PD dhe dyshimet për Lulëzim Bashën!

0
60

Nga Mero Baze, 18 Prill 2013

Edhe pse duket banale, kishte një lajm tek “protesta” e disa nëpunësve të PD-së, në të vërtetë njerëz të afërt të lidhur me familjen Berisha, që u shfaqën sot në një protestë për të denoncuar aleancën e re LSI –PS, që po lë pa “ndihma sociale” qytetarët. Ishin njerëz që punon tek fondacioni i Liri Berishës, zyrat e Elvana Hanës dhe disa të besuar të tyre. Lajmi nuk është se Familja po proteston ndaj çiftit Rama-Meta, por po vë në provë Lulëzim Bashën për divorcin e tij real me Ilir Metën.

Çfarë po ndodh në të vërtetë me Lulëzim Bashën dhe të ardhmen e tij në PD?

Shpejtësia me të cilën po ecën konflikti mes PD dhe LSI, duket se po ridimensionon gjithë projektin politik të Lulëzim Bashës, i cili ishte ndërtuar mbi kapitalin polik që i dha aleanca personale me Ilir Metën. Prishja, e cila ka hedhur në erë praktikisht të ardhmen politike të Berishës në pushtet, dhe ka bërë të sigurt rrotacionin politik, ka krijuar paranojën se po tenton po ashtu të ndërtojë Lulëzim Bashën si pasardhës të PD-së në opozitë.

I mbetur pa perspektivë politike për t’u rizgjedhur në Bashki, Basha po përpiqet të mbajë të ndezur kontaktet me një pjesë të pushtetit të ri, posaçërisht me Ilir Metën, për të koordinuar protagonizmin e tij politik.

Prej vitit 2009, kur LSI hyri në koalicion me Berishën, brenda pushtetit u formuan dy qendra pushteti, që funksionuan në një konflikt të heshtur me njëra-tjetrën. Qendra e parë e pushtetit identifikohej me PD tradicionale dhe njerëzit që e drejtojnë atë si pjesë e stafit të afërt të Berishës, ku hyjnë Topalli, Bode, Patozi, Olldashi etj, dhe qendra e dytë e pushtetit ishte një aleancë e hapur dhe shumë e konsoliduar mes LSI dhe Lulëzim Bashës, së bashku me rrethin e njerëzve të tij. Për Berishën kjo ka qenë një situatë komode, pasi të dy qendrat e pushtetit silleshin rreth tij, duke ia lehtësuar atij shpeshherë modelimin e qëndrimeve ndaj ngërçeve që krijonte “qeveria e pavarur” e LSI brenda tij.

Lulëzim Basha ishte jo vetëm interlokutori, por dhe njeriu që kishte një plan me Ilir Metën. Përmes tij ai mori bashkinë e Tiranës jo vetëm me vota, dhe po përmes tij, ai konsolidoi dhe linja biznesi brenda pushtetit, për shkak të distancës që i krijonin atij njerëzit e PD-së.

E gjitha kjo u vërejt qartazi pasi Basha hyri në Bashkinë e Tiranës. Lista e të punësuarve në Bashki është tërësisht një listë e njerëzve personalë të tij, rekomanduar kryesisht nga familja e vet, gruaja, kunati dhe njerëz të LSI. Në PD ka gati mllef dhe urrejtje për distancën që Basha ka krijuar me rekomandimet e bëra nga selia blu për punësime dhe mos hapjen e rrugës për asnjë linjë biznesi në favor të njerëzve të PD-së. Aq i madh është bërë hendeku, sa ikja e LSI nga qeveria është pritur vërtet me entuziazëm në PD, mes të tjerash për shkak të Lulëzim Bashës, të cilin e shikojnë tani si një qendër e shfuqizuar pushteti, dhe pa asnjë fuqi në kombinimet e brendshme në PD. Aseti i tij më i fortë politik prej vitit 2009 ka qenë aleanca me Ilir Metën.

Pas kësaj ndarje, e cila duket afatgjatë, Lulëzim Basha duket se ka vetëm një shans të përdorë këtë divorc për t’u ribashkuar me familjen e tij politike.

Dhe për ta bërë këtë, ai ka nevojë së pari të viktimizohet. Ilir Meta po ia bën këtë shërbim deri në fund. Atyre po u funksionon divorci, njësoj si martesa, me plot harmoni. Njësoj si natën e fundit të aleancës së LSI me PD, kur Meta e gdhiu në vilën e tij së bashku me Bashën dhe Balliun, dhe në këto ditë që për shumë demokratë duken plot tension, për Lulëzim Bashën janë një periudhë e vërtetë harmonie me Ilir Metën dhe ndarje plot mirëkuptim për të “ndihmuar” njëri- tjetrin: Meta duke e ndihmuar të duket si viktimë politike e prishjes së LSI me PD dhe të zbusë armiqësinë që është krijuar në PD ndaj tij, Basha duke ia mbajtur në punë shumicën e njerëzve jopolitikë në Bashki, për të qenë luajal me të për një periudhë më të gjatë.

Për gati dy vjet në krye të Bashkisë së Tiranës, ky njeri po thyen çdo rekord, duke mos bërë asgjë, po fare asgjë, dhe duket se dhe dy vitet e tjera do t’i shtyjë duke justifikuar dështimin se në pushtet do të vijë e majta. I vetmi kontakt i tij zyrtar me pushtetin e ri do të mbetet Ilir Meta, dhe i vetmi plan serioz i tij është të rikthehet në PD me shpresë se viktimizimi i tij nga prishja e PD me LSI, do të jetë një shans, që ai të konkurrojë për të marrë PD pas humbjes së Berishës.

Nuk di sa do të pranohet kjo gjë në PD, por duket qartazi se Lulëzim Basha ka prerë biletën për të dalë nga Bashkia e Tiranës siç hyri, por nuk e ka të sigurt nëse do të pritet në PD siç u përcoll dy vite më parë. Si atëherë kur të gjithë shtrëngonin dhëmbët për tu dukur të lumtur që po e çonin në Bashki! Problemi i vetëm që duket se shikoj sot, është se Familja nuk e shikon me sy të mirë vazhdimin e “pazarit” të tij me Ilir Metën dhe do prova që ai nuk ka ndonjë plan tjetër tashmë si “disident” i Familjes. Kjo është një anije që nëse mbytet, kapiteni do që t’i marrë të gjithë me vete.