Pse fshihet Sali Berisha?

0
27

Nga Andi Bushati, 5 Mars 2013

Strategjia e re mediatike e Edi Ramës ka përmbysur kokëposhtë raportin që dy liderët kryesorë të vendit kanë pasur për një kohë të gjatë me TV-të shqiptare. Ndërkohë që lideri i opozitës sot është i pranishëm ngado, edhe në emisione politike jo miqësore ndaj tij si në “Opinion”, “360 gradë”, “Fakt” e ndoshta kudo tjetër, kryeministri fshihet dhe nuk po guxon të shfaqet edhe në ato ekrane që mund të bëjnë gjithçka për t’u treguar miqësore ndaj tij. Ndërkohë që Edi Rama ka zgjedhur prej disa muajsh strategjinë e përballjes (fjalë e madhe kjo për të), Berisha vazhdon të bëjë lojën e strucit duke iu përgjigjur pyetjeve nga populli, në skena bajate e të përgatitura keq.

Dhe këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të vërtetët rolesh. Gjatë këtyre dy mandateve, kur njëri ka qenë në krye të qeverisë e tjetri në krye të opozitës, gjendja ka qenë ndryshe. Edi Rama ka qenë ai që i bojkotoi një kohë të gjatë TV-të që nuk i pëlqente. Edi Rama ishte ai që kërkonte pyetjet përpara intervistave, e përkujdesej deri në detaje për mbarëvajtjen e tyre. Me përjashtim të një qëndrimi idhnak dhe të pakuptueshëm për të mos shkelur në studion e “Top channel” , Sali Berisha ka dhënë intervista për gazetarët kryesorë të këtij mediumi dhe është treguar i gatshëm të shkonte ngado dhe ta linte në nivelin e ndërgjegjes profesionale të gazetarëve ashpërsinë e pyetjeve kundër tij.

Por sot gjithçka ka ndryshuar dhe pyetja është përse? Mos vallë Rama është bërë më i hapur? Mos vallë ai është bërë më i ndjeshëm kundrejt përgjegjësisë për të informuar pa truqe publikun? Më lehtë sesa të besosh tek ky shndërrim personash, i paimagjinueshëm deri pak kohë më parë, do të qe të besoje tek ndryshimi i rrethanave. Dhe ato vërtetë kanë ndryshuar.

Që kur Sali Berisha vendosi t’i grabisë kundërshtarit të tij ato dhjetë votat e famshme në Tiranë, asgjë nuk është si më parë. Edi Rama nuk ka më përgjegjësinë e menaxherit që punon me paratë e publikut shqiptar. Ai nuk përgjigjet më për rrugët me gropa, për lejet e ndërtimit, për miqtë me biznese reklamash dhe as për fondet publike që paguajnë militantët. Për ato akuza ai tani ka kaluar nga filtri i zgjedhjeve. Eshtë dënuar prej tyre duke dalë pothuajse barazim dhe ka fituar moralisht sepse këtë gatibarazim ia kanë vjedhur më pas. Ndaj sot, ndryshe nga më parë, ai është më i hapur për t’u përballur me këdo në ekrane. Prandaj ai sot lëshon edhe ftesa të përsëritura për një përballje televizive me kundërshtarin e tij të drejtpërdrejtë, Sali Berishën.

Ndërsa ky i fundit tashmë është në hall. Pasi ka qëndruar për gati shtatë vjet sypatrembur për çdo përballje mediatike, ai tani ka vendosur të fshihet. Dhe ka mëse një arsye se pse duhet ta bëjë këtë. Pasi çdo javë e qeverisjes së tij shoqërohet nga një skandal. Nëse do të guxonte sot të përballej me një intervistë serioze, Sali Berisha duhej t’i përgjigjej disa pyetjeve. Dhe ato nuk janë të pakta.

Pse nëse dikush do të bëjë biznes në vendin që ai drejton duhet të ketë patjetër më parë besimin e vajzës së tij? Pse kush do të gjejë drejtësi në këtë vend, për t’i vënë kapak dhimbjes për të vdekurit, duhet të përballet me gjyqtarët e manipuluar nga të afërmit e tij? Pse këtij njeriu që komandon një shtet vertikal, po i dështojnë njëri pas tjetrit të gjitha privatizimet e mëdha si CEZ-i, Armo, Albpetroli?

Pse në shtetin e tij, në këto procese strategjike, afrohen vetëm sharlatanë ordinerë që pasi kanë venë në lojë gjithë shqiptarët, tallen dhe me të vetë dhe me sistemin që ai drejton? Pse megjithëse privatizimi i Albbetrolit qe një farsë, shteti (shteti i tij) nuk arriti të marrë as 85 milionë dollarët e garancisë së tenderit? Pse njerëzve që i kanë këto para borxh shqiptarëve iu falen apo nuk iu kërkohen edhe borxhe të tjera që arrijnë në shifra po kaq të mëdha?

Pse pasi përfundoi në shkallë të parë procesi i 21 janarit ne nuk dimë ende zyrtarisht kush i fshehu filmimet e kamerave të kryeministrisë, kush hoqi gëzhojat, kush i ndërroi tytat dhe gjilpërat e armëve vrasëse, kush e informoi Sali Berishën për vrasjet që ishin bërë nga opozita, për thikat me helm dhe për çadrat pistoletë, për ato 2 milionë USD që ishin shpenzuar për “grushtin e shtetit”?

Pse në vendin që ai drejton po bëhet kërdia me vrasje dhe po arrihet deri aty sa të ekzekutohet një komisar policie për çdo muaj? Mos vallë ngaqë njerëzit e tij ua dorëzojnë me paramendim, komisarët vrasësve? Pse ai bën sikur nuk i dëgjon paralajmërimet antinacionaliste që i vijnë nga Uashingtoni, ndoshta se i beson më shumë parave të paguara tek Podesta? Pse ai i shpërfill rekomandimet që i vijnë nga Brukseli, po vazhdon me farsën e radhës për referendumin për tre ligjet?

Natyrisht këto janë vetëm pak nga moria e pyetjeve që mund t’i bënte çdo gazetar kryeministrit. Si një politikan me përvojë, Sali Berisha është i pari që ia ka bërë ato vetes së tij. Dhe ndoshta deri më tani s’ka mundur dot t’i japë përgjigje. Ndaj prej një kohe të gjatë ai ka vendosur të fshihet. Të mos përballet. Të mjaftohet për të komunikuar me publikun vetëm nga fjalimet që mban përpara deputetëve dhe ministrave të tij. Duke bërë kështu, që si asnjëherë në këto shtatë vite, situata mediatike të përmbyset për herë të parë në favor të kundërshtarit të tij.