Tre ligjet e shkelura pa u miratuar

0
44

Nga Mero Baze, 25 Maj 2013

Disa ditë më parë u bë publik në media një formular i ndërtuar nga administrata shtetërore, që i kërkonte çdo punonjësi të administratës të siguronte 20 vota për Partinë Demokratike. Formulari u transmetua në emisionin “Fiks Fare” dhe disa gazeta të tjera kritike me qeverinë. Mënyra e ndërtimit të formularit, presioni ndaj një punonjësi të thjeshtë të paradeklaronte jo vetëm votën e tij, por dhe të 20 njerëzve të afërt të tij, mekanizmi i kontrollit mbi këtë premtim dhe arroganca me të cilën ky formular shpërndahet, është një asgjësim i lirive politike në Shqipëri.

Nëse Sali Berisha ia ka dorëzuar këtë formular 100 mijë të punësuarve në administratë dhe u kërkon 20 vota për çdo punonjës administrate, atëherë ai është duke shantazhuar rreth 2 milion shqiptarë, praktikisht gjithë trupën e votuesve në vend, të votojnë për të nën një presion të tipit ‘Gestapo’.

Në asnjë kohë dhe asnjë palë zgjedhje në Shqipëri, nuk ka ndodhur të ketë një klimë terrori mbi kontrollin e votës së qytetarëve si në këto zgjedhje. Nga pikëpamja ligjore këtu kemi një shkelje flagrante të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe çdo ligji që rregullon raportet e administratës publike me politikën. Por ironia e fatit është se në vend që ky skandal të ishte debati kryesor në vend, po kthehet në debat miratimi i tre ligjeve të mbetura të paketës së Brukselit, një prej të cilëve ka të bëjë pikërisht me statusin e nëpunësit civil. Përfytyroni që ditën e hënë parlamenti të ngrejë dorën për të miratuar ligjin për të drejtat e nëpunësit civil dhe ditën e martë Flamuri të vazhdoj të shpërndajë formularin që i kërkon çdo nëpunësi 20 vota të paradeklaruara për Partinë Demokratike??

Mjafton ky fakt që debati nëse do të miratohen apo jo tre ligjet e mbetura nga paketa e Brukselit ditën e hënë në Kuvend, nuk do t’ia vlente të merrej në konsideratë.

Në të vërtetë askush nuk ka problem as me përmbajtjen e tyre dhe as me miratimin e tyre. Problemi i vetëm që ka Berisha është se si të mos i miratojë këto tre ligje, që të ketë një alibi për 30 ditët e mbetura të fushatës, dhe problemi që kanë opozitarët është se si t’i miratojnë këto tre ligje që të mos i kenë barrë formale në procesin e marrjes së statusit pas zgjedhjeve kur do të jenë në pushtet. Por problemi real që ne kemi është se procesi i marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtar nuk është i penguar nga tre ligjet, por nga një ligjësi, e cila dita- ditës po bëhet më e prekshme, varrosjen përfundimtare të standardit të zgjedhjeve në Shqipëri. Kushtet respektive që vendos opozita dhe Berisha për paketën e tre ligjeve, njëri duke kërkuar me të drejtë hyrjen në fuqi pas zgjedhjeve dhe Berisha duke shtuar si kusht dhe një ligj të pamiratuar nga opozita për amnistinë dy vjet më parë, tregon se ata realisht e dinë që nuk ka asnjë emergjencë për miratimin e tre ligjeve, por ka vetëm një nevojë për debat rreth kësaj çështjeje.

Në këto kushte, meqë puna po kufizohet tek debati për ligjet më shumë se sa për vetë ligjet, duhet që doemos të ketë një qëndrim serioz në publik lidhur me rëndësinë e tyre.

Së pari, duhet të thuhet qartë, siç e ka thënë Komisioneri Fyle dhe siç po e përsërit vazhdimisht Brukseli dhe trupi diplomatik i BE në Shqipëri, se tre ligjet nuk janë kushti i mjaftueshëm që duhet plotësuar për paketën e integrimit, por një kusht i nevojshëm. Si i tillë ky është një akt formal, pa asnjë rëndësi të veçantë politike.

Së dyti, duhet të bëhet e qartë se fati i integrimit të Shqipërisë varet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të pranuara nga gjithë palët që duhet t’i japin fund tranzicionit 22- vjeçar të Shqipërisë. Pra, nëse flasim për ndonjë miratim real të tre ligjeve, ato miratohen më 23 qershor, kur Shqipëria do të testohet nëse kalon apo jo provimin më të rëndësishëm të saj, zgjedhjet e lira në vend. Fakti që ne po shkojmë drejt zgjedhjeve pa një KQZ, dhe mbi të gjitha këmbëngulja e Berishës për të mos e zgjedhur këtë krizë, tregon vendosmërinë e tij për ta djegur këtë shans të Shqipërisë. Dhe tymi i këtij dëmi e mbyt flakën e shpresës që gjoja do të ndezë për Shqipërinë miratimi formal i tre ligjeve në Kuvend.

Së treti, rruga për të marrë statusin e vendit kandidat varet shumë dhe nga qeverisja e pas 23 qershorit. Që Shqipëria të ngjallë besimin e Brukselit, duhet të bëjë gjeste të forta të vendosjes së shtetit ligjor, të luftës kundër korrupsionit, të ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, dhe të sigurimit të standardeve për liri ekonomike, konkurrencë dhe një shoqëri të lirë. Koalicioni i sotëm opozitar ka ngërçet e veta në këtë drejtim, ndërkohë që drejtësia është e kapur e gjitha nga pushteti në ikje dhe çmontimi i kthetrave të Berishës prej saj, do të jetë një problem më vete.

Shqipëria as humbet dhe as fiton asgjë ditën e hënë nëse miraton tre ligjet. Ajo është një procedurë thjesht burokratike dhe nuk përbën asnjë lajm. Tre ligjet janë miratuar në parim nga palët dhe askush nuk ka asgjë me përmbajtjen e tyre. Lajmi i vërtetë është nëse Shqipëria ia del të shpëtojë nga spiralja e rrënimit të saj duke prishur zgjedhjet.

Lajmet e përditshme flasin dhe dëshmojnë se Sali Berisha po i prish zgjedhjet. Terrori mbi administratën publike, paradeklarimi i votës me metoda prej ‘Gestapoje’, frikësimi i qytetarëve për kontrollin e votës, këmbëngulja për të mos plotësuar KQZ dhe kriza reale e Berishës me Perëndimin, janë lajmet e vërteta të këqija që po prodhon Shqipëria.

Nëse kjo nuk ndodh deri në fund, nëse shkojmë në zgjedhje pa KQZ, nëse shkojmë në zgjedhje me këto shkelje flagrante të ligjit për zgjedhjet, nëse shkojmë me këtë klimë terrori mbi administratën, atëherë tre ligjet nuk i vlejnë askujt, bile më keq akoma, mund t’u vlejnë shkatërruesve të ëndrrës sonë evropiane.