ResPublica.al, 10 maj 2013
“Arsyeja pse Kosovën nuk e kanë njohur shumica e shteteve islamike është hezitimi i tyre për shkak të përkatësisë suaj religjioze” – këtë e ka thënë para deputetëve të Kosovës akademiku e diplomati turk Ekmeleddin Ihsanoglu, Sekretari i Organizatës së Bashkimit Islamik, që është një nga më të mëdhatë në kuadrin e OKB-së.
Media e Prishtinës nuk i ka kushtuar shumë vëmendje këtij lajmi, por gazetari Gani Mehmetaj ka bërë një reagim të fortë me anë të një shkrimi, ku ai fillimisht ri-sjell në një formë më të kuptueshme frazën e Ihsanoglu-t. “Meqë kishin dyshime jemi a s’jemi myslimanë, shumica e shteteve islamike nuk e paskan njohur Kosovën”, ky është me fjalë më të thjeshta shpjegimi që miku nga Turqia i bën hezitimit të shumë vendeve islamike për të njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Mehmetaj, pasi nënvizon këtë fakt, polemizon fort me pohimin e diplomatit turk, apo thotë të vetën lidhur me qëndrimin e vendeve islamike ndaj shtetit të Kosovës. “E para, shteti i Kosovës është shtet i shqiptarëve. E dyta, është shtet laik e jo islamik. E treta, gjeografikisht është shtet i arealit evropian, e jo aziatik apo afrikan”, shkruan ai.
Dhe më tej: “Orienti ka prirje t’i korruptojë në shkallë të gjerë njerëzit me paratë që i shpërndan gjithandej dhe me privilegjet që po ua bën jo vetëm deputetëve, por edhe mediave, gazetarëve, zyrtarëve të ndryshëm, mjekëve etj. A reagoi ndokush kundër deklaratës së këtij zyrtari të lartë islamik? Nuk e lexova në asnjë gazetë të Kosovës, apo në televizione. Thua të jenë pajtuar? Nuk ma merr mendja, por islamikët duket e kanë gjetur ilaçin e heshtjes. Pjesa tjetër e njerëzve janë mësuar të heshtin edhe kur i fyejnë e denigrojnë, edhe kur i lavdërojmë më të rrallë.”
Shkrimin e plotë mund ta gjeni në sitin ‘peshku pa ujë’: http://www.peshkupauje.com/2013/05/jemi-shtet-islamik-kosova
Re.Pu.