Në hava…

0
50

Dita, 17 Prill 2013

Ajo që ndodhi pardje në parlamentin shqiptar nuk mund të kalojë si një ngjarje e rëndomtë e politikës shqiptare, si një nga ato spektaklet që jemi mësuar të shikojmë shpesh në atë Kuvend që ka humbur aq shumë nga pesha dhe besueshmëria e tij. Pardje u shfaq haptazi pretendimi i Berishës për manipulimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ky fakt e bën zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së një ngjarje më shumë se të zakonshme. Madje të jashtëzakonshme. Sepse, sikurse e kanë marrë vesh të gjithë shqiptarët, për atë ngjarje kanë shprehur shqetësimin maksimal jo vetëm shqiptarët, opozita dhe njerëzit e interesuar me politikën, por edhe partnerët tanë më të fuqishëm perëndimorë, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja.

Rrallë herë tjetër e kemi parë kaq të shqetësuar ambasadorin e shtetit numër 1 të botës në Shqipëri. Ai, pra Ambasadori Arvizu, sipas një perceptimi të përgjithshëm në distancë, pardje ka bërë një përpjekje titanike për të parandaluar një precedent të rrezikshëm për zgjedhjet që po afrojnë. Ne ende nuk e dimë se ç’ka biseduar zoti Arvizu me Kryeministrin e vendit dhe me Kryetarin e Kuvendit përpara atij votimi anormal. Ne vetëm mund ta marrim me mend… Sepse është e njohur aksioma që në diplomaci ndonjëherë gjestet flasin më shumë se deklaratat.

Por dje mbërriti në Tiranë Baronesha Ashton. Natyrisht, zonjën Ashton nuk e kishte marrë aq shumë malli për Tiranën. Ajo është shefe e diplomacisë europiane dhe si e tillë erdhi. Vizita me urgjencë një ditë pas votimit në Kuvend të shkarkimit të një anëtari të KQZ-së dhe zëvendësimit të tij me një të besuar të partisë në pushtet është mjaft kuptimplote. Sado ‘demokratike’ të konsiderohet sjellja e deputetëve demokratë në natën e pardjeshme, nuk e fsheh dot shqetësimin e ndërkombëtarëve të cilët e kanë thënë shkoqur merakun e tyre. Por këtu kemi të bëjmë me ‘lojën’ e diplomacisë, e cila, sikurse e thashë pak më sipër, edhe kur nuk bën deklarata, flet me gjeste. Fjala vjen: Dje u anulua një dalje e Baroneshës Ashton në një deklaratë të përbashkët për median së bashku me Kryeministrin Berisha. Pse?, pyetën qytetarët e këtij vendi. Me siguri ka diçka që nuk ecën.

Po dje ambasadorja gjermane Holtkemper deklaroi se faktori ndërkombëtar u injorua për KQZ-në. Sa i thjeshtë duket në pamje të parë ky pohim, aq i rëndë është në thelbin e tij. Pasi dihet që e gjithë ‘lufta’ për KQZ-në u bë nga PD dhe Berisha. Berisha tashmë është izoluar nga bota. Berisha është në hava dy muaj para zgjedhjeve shumë të rëndësishme të 23 qershorit. Mirëpo të ishte thjesht izolimi i Berishës dhe qeverisë së tij nga bota, do të ishte gjysma e së keqes. Sepse e keqja më e madhe është se Berisha dhe qeveria e tij përfaqësojnë Shqipërinë dhe izolimi i tyre nga bota do të thotë edhe izolimi ynë. Kjo është e tmerrshme të ndodhë njëzetetre vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Është një izolim që na ngjeth…

Zoti ambasador i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu!

Opinioni shqiptar ka ndjekur dhe ndjek me një interesim të jashtëzakonshëm çdo lëvizje Tuajën për mbarëvajtjen e demokracisë shqiptare. Më duket e tepërt të them që ky interesim ka të bëjë me dashurinë, me besimin dhe me shpresën që shqiptarët ushqejnë për Shtetet e Bashkuara. Më duket gjithashtu e tepërt që të them këtu se shqiptarët janë ndër popujt më amerikandashës të globit. Për të gjitha këto që kini bërë dhe bëni për Shqipërinë dhe shqiptarët, mendoj se mjafton t’Ju them: FALEMINDERIT!

Por, në këtë rast, po Ju drejtohem përveçse si qytetar i këtij vendi, edhe si gazetar. Si gazetar kam një arsye më shumë, pasi unë që po shkruaj këto radhë kam qenë korrespondenti i parë i “Zërit të Amerikës” në Shqipëri, pikërisht në periudhën e ndërrimit të sistemeve në gjysmën e parë të viteve 1990.

Dje në gazetën ‘DITA’, ku punoj aktualisht si gazetar, Kryeredaktori vendosi që t’Ju paraqisë Juve në kopertinë me një çomange në dorë para derës së KQZ-së. Ky ilustrim ka një domethënie të qartë, që ka të bëjë me thelbin e shqetësimit të shoqërisë shqiptare pas më shumë se njëzet vjetësh në demokraci: zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë në rrezik! Ndërsa ne e dime dhe besojmë se për Ju si përfaqësues i shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik të botës zgjedhjet e lira dhe të ndershme përbëjnë një ideal të shenjtë dhe se Ju jeni të interesuar në mënyrë të veçantë që ky ideal të jetë sa më gjithëprfshirës dhe të mos preket nga askush. Ky ilustrim ka të bëjë me besimin tek Ju dhe tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju jeni garantë të Lirisë dhe të demokracisë në vendin tonë. Në qoftë se një popull i tërë i ka sytë tek Ju dhe beson tek Ju, justifikojeni ju lutem maksimalisht këtë besim në një moment delikat për demokracinë dhe të ardhmen e këtij vendi!

Njëzetë e ca vjet më parë unë kam qenë tërësisht i angazhuar për ndryshimin e sistemit, për përmbysjen e diktaturës aq shumë të urryer nga shqiptarët, dhe kam mbështetur mbërritjen e demokracisë në vendin tim që, për mirë apo për keq, u trupëzua në atë kohë me Partinë Demokratike dhe Kryetarin e saj Sali Berisha. Njëzet e ca vjet më vonë, sërish si gazetar, vërej me shqetësim ngërçin e tmerrshëm politik dhe mosrealizimin e aspiratës shqiptare për demokraci. Parandiej izolimin në rast se do të vazhdojë të na sundojë një regjim që manipulon votat e shqiptarëve dhe tallet me lirinë e tyre. Vërej me shqetësim uzurpimin e të gjitha pushteteve nga një dorë e vetme që ne shqiptarëve na kujton diktaturën.

Parandiej ngjarje të hidhura si ato të majit 1996 dhe trazirave të vitit 1997. Ne duam që ato histori të hidhura të mos përsëriten kurrë më! Ndërhyrja në KQZ pardje ishte si të thuash pika që bëri të derdhet kupa e mbushur e mëkateve të regjimit aktual, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së, por me një shenjë serioze të manipulimit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ju e pikasët këtë shenjë. Ne nuk i dimë bisedat që ju kini bërë me Kryeministrin Berisha dhe me Kryeparlamentaren Topalli. Ne pamë reagimin tuaj, pasi kishim lexuar më parë deklaratat Tuaja konsekuente dhe thuajse e kuptuam atë që kini biseduar.

Prandaj dhe në mënyrë figurative po Ju themi: Mos e lëshoni atë çomange apo atë shkop nga dora! Për të mirën e popullit shqiptar që Ju do aq shumë, por edhe për imazhin e Shteteve të Bashkuara!

Jep dorëheqjen nënkryetari i KQZ-së, priten dorëheqje të tjera

Në deklaratën e dorëheqjen Denar Biba flet për shkeljen flagrante të Kushtetutës dhe ndërhyrje të rëndë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Erion Habilaj

Dorëhiqet nga posti i nënkryetarit dhe anëtarit të KQZ, Denar Biba, i propozuar në këtë institucion të administrimit të zgjedhjeve nga PS. Dorëheqja e tij është protokolluar rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme në sekretarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vjen menjëherë pas shkarkimit nga detyra të anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho, me votat e mazhorancës në seancën maratonë prej 12 orësh në Kuvend.

Dorëheqja

Denar Biba e nis tekstin e dorëheqjes së tij duke e vlerësuar shkarkimin e Ilirjan Muhos si një akt jashtëzakonisht të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. “Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura!” thekson Biba. Me këtë vendim të mazhorancës në Kuvend, Biba vlerëson se “antarët e KQZ u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional”.

Pikërisht ky votim në Kuvend sipas Bibës, e ka detyruar atë të japë dorëheqjen. “Në rrethana kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve.” deklaron Biba. Denar Biba e mbyll deklaratën e tij të dorëheqjes duke theksuar se forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet!

Burime për ‘DITA”-n thanë se me të njëjtin argument, priten edhe dorëheqje të tjera nga KQZ gjatë ditës së sotme.