RRUGA E INICIMIT TË JETON KELMENDIT

0
39

Nga Aleksandër DMITRJEV, Kiev

Poezia e Jeton Kelmendit është një dukuri joordinere në qiejt poetikë të Europës bashkëkohore. I njohur në shumë vende, tridhjetëvjeçarit poet-akademik iu dha të krijojë një botë origjinale artistike, e cila shkëlqen me një dritë shpirtërore në thellësitë e errëta të materies dhe i jep mundësi lexuesit të gjejë rrënjët e “unit” të tij.

Poezia e Jeton Kelmendit është thellësisht lirike. Në këtë lidhje është me rëndësi të përkufizojmë thelbin e lirikës si formë poetike. Që nga poezia antike skicimet lirike lypseshin të fiksojnë grimëçastet e drithërimës së kulmit emocional apo ndërdëgjimin e thellë meditativ në esencën e gjesëndeve, kur refleksi i njëfarë qenieje të njëmendët e të përmatanshme ndërdukej në trajtat e qenies së vdekur. Narratori në poezinë antike, përpiqej haptazi të rikthejë harmoninë e humbur me Shpirtin Botëror përmes galerisë së imazheve, në të cilën depërton participimi mistik i “unit” individual me “unin” kolektiv. Nëse ia lejove vetes një digresion të vogël në antikitet, këtë e ka bërë veç për shkak të bindjes së shumicës së koncepteve mitopoetike bashkëkohore në strukturën mitiko-ontologjike të imazhit artistik.

Megjithatë, secili autor i gjen mjetet e veta të mishërimit të idesë estetike.
Ja vetëm disa shembuj nga poezia e shqiptarit.

Koncepsioni i dashurisë tek Jeton Kelmendi presupozon një apoteozë ndjesore, dalje tej kufijve të kohës profane dhe vetmim me qenien e amëshuar. «Ty të gjeta jo në pranverë», – i adretohet poeti të dashurës. Një deklaratë e tillë parasheh daljen tej suazave të kohës së ndritshme (por – jo materiale) të rinisë në një botë frymore transcedentale, ku ekziston një “kohë tjetër”. Dhe ani pse ky është veçse një grimë e shkurtër e shkulmit emocional, në të cilën është i shtrënguar të kthehet heroi lirik, kjo ndosh m’u sikur të purifikohet me lëndën sakrale dhe e shpall veten bujtës të cilësie të re, të shpirtëzuar:

Kundronim hyrjen e vjeshtës
Në brigjet e një kohe tjetër
Dhe vera prajshëm shkiste në fytyrë
Dhe me furtunën fasha qielli fluturonin
Një sezon tjetër erdhi pamëshirshëm

Veç pas kësaj ndryshohet moti

Në poezitë epike Jeton Kelmendi shfrytëzon po atë metodë: dezinkarnimin e esencës zanafillore, duke çelur kështu rrugën për të dalë në sferat trascendente, ku ndosh begatimi i energjisë shpirtërore. Marrim imazhin e Atdheut. Ai është i mbushur plot me thelbe jashtëkohore, se Atdheu është diçka tjetër, njëfarë kodi i shumësisë së shpirtrave njerëzorë, të mbledhur përgjatë historisë. Ndërsa i ashtuquajturi “vis amtar” – është veçse hipostazi tjetër i kufijve të Shpirtit Botëror (e Mira, sipas Platonit, Unikja, sipas Plotinit …). Imazhi i Shqipërisë receptohet prej poetit si “dritë e tejmatanshme»:

Flamujt e tu
Mu si një dritë e blertë
që ndriçojnë qiejt

E pandjerë, e padukshme,
E humbur ndër shekuj,
Ti je dritë mendimi.
Ende askush e askurrë
ty s’të ka lëvduar,

O Atdhe i bekuar, unë jam yt bir
SHQIPTAR

Ka tek Jeton Kelmendi edhe poezi thjesht drymore. Në një radhë të tillë veçojmë «Udhë tek vetja» – ku poeti jep një interpretim paradoksal të teksteve biblike, interpretim, që mëgjithatë, po ta kundrosh nga afër merret me shkoqitjen ezoterike edhe të traditës së hershme kristiane. Në këtë poezi i rëndësishëm është imazhi i mikut si iniciator i rrugëtimit alkimik, kulminacion e të cili duhet të bëhet tretja (shkrirja) e “unit” në “mbi-un-in”. Kështu ndodh edhe me rrëfyesin tek «rrugëtimi i largët» me të cilin ngjet metamorfoza shenjore – vetmimi ndjesor e shpirtëror me Unicitetitin hyjnor.

Jam i shtrënguar të pranoj
Që ti jeton në mua
Ti je “uni” im
Kështu pra, rrugëtimin e largët e more
Veç për të mbërritur në vete.

Veprat e Kelmendit janë plot me enrgjinë vitale të Fjalës, përderisa ato janë të përshkuara me ngadhënjimin e shpirtërores në thelbin e gjësendeve dhe dukuritë mbi simulakrët e botës së dukshme. Në epokun kur prozodia është përçudnuar me lojërat e elementëve dhe me xhonglerizmin virtuoz të formave të shumëllojshme “unë në vetvete”, poezia e Jetonit gjakon të kthejë unitetin e bjerrë me Shpirtin Botëror në hipostazat e tij të ndryshme, të kapërthehet së paku pas “një vargu”, që “në zenitin e kohës, është bërë shkrumb” …

Përktheu nga Rusishtje Prof. Dr. Agron Tufa