Një ditë dhe njëzet vjet

0
48

Vangjush Saro, 14.01.2010

Edhe ky dimër nga më të vështirët, edhe kjo ngjarje nga më të rëndat, përmasat e së cilës nuk mund të përfytyroheshin nga askush, nuk i ka vënë dot në të njëjtën udhë karvanët e politikës shqiptare.

Të duket sikur prej njëzet vitesh, endemi në kaos, ndeshemi me vetveten dhe, në të njëjtën kohë, me fatin tonë; prej njëzet vitesh, jemi në një përmbytje të vazhdueshme, sapo e ngremë pak kokën, na ndjek pas një ndëshkim i ri.

Ndërsa qytetarët e këtij vendi, prisnin një fillimviti të ndryshëm, një fillimviti evropian, ia mbërriti një përmbytje e paparë kurrë; bashkë me të, një sinjal i qartë varfërimi e qëndrimi në vend.

(Ka një përllogaritje, të pakonfirmuar dhe as të komentuar nga entet zyrtare, që bën fjalë se deri më 9 janar, dëmet nga kjo katastrofë kanë shkuar në 66.1 milionë euro ose 9.1 miliardë lekë të reja. Kjo shifër, thuhet në disa media, është shumë më e lartë se i gjithë fondi i parashikuar në Buxhetin e Shtetit për vitin në vazhdim (5.2 miliardë lekë) për Rezervën e qeverisë dhe fondin e kontingjencës.)

Gjatë këtyre ditëve, kemi parë shumë vuajtje, shumë mund e sakrifica, një tendosje të madhe nga ana e ushtrisë dhe policisë, i gjithë shteti është ngritur në këmbë, politika mbarë gjithashtu. Gjithçka e kemi parë në këto ditë të vështira, me përjashtim të ndërprerjes, qoftë edhe për pak kohë, të luftës politike apo të lënies mënjanë të mekanizmit që prodhon urrejtje.

Edhe në këtë situatë pa precedent, politika, por për fat të keq dhe segmente të administratës, kanë vazhduar përplasjet e përditshme dhe të mërzitshme, kush jam unë, kush je ti, si dhe debatet e pafund mbi rolin e Zotit dhe të Natyrës në këtë katastrofë ekonomike, të cilën kryeministri ynë e quajti thjesht katastrofë ekologjike. (Një nga manovrat e tij të zakonshme.)

Mbase askujt nuk i shkonte mendja se mosmarrëveshjet midis (po themi) shumicës dhe opozitës, do të gjenin terren edhe në këtë mot të keq e në këtë kiamet. Me të vërtetë, duhet të kesh shumë “hesape” për të larë, që të mos pushosh për asnjë çast edhe në këtë zallamahi; duhet të kesh shumë mllef e pasiguri në vete, që të mos heshtësh dot assesi, ndërkohë që ke përpara një hall kaq të madh.

Skenari është tepër i thjeshtë, po aq edhe i lexueshëm; skenari është po ai: të bëjmë zhurmë, që të sfumojmë sa të mundemi atë që ka ndodhur. Dhe kështu, dimri i shqiptarëve vazhdon jo me të ftohtë e suferinë, por me heshtje dhe mungesë transparence në lidhje me atë që ndodhi, por edhe atë që po ndodh.

Dhe jo vetëm në këtë rast. Kjo bën që opozita dhe një pjesë e madhe e publikut, të acarohen. Atëherë, (ajo që i thamë) shumica, edhe pse me njërën dorë drejton luftën kundër katrahurës, me dorën tjetër komandon vazhdimisht makinerinë e përbindshme të urrejtjes. Dhe dimri i shqiptarëve, mbetet po ai i njëzet viteve tranzicion, që vazhdon jo thjesht me përmbytje e borë, por duke prodhuar pareshtur pasiguri.

Edhe në këto kushte, ka vëzhgues optimistë që mendojnë se dimri mund të përfundojë pikërisht duke inkurajuar opozitën të kthehet në Kuvend, ku edhe ta vazhdojë luftën për temat e mbetura pezull për shkak të përmbytjes.

Do të duhej ta uronim çdo vendim të (siç e quajtëm) shumicës për të mbyllur megafonat që prodhojnë urrejtje dhe për ta lënë të nesërmen në duart e ekspertëve dhe teknicienëve.

Do të duhej të uronim kthimin e opozitës në Kuvend dhe kthimin po ashtu të normalitetit politik dhe të jetës demokratike në këtë vend. Por, konstatojmë ndërkohë, se distanca që ndan dy kampet, është mjaft e madhe dhe, sidomos, shumë e ftohtë. Kjo për shkak se gjithçka konceptohet në mënyra të ndryshme: Gërdeci, Zgjedhjet e 28 Qershorit, Kalimashi, Përmbytja, kështu më tej.

Nga ana e shumicës, siç do të duhej të shpreheshim, pse jo edhe nga ana e kryeministrit të vendit, zotit Berisha, sot e mot, nuk ka pasur përpjekje të vërteta për t’iu përgjigjur gjerësisht dhe me prova akuzave dhe druajtjeve të pozitës, pa le pse kanë ndodhur kaq shumë dimra te ne; që do të thotë: Gërdeci, Zgjedhjet e 28 Qershorit, Kalimashi, Përmbytja, kështu më tej.

Përkundrazi, ka një prirje për lavdërime, për dekorata, për të çarë “me shpatë në dorë historinë”. Bie fjala, me gjithë këtë situatë aspak të zakontë, kreu i qeverisë gjen kohën dhe rastin “të zbulojë” edhe planet për të nesërmen, duke prodhuar si gjithnjë optimizëm pa fund.

E lexojmë këtë në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, ku midis të tjerave, thuhet: “Gjatë kësaj vizite, ku Kryeministri Berisha u takua edhe me pushtetarët lokalë, u shpreh se në shtator do të fillojë edhe projekti për thellimin e shtratit të lumit Buna.

“Në shtator, kam rënë dakord me Kryeministrin e Malit të Zi të nisim bashkërisht punën për thellimin e Bunës, pra, ta bëjmë të lundrueshme dhe kjo e rrit shumë kapacitetin tërheqës të saj. Kësaj here u bashkuan shumë gjëra, fryrja e detit, fryrja e liqenit, por ne do t’i kapim problemet një nga një”, – u shpreh Kryeministri Berisha.

Koha ka treguar se ka qenë e vështirë me nda premtimet nga realiteti problematik. Me sa duket, është kjo një nga arsyet pse opozita mbetet tejet dyshuese; përpara se të flitet për qëndrimin e mëtejshëm të saj, do të duhej një pakt, një marrëveshje fjale e perceptimesh: kujt duhet t’i themi e bardhë dhe kujt e zezë…

Kjo nuk është kaq e thjeshtë, sidomos kur ke të bësh me drejtues me formim komunist. Me fjalë të tjera, ky i sivjetmi, zor të jetë dimri i fundit në kaos e nën regjime depresioni e demagogjie, si gjer më sot.