Shqiponja që s’fluturon më lart

0
45

Nga Andi Bushati, 30 Prill 2013

Ajo që po ndodh me Kreshnik Spahiun sot, mund të shihet si akti i parë i pushtetit të nesërm, i cili po vë në zbatim devizën: kush nuk është më mua, është armiku im. Brenda një nate, asaj të vendosjes së koalicioneve, portreti i liderit të çartur të nacionalistëve, është ripikturuar nga e para. Televizionet që e kishin ngritur lart, tani e kanë zhdukur nga ekranet. Reporterët që gjurmonin me një pasion voyeur-isti mënyrën se si ish vendosur flamuri me shkabën dy krenare në ballkonin e apartamentit të tij, kanë harruar të informojnë se ai po organizon (në 1 maj) mitingun e tij ‘më të madh’. Ekranet, që dikur na e tregonin me një dylbi në dorë, si një roje të sigurt të kufijve detarë të Shqipërisë, sot e qesharakëzojnë përmes të njëjtave pamje.

Vetë lideri i opozitës e shndërroi papritmas nga shqiponjë në sorrë. Kur kujtoi se nuk do ta kishte në thesin e tij, foli për Aleancën Kuq e Zi si për një vegël të regjimit, një nga ato të cilat pushtetet autoritare dhe diktaturat i krijojnë rëndom, për të luajtur rolin e një opozite fallco. Madje kur u pa se votat e “gjithë shqiptarëve kreshnikë” nuk do të shkonin në thesin e Edi Ramës, një mekanizëm okult u vu në lojë për të blerë zyrtarët partiakë me të cilët fillimisht kishte bërë pazar Kreshniku, pastaj për t’i shfaqur nxjerrë ata publikisht e së fundi për të shpërndarë pandehmën se gjithë sa po ndodhte, ish një lojë e fëlliqur e financuar me paratë e familjes Berisha.

A mund të jetë e vërtetë? Për pastërtinë e Kreshnikut nacionalist nuk mund të vërë kush bast. Por, problemi nuk qëndron këtu. Problemi është se këto dyshime për liderin e aleancës kishin kohë që silleshin në ajër. A nuk ish Berisha i pari, që nuk kish lënë rast pa përmendur emërimet me pagesë në gjyqësor, madje me shuma marramendëse, që kish iniciuar faqeziu? A nuk ishin të shumtë ata që kishin denoncuar përdorimin si trampolinë të një institucioni teorikisht të pavarur, si KLD, për të hyrë në politikë nga dera e gabuar? A nuk ishin ata që e kishin përqeshur madje e kishin paraqitur si të rrezikshëm, këtë ish- gjyqtar dhe ish- avokat të Berishës, i cili po shfrytëzonte strehën e fundit të maskarenjve, nacionalizmin dhe ksenofobinë, për të bërë vend në politikë?

Por, të gjitha këto nuk kishin vlerë për ata që e ngrinin dje në qiell dhe që e nëpërkëmbin sot. Sepse për ta, me sa duket, Kreshniku me dylbi në dorë vlente vetëm për një qëllim, për t’ia bërë më të lehtë fitoren pushtetit të ri. Dhe kur ai vendosi mos ta luajë këtë rol, qoftë i sponsorizuar apo qoftë me vullnetin e tij të lirë, ai u zhbë brenda një nate. U shndërrua në sorrë, u etiketua si i shitur, u zhduk nga ekranet, ashtu siç qahej edhe vetë dje në median më të rëndësishme që i ka mbetur të përdorë, në Facebook.

Por, të gjithë aleatët e djeshëm dhe shigjetuesit e sotëm të kuqezinjve, duke filluar që nga lideri i opozitës e me radhë, harrojnë të bëjnë disa pyetje: Pavarësisht nga motivet që e kanë shtyrë Kreshnik Spahiun, a kish vend që aleanca e tij të futej në thesin e koalicionit të ri? Përgjigjja më logjike do të qe: JO.

Së pari, sepse një koalicion, i cili u bekua nga internacionalistët e së majtës evropiane, do të qe krejt i panatyrshëm duke pasur brenda edhe ngjyrat nacional- ksenofobe të kësaj partie.

Së dyti, sepse ngjizja e krushqisë së re me Ilir Metën, ishte katërcipërisht e papajtueshme me kërkesën e vazhdueshme të Spahiut, për një ndjekje penale të kryeministrit Berisha.

Ata harrojnë të pyesin gjithashtu: a ia vlen kjo betejë politike dhe kjo censurë mediatike që po e godet papritmas liderin e aleancës? Edhe këtu qasja e deritanishme duket e gabuar. Sepse ndonëse me daljen më vete ai i gërryen fituesve të nesërm disa vota, nëse vazhdon me të njëjtat qëndrime e me të njëjtat slogane si deri dje, Kreshnik Spahiu, ndihmon në krijimin e një peizazhi politik ku kryeministri aktual duket gjithnjë e më i vetmuar. Nëse ai vazhdon të bëjë fushatë me të njëjtat tone antiberishiste, ai së bashku me Topin krijojnë një klimë elektorale që i shkon në favor të opozitës, ndoshta jo me numra, por me frymë.

Ata harrojnë për më tepër se një betejë e tillë e demonizimit të antiberishistëve si krijesa që punojnë për të, ka rezultuar e pasuksesshme në të shkuarën. Megjithëse përpjekja e Edi Ramës dhe e njerëzve pranë tij, në vitin 2009, se vota për LSI-në është votë për Berishën, doli e vërtetë, ajo nuk pati efekt në elektorat. Njerëzit i dhanë Ilir Metës atë që i takonte të pandikuar nga propaganda e vëllezërve të tij armiq.

Prandaj pra, edhe nga këndvështrimi i koherencës, edhe nga ai i moral, edhe nga ai taktik, lufta me liderin me dylbi në dorë, i ngjan një beteje me mullinjtë e erës. Përpjekja për ta paraqitur atë si një shqiponjë në rënie, është në rastin më të mirë kundërproduktive. Sepse ajo ngre pikëpyetje serioze mbi parimësinë e fitimtarëve të nesërm, duke i paraqitur ata si lypsarë të një grushti votash. Sepse ajo bën të vështrohet, që tani, se si do të sillen në pushtet, jo vetëm me ata që i kanë kundër, por edhe me ata që s’i bëjnë dot për vete.