Ahmet Dursun, 31 Maj 2013
Ka lindur në Shkodër. Ka ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore për Gjuhë-Letërsi dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë për Juridik. Eksperiencë në fushën e mësuesisë dhe më pas sipërmarrëse e suksesshme. Nismëtare e krijimit të Frymës së Re Demokratike si dhe Kryetare e FRD për qarkun e Shkodrës. Aktualisht, kandidate për deputete e Frymës së Re Demokratike, në Qarkun e Tiranës.
Gruaja që merret me biznes, a është e ngatërruar edhe me politikën?
– Jo, domosdoshmërisht. Ne gratë e biznesit e njohim problematikën e punësimit më mirë se kushdo, nga veriu në jug. Arsyeja pse kandidova është që të ndryshoj një mendësi, që shfaqet çdo 4 vite, në fushata zgjedhore. Bëhen udhëtime në zonat rurale, premtime, shfaqje televizive dhe po me të njëjtat fjalë kujtohen sërish pas 4 vitesh. Papunësinë nuk e zgjidh politika, por sipërmarrja.
Nëse do të ishin më shumë gra në Parlament, a do të shtohej përpjekja për të zgjidhur hallet këtyre grave?
– Ne si parti, në të gjitha qarqet kemi respektuar ligjin, dhe jemi e vetmja parti që nuk kemi forum gruaje, sepse krijimin e tij e shohim si diskriminim. Por mendoj se, gratë e të dyja partive kryesore, më shumë se vetë burrat, u vendosin barriera grave që hyjnë në politikë.
A ka gra sipërmarrëse që nuk paguajnë dot rrogat në kohë, sepse këto të holla i kanë humbur në kazino?
– Unë nuk njoh, por them se ka.
Çfarë ndodh kur një grua sipërmarrëse, nuk paguan dot rrogat?
– Te gratë, nuk është bixhozi arsyeja. Ka arsye të tjera. Në biznesin fason, të cilin e njoh mirë, mund të them se ka raste që të hollat vonohen dhe kjo krijon mjaft probleme jo vetëm ndaj rrogave, por edhe ndaj obligimeve të tjera. P.sh. nëse brenda datës 20 të çdo muaji nuk paguan tatim fitimin apo sig. shoqërore, gjobitesh me 5% të shumës dhe çdo muaj kjo gjobë shtohet në mënyrë progresive. Në fakt, shteti duhet të tregohet disi tolerant ndaj fasonistëve.
Po tjetër, çfarë problemesh kanë fasonët në Shqipëri?
– Shumë biznese krijojnë lidhje të afërta me politikën dhe nuk sigurojnë punëtorët. Kjo konkurrencë e pa ndershme na dëmton jashtë mase.
Po kriza financiare në Evropë, a ka ndikuar?
– Në një farë mënyre po, por mendoj se na dëmtojnë më tepër politikat që po zbatohen. Taksat e larta, gjobat apo sigurimet shoqërore po na rrisin kostot e prodhimit dhe çdo ditë e më shumë po humbim tregje. Po ua dorëzojmë sipërmarrësve serbë, të cilëve u janë krijuar lehtësira si 5-7 vite përjashtim nga çdo detyrim, veçse për të nxitur punësimin e qëndrueshëm.
Tek ne, pse nuk ndodh kjo gjë?
– Në fillim, edhe në Shqipëri tre vitet e para ishe i përjashtuar nga tatim fitimi, pastaj vetëm 6 muaj. Ndërsa tani, 48 orë para se të punësosh dikë, duhet ta deklarosh atë. Biznesi fason krahas të tjerave krijon një integrim të jashtëzakonshëm të një shoqërie, pasi shumë gra e vajza vijnë nga zona të thella. Pas disa muajsh, ato ndryshojnë në shumë aspekte, madje ndryshojnë edhe familjet e tyre. Njihen, ndajnë me njëra tjetrën, bëhen më sociale.
A ka gra sipërmarrëse që trafikojnë drogë?
– Edhe mund të ketë, por kurrsesi nuk mund të quhen sipërmarrëse, mund të quhen veçse trafikante të mjera, që janë viktima të burrave që i shfrytëzojnë.
Kush gëzohet më shumë, kur një grua sipërmarrëse falimenton?
– Ka mjaft që mezi presin të ndodh falimentimi dhe të gëzohen, por ne gratë s’para u dhurojmë këtë kënaqësi.
Kur një grua sipërmarrëse merret shumë me hallet e punëtoreve, a hyn në një rreth vicioz?
– Po, është e vërtetë, sepse hallet e tyre nuk mbarojnë. Në bizneset fason, përgjithësisht punojnë gra dhe vajza që kanë familje të mëdha, që kanë probleme, jo vetëm ekonomike, por edhe sociale. Por nëse u gjindesh pranë, ato e kapërcejnë shpejt dhe biznesi të ecën më mbarë.
A janë më të prirura, gratë në biznes, të komunikojnë me punëtoret e tyre?
– Po, patjeter. Ne jemi të prirura t’i kuptojmë ato.
Në cilat zona të Shqipërisë, ka më tepër nevojë të investohet në bizneset fason?
– Në të gjitha zonat rurale të Shqipërisë ka nevojë. Me qindra e mijëra vajza të reja kanë dëshirë të mësojnë dhe të punojnë.
Gratë që kanë aftësi të merren me biznes, a meritojnë të marrin kredi të lehtësuara nga bankat, apo nga institucionet e tjera?
– Është mëse e domosdoshme. Gratë janë më të kujdesshme, të ndershme dhe më me vizion, se shumë burra që lehtësisht i përfitojnë këto mbështetje. Numri i grave në biznes, është shumë i ulët dhe kjo jo për faj të tyre.
Gruaja shqiptare, a është romantike?
– Kur gjen kohë, po.
Pse sheh shumë rrallë një grua, me një tufë lule, edhe në qendër të Tiranës?
– Besoj se jeta është ashpërsuar shumë. Fatkeqësisht, shpesh edhe vetë nuk e kupton se kush je.
Pse kur pyet një grua, sa vjeçe jeni, ajo përgjigjet me pyetjen “sa të dukem?”
– Me shpresën, që t’i thuash të paktën 10 vite më pak, seç duket…
Çfarë mendon për gjuhën shqipe?
– Unë kam mbaruar për gjuhë-letërsi shqipe, por sot acarohem kur dëgjoj edhe tim bir, ndërsa flet me deformime gjuhën tonë të mrekullueshme.
Çfarë deformojnë më së shumti?
– Shkurtojnë fjalitë, spostojnë rrokjet, bëhen të pakuptueshëm shpesh herë.
Cili film shqiptar, të pëlqen edhe sot?
– Shumë prej tyre dhe i shoh me qejf të madh. Kam nostalgji për filmat, por kurrsesi jo për kohën kur janë prodhuar.