Antiamerikanizmi tinëzar dhe rasti Pollo

0
63

Nga Mero Baze, 16 Maj 2013

Genc Pollos duket se i ka ardhur dita të tallet sërish me Sali Berishën. Lexova një deklaratë të tij në rrjetet sociale për “mundësinë e heqjes së vizave me SHBA” dhe m’u kujtua i njëjti njeri i viteve 1996- 1997, kur Berisha ishte në luftë të hapur me SHBA. Detyra e tij dhe atëherë ishte banale. Hapte ndonjë libër biografik, gjente ndonjë shprehje ose batutë që duhet t’ia rekomandonte Berishës, merrte një letër ngjitëse të verdhe, e vendoste mes fletëve dhe ia çonte në zyrë.

E akuzonin fjala vjen amerikanët se po përdorte dhunë në fushatë, Pollo i shkruante në një copë letër se në SHBA janë vrarë presidentë në fushatë. I dërgonin ambasadoren Glover për vëzhguese, ky i tregonte në një letër të nënvizuar se kjo kish lidhje me dikë që kish qenë zëdhënës i Dukakisit, dhe ky i fundit meqë kish origjinë greke, ia kishin dërguar grekët. Kish Berisha problem me mungesën e mbështetjes popullore, ky i çonte një letër të verdhë ku tregonte se filan president amerikan ka thënë se më mbështet shumica e heshtur.

Dhe duke përdorur etjen e Berishës për pushtet dhe ekzaltimin e tij nga konflikti me SHBA, shpresonte se po ia arrinte ta çonte drejt asgjësimit. Më 14 mars të vitit 1997, kur Berisha po gdhihej në presidencën e rrethuar nga të shtëna armësh, kur fëmijët e tij ia kishin mbathur në Itali dhe gruaja ishte fshehur tek një i afërm i vet nga periferia e Tiranës, tre zyra para se të hyje tek Sali Berisha, Genc Pollo rrinte e ekzaltuar në tavolinën e tij, vetëm, i shtrirë me këmbë mbi tavolinë, duke përjetuar gjithë emocion produktin e cinizmit të tij si “këshilltar” anti-perëndimor i Berishës dhe përfitues i kësaj beteje. Kushdo që kalonte para zyrës së tij, e mban mend këtë skenë dhe sidomos kur e pyesnin se ku ishte Berisha. Brenda është, thoshte duke buzëqeshur gjithë tinëzari, ndërkohë që Berisha nga frika kish fikur dritën e zyrës dhe rrinte ne errësirë duke bërë telefonata haluçinante.

Ky besoj ka qenë momenti kulmor i kënaqësisë që Pollo ka ndjerë për veprën e tij cinike si njeri shumë i largët, “pranë” Berishës.

Ky i sotmi është i dyti. Ka parë Sali Berishën në një moment degradimi mendor dhe lajthitje politike të premtojë vizat për SHBA dhe ka fluturuar nga gëzimi nga reagimi i menjëhershëm i qartë dhe cinik i ambasadës së SHBA që na tregon se jemi me vite drite larg nga standardet që mund të na çojnë pa viza në SHBA. Dhe foli. Në raste të tilla, për të mbrojtur budallallëqe të kësaj shkalle, përdoret ose Dash Sula, ose Bardh Kadilli, ose Laura me Mesilën, ose fundja dhe Flamuri. Pollo nuk ishte thirrur të mbronte marrëzinë. Kish dalë vullnetar t’i jepte dhe ai një dorë betejës groteske mes Berishës dhe SHBA, që përfundoi në një antiamerikanizëm tinëzar.

Më 1997 Berisha gjeti arsye të motivojë të vetët kundër SHBA se po bëhej aleate me Greqinë kundër Shqipërisë dhe pushtetit të tij. Tani është aq larg arsyeve për t’i gjetur një shkak popullit pse duhet me qenë kundër ambasadës së SHBA këtu dhe Departamentit, sa iu desh të shpikte se do liberalizojë vizat me SHBA dhe të tregojë si armik të liberalizmit ambasadorin Arvizu, Departamentin e Shtetit dhe “njerëz që nuk u duan të mirën shqiptarëve” siç thotë dhe Pollo.

Përpjekja populiste e Berishës për të gënjyer ndonjë fshatar të izoluar shqiptar, që dëshiron të ikë pa vizë në SHBA, është vulgare, kurse tinëzaria e tij për të ngjallur një valë antiamerikanizmi të fokusuar kryesisht tek ambasada apo administrata “që kanë axhendë personale kundër Berishës”, është finalja e degradimit të ri të raporteve të tij me SHBA. Kjo e dyta duket se ka gëzuar Genc Pollon dhe e ka detyruar të heqë dorë nga dembelizmi i tij legjendar dhe të ulet të shkruajë në stilin e tij origjinal si mediokër një status që do t’ia kishte zili dhe Lefter Maliqi.

Mendon se i ka ardhur dita ta përcjellë Sali Berishën nga skena tashmë si një plak qesharak, që i frikësuar nga ikja prej pushtetit është gati të rindezë çdo konflikt, edhe pa pasur arsye për luftë.

Në krizën e fortë të viteve 1996- 1997 me SHBA, Pollo mori pothuajse këtë rol që po merr tani. I ka ardhur dita të tallet sërish me Sali Berishën. Kolegu i tij, Lefter Maliqi, për t’i dëshmuar besnikërinë ndaj Berishës, i ngriti bejten, “merr pushtetin dhe një herë/ krah për krah me Lefterë!”.

Pollo, për t’i treguar se mbështet një anti-amerikanizëm tinëzar ndaj administratës së SHBA për vizat, shkon dhe më tej duke e nxitur të përleshet edhe një herë, me shpresë se nuk do të ringrihet më. Harron se do ta marrë me vete.