TemA TV/ Rama në Rrashbull: Berisha u mbajti me rrena 20 vite, ne e bëjmë legalizimin brenda një mandati (VIDEO)

0
45

TemA, 24 Maj 2013

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdoi bashkëbisedimet e tij, kësaj here me banorët e Rrashbullit në Durrës.

Rama u premtoi banorëve të kësaj zone, ashtu sikundër mijëra e mijëra shqiptarëve që kanë ndërtuar pa leje, legalizim të shpejtë, duke theksuar se Sali Berisha i ka mbajtur me mashtrime për 20 vite.

“Pse duhet ta votoni sërish Sali Berishën kur akoma nuk keni marrë letrën e legalizimit,” pyeti Rama të pranishmit.

“Edhe sa kohë do t’i hani rrenat e këtyre. Jo Edi Rama, por edhe Enver Hoxha sikur të ngjallej nuk i prish dot 400 mijë ndërtime pa leje”, tha lideri i opozitës.

Fshatarët iu ankuan Ramës për çështjen e ujit, sidomos të ujit për vaditje. Ata thanë se shteti nuk është ndjerë në zonat e tyre.
Rama tha se ai do të punojë çdo ditë për zgjidhjen e problemeve të tyre, ndërsa ironizoi duke thënë se Berisha për çdo hall të shqiptarëve thotë se tani jemi në NATO, po shkojmë në BE.

“Nuk do shkojmë në BE, por do e bëjmë Europën këtu,” tha Rama.

Rama tha se do të zgjidhet çështja e pronës brenda katër vitesh.

“Kemi një problem themelor, që mbetet një nyje pa zgjidhjen e së cilës nuk shkojmë para. Problemi i pronës. Se keni dhe një republikan këtu. Këta demokratë dhe republikanë, 20 vjet duke marrë votat e pronarëve dhe duke thënë ne jemi ata që zgjidhim problemin e pronave. Ndërtoni pa leje se ne i legalizojmë ndërtimet tuaja. 20 vjet duke i thënë fshatarëve, vijoni punoni se ju japin certifikatën e pronës.

Sot pas 20 vjetësh dhe 8 vjetësh në qeveri. Pronarët nuk kanë të drejtë prone, dhe një copë letre që e bën pronën pasuri të patundshme apo ua njeh tokën. Deri tani me fjalë se veprat i bëjmë kur të jeni në qeveri.

Ne do të zgjidhim çështjen e pronës. Do të bëjmë transparencë për të gjithë atë grabitje të madhe që i është bërë pronave të përbashkëta dhe pronave private. Brenda 4 viteve certifikatën e tokës tënde do ta jap unë.

Ne do japim certifikatën e tokës për të gjithë ata që kanë 20 vjet që rropaten me një copë tokë. Legalizimit do i mbyllim siç na takon dhe siç ju takon atyre që kanë ndërtuar një shtëpi për të ndërtuar ëndrrën e një familje në kushtet normale. Këto çështje janë angazhimet tona dhe do i ndjekim. Jo si këta se sa fillojnë zgjedhjet, bëjnë fushata me legalizimet”, tha Rama./ep