TemA, 20 Maj 2013
Prezantuesja e njohur, Alketa Vejsiu, që së fundmi ka prezantuar programin “X Factor”, ka folur në konventën e Partisë Socialiste, duke deklaruar mbështetjen e saj për Edi Ramën.
Ajo tha se “Rama është ylli i gjeneratës sime”.
“Erdha këtu për të thënë sot disa fjalë zemre, atyre që si unë duan që Shqipëria të ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar.
Unë jam këtu sot sepse dua ta përdor lirinë time për të ndihmuar të tjerët të gjejnë lirinë e tyre. Jam këtu sepse kam besimin e palëkundshëm që Shqipëria të udhëhiqet nga shqiptari i punëve të mëdha, kryeministri ynë i ardhshëm, ylli i adoleshencës dhe gjeneratës sime, atij që sot qetësisht mund t’ia besoj votën time.
Kam qenë 14 vjeç kur e kam takuar për herë të parë këtë të ri me çitjane dhe rroba vezulluese, i vetmi ministër Kulture që unë mbaj mend dhe i vetmi kryetar bashkie, nga më spektakolarët. Ka shumë si unë që e mbajnë mend Tiranën e çoroditur dhe sot mban era Europë. Po ashtu, jam e bindur se siç lindi Tiranën, ai mund të lindë Shqipërinë,” tha Vejsiu.
“Nuk jam socialiste, por një gjë është e sigurt se do votoj për Shqipërinë e Edi Ramës, jam e bindur që në Shqipërinë e rilindur, të majtë e të djathtë do kenë mundësi të gdhihen e të ngrysen të lirë, pa patur frikë se do jenë me Edin apo kundër tij. Shpresoj që ai të jetë kryeministri ynë i ri”, tha Vejsiu./ep