TemA, 13 Prill 2013
Gazeta e madhe amerikane Washington Post ka publikuar një reportazh të përgatitur nga AP në lidhje me përmbytjet në Nënshkodër.
Në shkrim thuhet se fshatarëve po u sos durimi për shkak se kanë më shumë se një muaj nën ujë.
“Ata marrin miliona euro duke shitur energjinë e prodhuar nga uji që shihni në oborrin tim,” thotë Hil Gjocaj nga fshati Obot. “Por asnjë cent nga këto para nuk ka ardhur këtu për të më mbrojtur mua dhe biznesin tim nga uji,” shton ai.
Rreth 1 mijë euro që i ka investuar për sera kanë shkuar dëm.
6 mijë hektarë tokë dhe më shumë se 700 shtëpi janë përmbytur në Shkodër.
Fshatarët akuzojnë autoritetet e energjetikës se kanë grumbulluar qëllimisht ujë me shumicë në diga në verë dhe reshjet e dimrit i kanë kapur në surprizë.
“Nuk ka pasur kurrë përmbytje në pranverë,” thotë 83- vjeçari Pjetër Gjocaj. “Unë dhe gruaja ime jemi burgosur në shtëpi prej një muaji”.
“Përmbytjet erdhën kur ishim duke prerë barin. Shumë bagëti gati sa nuk ngordhën,” thotë Denard Franja, një fermer. “Autoritetet na kanë kompensuar vetëm për përmbytjen e parë në vitin 2010. Kësaj here nuk u dukën fare”./ep