vitit 1934, një gjyq kundra komunistëve më 1939, një dënim për Qemal Stafën, janë vetëm disa prej temave më të diskutuara në të.

“Në 225 faqe jam përpjekur të kryej një rivështrim të plotë të bëmës së tij. Për këtë qëllim kam vënë në qendër pikën më të debatueshme të karrierës së Ahmet Zogut: 7 prillin 1939. Diskutimi i kësaj teme do të jetë në historinë tonë të shkruar, por edhe në jetën e vendit një “perpetum mobile”. Nuk do të reshtë kurrë. Madje përherë do të mbetemi të ndarë më dysh, pro dhe kundër. Ndërkohë, 7 prilli qe testimi, prova “në ngarkesë”, që iu bë modelit të shtetit të ngritur nga ai për pothuaj katërmbëdhjetë vite.

Kjo ditë e premte 1939 nuk ka të gdhendur vetëm fytyrën fashiste musoliane të një pushtimi të pabesë, por edhe atë të qëndrimit të diskutueshëm të kryetarit të shtetit shqiptar. Sa janë në përmasa njëra dhe tjetra, si edhe sa faktorë të tjerë kanë vend, është edhe objektivi kryesor i këtij libri.”, tregon ai..

Për sa i përket titullit ai sqaron se i është vënë ky tillull për të marrë pjesë në debat, për ta shpallur këtë gjë në fillim, fare hapur drejtpërsëdrejti.

“Ata pak që e kanë lexuar deri më tani, kur janë prej atyre që dëshirojnë mëshim më të dukshëm të anëve pozitive të Ahmet Zogut, kanë ndeshur në libër dritë më të madhe për kontributin e tij politik. Për shembull, në këtë botim do të gjeni për herë të parë se si ai vetë dhe administrata e tij përfshi dhe ushtrinë dhe xhandarmërin, po ashtu inteligjencën dhe popullin e thjeshtë në krye, kryen qëndresën ndaj një akti kërcënimi të ngjashëm me 7 prillin.

Kjo ndodhi të shtunën e 23 qershorit 1934, kur ndërsa dita po thyhej, në gjirin e Durrësit u shfaq pa asnjë lajmërim një flotë e madhe luftarake italiane. Qenë 22 anije lufte, gjashtë prej të cilëve kryqëzorë. Askush nuk ka shkruar për këtë ngjarje, që, siç ka ndodhur realisht, na nderon të gjithëve , larton kombin, emrin e shqiptarit. Ajo mund të barazohet për nga heroizmi, me ndeshjen në bazën detare të Pasha limanit, kur Shqipëria në 1961 u prish me sovjetikët”, tregon Polovina.

Në librin e tij Mbreti vjen në një këndvështrim të ri, mes arritjesh dhe gabimesh që rëndojnë mbi të. Ai hedh dritë mbi figurën e tij , që nga Thesari i Shtetit e deri tek konfliktet me komunistët. Por, se si do e presë familja mbretërore ai shprehet: “Kjo është çështja e saj. Librin e kam paguar siç veproj në të shumtën e herëve , me të ardhurat e mia financiare, të cilat janë vetëm paga e një nëpunësi shteti. Nuk i ndihem borxh kërrkujt…”, shton ndër të tjera për “GSh”-në Polovina./A.XH