Nga Mero Baze, 1 Qershor 2013
Për herë të parë gjatë kësaj fushate elektorale, Berisha filloi të pranojë mundësinë e humbjes dhe foli për pasojat e saj. Foli për mundësinë e arratisjes së biznesmenëve të pasur të Shqipërisë pas 23 qershorit, pasi të fitojë Edi Rama. Berisha e justifikoi këtë me kërcënimet, që Rama po bën me sistemin e taksave, por në të vërtetë në koshiencën e tij, si gjënë më të rëndë që mund të ndodhë pas 23 qershorit, ai shikon realisht ikjen e njerëzve të pasur të tij.
E thënë qysh në fillim, biznesmenët që kanë mundur të mbijetojnë këto tetë vite me Berishën janë ndarë qartazi në biznesmenë klientë të Familjes dhe në biznesmenë të tjerë, që kanë mbijetuar duke paguar gjoba pranë Familjes.
Biznesmenët e parë, ata që janë klientë të Familjes, që kanë nisur procedurat fillimisht duke shkuar tek studioja ligjore e më pas duke përfituar dhjetëra koncesione dhe tenderë nga pushteti, janë pasuruar. Merrni një prej tyre si shembull klasik. Ka qenë një ndërtues i zakonshëm deri në vitin 2005 me disa pallate të ndërtuara në Tiranë. I kish dhënë disa apartamente falas Familjes Berisha (biznesmeni Ulaj) dhe ka origjinë dhe lidhje familjare me të afërmit e gruas së kryeministrit. Në vitin 2007 papritur vendosi të konkurrojë në ndërtim rrugësh, dhe prej ditës së parë, kur akoma nuk kish blerë një traktor deri atëherë, ka marrë dhe ka diktuar çdo tender që ka firmosur Sokol Olldashi. Nxori nga loja kompani të fuqishme në ndërtim rrugësh duke përdorur pushtetin t’u heqë licencën dhe futi në lojë kompani anonime duke u deleguar punët si sekser.
Pastaj hyri tek fabrikat e çimentos, mori dy prej tyre, vuri në punë një prej tyre, dhe ka përfunduar që importon çimento për t’u dukur sikur prodhon.
Pastaj mori leje të jashtëligjshme për të çarë gjithë rrugët e Shqipërisë, nga Morina dhe Hani i Hotit në Kakavijë dhe Kapshticë duke shtruar kabllo optike për të ndërtuar një sistem kombëtar të transmetimeve dixhitale private. Nuk pagoi asnjë taksë për çarjen e rrugëve, dëmtoi Rrugën e Kombit dhe nuk mban askush përgjegjësi, nuk lejoi askënd tjetër të bënte projekt alternativ dhe i nxori nga loja gjithë ata që kishin këtë ide para tij.
Sikur të mos mjaftonte kjo, një tjetër sistem dixhital i të dhënave zyrtare dhe rrjetin e transmetimit të tij, që do ta ndërtonte qeveria dhe që ishte një biznes paralel me biznesin e tij, e fitoi po ky.
Në qendrën e tij të biznesit, për shkak të lidhjeve me kryeministrin, detyrohen të shkojnë dhe zyra të institucioneve ndërkombëtare dhe biznese që duan të marrin koncesione në Shqipëri.
Me të njëjtën lehtësi ka fituar tenderë në CEZ, Ujësjellës, ndërtim rrugësh rurale etj.
Ky është modeli i biznesmenit klient i Familjes, i cili bëhet papritur i gjithanshëm (si dikur VEFA Holding), pasi ka çdo gjë në dorë. Pas tij qëndron hija e çantës të të birit dhe të bijës, që vjelin fitimin në hije si konsulentë të tij.
Kur Sali Berisha pyet i shqetësuar se mos na ikin 5 përqind e të pasurve pas 23 qershorit, tani që është bindur që do të fitojë Edi Rama, ka parasysh pikërisht këtë tip biznesmeni, i cili në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se sa i deleguari i fëmijëve të tij në biznes.
Biznesmenët e tjerë, bile dhe ata që janë realisht me PD, nuk kanë ku të ikin dhe nëse duan. Ata kanë parapaguar për të marrë ndonjë rrugë apo tender dhe i kanë bërë punët me lekët e tyre, pa i marrë ende ato. Ata janë sot të falimentuarit e mëdhenj të Sali Berishës, të cilët i ka përdorur për të krijuar imazhin e një qeverie që investon, por në fakt i ka falimentuar, duke i varrosur të gjallë, pa u dhënë lekët e punës dhe duke i zhytur në kredi të këqija, nga të cilat nuk ngrenë dot kokë. Ata nuk kanë ku të ikin pas 23 qershorit, pasi nuk kanë as lekë për biletë. Pushteti i Familjes së Sali Berishës i shndërroi bizneset e tyre në piramida dhe mbështetjen e tyre për PD, në fatkeqësi të biznesit të tyre. Ata nuk kanë ku të ikin pas 23 qershorit, pasi të vetmen shpresë që t’u rikthehet ndonjë lek për punët që kanë bërë, është ikja e Berishës.
Kur Berisha flet për ikjen e ikjes së biznesmenëve të pasur pas 23 qershorit, ka parasysh klientët e Familjes së tij, atyre që u vuri Shqipërinë në dispozicion për të vjelë për vete. Dhe kur ka frikë se ata do të ikin jashtë Shqipërisë, ka frikë thjesht se i ndërpritet pjesa ilegale që merr Familja e tij prej tyre. E tremb më shumë liria e tyre dhe shpëtimi prej Familjes se sa fati i tyre.