Një acarim i skajshëm për një debat real rreth Ramës

0
39

Nga Mero Baze, 22 Maj 2013

Ka një reagim të tepruar të lexuesve ndaj një editoriali të Andi Bushatit rreth faktit që ai e konsideron të motivuar paraqitjen e rrezikut për jetën ndaj Edi Ramës pas 21 janarit. Gati- gati po t’u hedhësh një sy rreth 200 komenteve nervoze kundër tij, dhe të tjerë plot fyerje që janë seleksionuar si të pavlerë, të krijohet ideja se është krijuar një nervozizëm nga përmendja e temave tabu për opozitën siç është 21 Janari, për shkak të debateve joracionale që ato hapin në fushatë për opozitën.

Unë e pashë dokumentarin e Edi Ramës, në prezantimin e tij në Vlorë, dhe ajo që vë re është se ai më shumë se sa mbështetësit e tij, tregon një kujdes të panevojshëm për të fokusuar dhe për të lënë në hije episode politike nga biografia e tij. Dhe këtu dua t’i rikthehem dy detajeve.

Detaji i parë është ai i 21 Janarit, ndërsa detaji i dytë prezenca e madhe e familjes në promovimin e tij.

Ajo që shkruan Bushati është pak nervangritëse dhe natyrisht është bërë nga një pozicion kritik për Ramën. Por në të vërtetë Edi Rama duket se ka një kompleks të panevojshëm tashmë për 21 Janarin. 21 Janari nuk është një vepër e Edi Ramës dhe as ndonjë skenar kriminal i tij. Ajo është një demonstratë krenare e opozitës, bile një nga ditët e saj të mëdha, për të cilën duhet të krenohet. Ajo ditë ka një të akuzuar të madh dhe ai është Sali Berisha. Ai është njeriu që ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe tërësisht paqësorë, dhe së bashku me Lulëzim Bashën është përgjegjës për tetë fëmijë jetimë dhe një precedent të ndyrë në historinë e politikës shqiptarë të pas vitit 1990, kur pushteti ekzekuton dhe merr përgjegjësinë për ekzekutimet politike, pa i hyrë gjemb në këmbë. Edi Rama nuk mund të shpëtonte Ziverin, Aleksin, Hekuranin apo Faikun nga plumbat e Sali Berishës. Askush nuk doli për t’u vrarë dhe për të vrarë atë ditë në rrugë. Për të vrarë dolën nga shtëpia dhe u mbyllën pas xhamave të blinduar vetëm dy burracakë, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha.

Për këtë arsye, askush nuk mund të kompleksojë liderin e opozitës për 21 Janarin, as pas koalicionit me Ilir Metën dhe as nesër, nëse ndodh ta shikojmë të pafuqishëm për të ndëshkuar Sali Berishën. Për këtë arsye është e nevojshme që Edi Rama të sillet si lider i një opozite krenare sa herë përmendet 21 Janari, dhe lideri i një opozite krenare nuk fokusohet kur përmend 21 Janarin tek rreziku apo kërcënimet ndaj tij, por tek të vrarët e pushtetit. Edi Rama, dhe kushdo tjetër nga opozita e 21 Janarit, duhet t’i bëjë gjimnastikë trurit dhe të ketë gati katër emra në gojë sa herë përmendet 21 Janari. Ata janë simboli i asaj dite, ata janë krimi i shtetit, ata janë domethënie pse ne kemi një regjim dhe ata janë arsyeje pse ajo ditë ishte dita më e zezë e pas 22 viteve pluralizëm në Shqipëri. Të gjithë ata që ishin në shesh kanë detaje të frikshme, të sikletshme apo të dhunshme më 21 janar, përfshi dhe unë, por të gjithë duhet të heshtim dhe të flasim vetëm për thelbin e 21 Janarit. Dhe thelbi i asaj dite është që Sali Berisha dhe Lulëzim Basha kanë vrarë katër vetë për arsye politike. Duhet t’ua përcjellim brezave këtë fjali për të mos u harruar kurrë dhe të mos e dublojmë me episode të tjera, që edhe pse janë të vërteta, zbehin thelbin e 21 Janarit. Jam i sigurt se çdo opozitar i rrahur, çdo gazetar i hetuar për puçist, çdo demonstrues që ka qenë afër të vrarëve, apo çdo njeri që është përndjekur për shkak të 21 Janarit, ka se çfarë të tregojë, por të gjithë ne të gjallët e kemi të ndaluar të flasim për vetveten më 21 janar. Vëmendja dhe përjetësia u shkon atyre që nuk janë më mes nesh për shkak të asaj dite.

Detaji i dytë që më tërhoqi vëmendjen tek dokumentari i Ramës ishte fokusimi tek familja e tij, intervista prekëse e Gregut, rrëfimet e nënës, gruas dhe miqve politikë dhe artistë. Edi Rama është votuar në këtë vend dhe pa e pasur këtë dekor familjar kaq të përsosur sa e ka tani. Për këtë arsye nuk mendoj se ky dekor sjell mbështetje më të madhe për Ramën, por vlen shumë për kundërshtarin e vet, i cili fëmijët dhe gruan i ka fatkeqësinë e tij kryesore elektorale në këto votime. Pra, nëse vlen për ndonjë gjë ky detaj, vlen jo për ta na kujtuar sa mirë i ka punët Rama me familjen, por se në çfarë halli është Sali Berisha me familjen që ka qeverisur tetë vjet.

Përfytyro që Berisha të bëjë të njëjtën gjë dhe të shfaqet i biri, i cili as nuk thotë dot që është ndarë nga gruaja, as që bashkëjeton ilegalisht me një të dashur, as që ka dy fëmijë, se s’ka ku t’i tregojë, as që e do shumë babin se i ka ndenjur afër kur ka qenë emigrant në Belgjikë e Suedi, e të tjera detaje si këto. Boll fotografia e tij dhe njerëzit nënkuptojnë menjëherë njeriun që shëtit me një çantë të zezë në dorë, derë më derë, për të negociuar pushtetin e babait.

Përfytyro sikur Sali Berisha të nxjerrë në ekran vajzën dhe ajo të tregojë sa e ka ndihmuar babai duke i firmosur çdo firmë për koncesione të klientëve të saj, të cilëve u kërkon 3 përqind të investimit. Përfytyroni të shfaqet në ekran gruaja e tij dhe të tregojë se çfarë mrekullie është jeta me burrin e saj, dhe sa shumë e “respektojnë” biznesmenët shqiptarë duke i bërë dhurata për fondacionet e saj.

Pra, domethënia e detajeve familjare të Edi Ramës nuk vlen aq shumë për të pasur një Ed Rama si burrë shembullor, baba të dhimbsur, apo fëmijë i një nëne tepër të lidhur me të. Shqiptarët e kanë votuar dhe kur i ka munguar kjo biografi. Ai pasazh vlen për të na kujtuar se familja përballë është shembullore sa i përket raporteve njerëzore me njëri- tjetrin, por e tmerrshme sa i përket mënyrës se si sillen si familje me pushtetin, ndaj shqiptarëve.

Ndaj nuk e gjej aq acaruese kritikën e Bushatit ndaj qasjes së Ramës në dokumentarin e tij për 21 Janarin, edhe pse Bushati ka qejf t’ia ngrejë nervat Ramës në këtë pikë. Më shumë më ngroh fakti se Berisha është tërbuar aq shumë nga ky dokumentar, edhe pse ai nuk ishte askund. E ka tërbuar pikërisht thyerja e një tabuje mbi të cilin ai kish ndërtuar mitin e tij si një njeri familjar. Kjo është një kryearsye pse pushteti i tij ka dështuar, duke u kthyer në pushtet të Familjes. Ndaj nuk vlen aq shumë si shkon me nënën, gruan, djalin apo vajzën, po sa larg pushtetit di t’i mbash ata për të mos na i kthyer në regjim Familjeje.