Nga Mero Baze, 20 Prill 2013
Pashë në shpinë të Sali Berishës, një projekt për Xhaminë e Madhe të Tiranës, që për të disatën herë përurohet në fillim të çdo fushate elektorale. Nga aq sa shihej në posterin e Sali Berishës, Tirana mund të ketë pas pak kohësh, (të shpresojmë që Berisha gënjen dhe në këtë rast) jo vetëm një xhami të shëmtuar, por një pamje të frikshme të stilit otoman në zemër të kryeqytetit në shekullin e 21-të.
Ndërtimi i një xhamie të madhe për besimtarët myslimanë, është një e drejtë e tyre, bile e vonuar, por ajo nuk është vetëm pasuri e tyre, por dhe e gjithë shqiptarëve. Kryeqyteti i Shqipërisë, i cili vlerësohet më shumë për harmoninë fetare se sa për besimet fetare në vetvete, po plotëson mozaikun e tij urbanistik me shtëpitë e kultit të tre feve.
Tirana ka disa xhami të vogla, mes të cilëve më tipikja që përfaqëson periudhën osmane është ajo e Et’hem Beut në qendër të Tiranës. Një xhami e re e madhe si shtëpia qendrore e gjithë besimtarëve myslimanë, e ndërtuar në shekullin e 21-të, është e pakuptimtë të na risjellë në Tiranë stilin e xhamive osmane, bile kjo dhe pak më keq, si arabe.
Projekti Basha-Berisha i Xhamisë së Tiranës
Dy vjet më parë, para zgjedhjeve lokale të vitit 2011, Edi Rama miratoi një projekt danez për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Për shkak se dhe ai si gjithë politikanët e tjerë, shumicën e punëve i lënë para zgjedhjeve, pasardhësi i tij në detyrë, të vetmet punë që ka bërë, është që ka anuluar çdo gjë të nisur prej tij. Kështu anuloi projektin modern të sheshit Skënderbej dhe e ktheu atë në një shëmti mes një livadhi pa shije, rrethuar me një perde të hekurt trafiku, dhe anuloi projektin danez të Xhamisë së Madhe të Tiranës.
Natyrisht që është debat i vështirë të hyjmë në detaje se ku duhet të ndërtohet xhamia dhe e kujt është toka, por të drejtën tonë për të kërkuar një projekt modern për Xhaminë e Madhe e kemi të gjithë. Tirana e shekullit 21, dhe për më tepër Shqipëria që po tenton të bëhet një vend evropian, nuk ka pse zgjedh mes një projekti modern dhe shumë perëndimor dhe një atavizme osmane, këtë të fundit.
Projekti danez i miratuar në vitin 2011
E kuptoj vrapimin e Sali Berishës për të gënjyer ndonjë mysliman për t’i marrë votat, e kuptoj dhe linjën vehabiste të familjes së tij, por ata nuk mund të diktojnë fytyrën e Tiranës në shekullin e 21. Në të vërtetë kjo është pika ku ai tradhton veten dhe tregon çfarë përfaqëson.
Them që projekti është një provokim elektoral, jo vetëm se inaugurohet në fillim të fushatës, por mbi të gjitha duke qenë një projekt i vjetër, që kënaq pjesën më fanatike dhe jo përfaqësuese të myslimanëve shqiptarë. Është pikërisht ajo pjesë që Sali Berisha tenton të gënjejë në fushatë elektorale, është ajo pjesë që shikon hipokrizinë e djalit dhe vajzës së tij që falen 5 herë dita dhe vjedhin dhjetë herë dita, për t’u marrë ndonjë votë në prag të fushatës elektorale.
Por kjo është një histori që duhet marrë pa emocione elektorale. Sali Berisha do të humbasë më 23 qershor dhe nuk ka arsye që ne të respektojmë një provokim të tij. Xhamia e Madhe e Tiranës duhet të bëhet, sa më shpejt dhe sa më mirë. Ajo duhet të përfaqësojë atë çfarë përfaqëson shumica e shoqërisë shqiptare në shekullin e 21 dhe jo atë çfarë ëndërron Sali Berisha të gënjejë më 23 qershor. Një projekt modern, siç ishte projekti danez, është një projekt që i bën nder Shqipërisë dhe Tiranës, dhe mbi të gjitha i bën nder atij që Berisha ndonjëherë po për interes politik e quan islam perëndimor në Shqipëri.
E kuptoj që anulimi i projektit të fituar danez është çështje politike, por orientimi perëndimor i Shqipërisë është një interes më i gjerë, përjashto Sali Berishën. Nuk është debat mes atyre që duan një xhami dhe atyre që nuk duan një xhami, por një debat mes atyre që duan një simbol të Tiranës moderne apo një atavizëm osman në Shqipëri.
Duhet bërë çfarë mund të bëhet të kemi një xhami, por jo një poster elektoral që kërkon të emocionojë ndonjë mendje të mykur osmane me arabeskat e një projekti më së paku të shëmtuar dhe më së shumti të padobishëm për portretin e Shqipërisë në shekullin e 21-të. Xhamia nuk u duhet vetëm besimtarëve myslimanë, por dhe harmonisë fetare dhe imazhit të një Shqipërie që po shkon drejt Perëndimit. Jepni Tiranës një xhami moderne, për të qenë pasuri e të gjithëve!