Mbret për 24 orë

0
75

Nga Lorenc Vangjeli*, 13 Prill 2013

Ka një lloj konsensusi për atë çfarë i solli Britanisë së Madhe Margaret Thatcher: një histori suksesi. E kanë dashur dhe urryer, por gjithsesi, më shumë e kanë dashur. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për politikanë të tjerë të këtij kalibri, si Çurçilli po në Britaninë e Madhe, gjenerali De Gol në Francë apo Helmut Kohl në Gjermaninë, fillimisht të ndarë e pastaj të bashkuar edhe falë vizionit të tij. Janë personazhe të mëdhenj që kanë ndikuar fort në epokat e tyre, të pushtetshëm, të duartrokitur, nën shkëlqim dhe më pas, edhe në harrim gradual. Deri në ditën e vdekjes, kur edhe për ta, nisin të bëhen ca llogari, fillojnë të dëshmohen kontrastet mes të bardhës dhe të zezës që kanë afruar.

Por kaq. Zonja Thatcher, edhe në qytetin e saj të vogël të lindjes nuk ka një statujë, edhe pse shumëkush do ta dëshironte pak bronz për të. Por në Ishull janë shumë të dyzuar për çmimin që duhet të paguajë individi për bronzin vetjak. Dhe zanati i politikanit nuk ngjan të jetë i përshtatshëm për ta merituar një gjë të tillë; bronzi për një politikan është shumë i shtrenjtë, është kryesisht kurth. Dritëhijet e pashmangshme të karrierës së tij e pamundësojnë një gjë të tillë. Hierarkia e vërtetë, vendi dhe roli i një individi në shoqëri, mund të saktësohet vetëm mbas vdekjes, atëherë kur ai nuk mund të ndërhyjë më në të shkuarën e tij, nuk mund të qortojë apo bëjë ndryshe çfarë ka bërë në ngjallje.

Zakonisht krahasimet që bëhen me dynjanë e madhe këtej nga Shqipëria e vogël çalojnë si këmbët e një shumëkëmbëshi të shkelur. Deri përpara viteve 90’, hierarkia në Shqipëri ishte përgjithësisht e paracaktuar. Nderoheshin artistët, sportistët, shkrimtarët, mjekët, mësuesit, funksionarë të dikastereve të ndryshme. Shiheshin si qenie të veçanta banorët e Bllokut, kamionistët që udhëtonin jashtë shtetit ose ata që kishin studiuar jashtë. Këto “atribute” shërbenin si një pasaportë që garantonte hierarkinë në shoqëri. “Politikanët” e kohës ishin një specie e rrallë, që jo rrallë herë, më shumë se objekt nderimi, ishin target talljeje dhe personazhe anekdotash. Njëlloj si policët e asaj kohe dhe si policët e të gjitha kohërave në të gjithë botën. Mbas viteve 90’, për shembull, statusi i policëve ndryshoi në mënyrë dramatike.

Ata u bënë të respektuar sepse uniforma ju jepte jo thjesht pushtet dhe i identifikonte nga të tjerët, por sepse për hir të saj, ata nisën të fitojnë shumë më shumë para sesa firmosnin në bordero. Edhe pse jo të gjithë, gjithkush nën atë uniformë e kishte këtë mundësi. Raportet e hierarkisë në vend nisën të përmbysen dhe një shkrimtar, fjala vjen, bëhej gjithmonë e më i panjohur. Një artist po ashtu, kurse një “guximtar”, pronar i një skafi që çonte refugjatë në Itali, u shndërrua në njeri, para të cilit duhej hequr kapelja.

Për shkak të parave që fitonte, makinave apo varëseve të arta si zinxhirë skllavi në qafë. Në fakt, ajo lloj varëseje ishte status. Ishte karta e dukshme e kreditit që tregonte se çfarë shume kishte në xhep. Me kalimin e kohës, profesioni më “seksi” në Tiranë u bë politikani. Ekranet e televizioneve, rojet nga pas, diferenca mes tij dhe shoqërisë në xhep dhe në mundësi, krijuan një klasë të re shoqërore, shpesh të vetëmbushur me veten, e cila nuk i bindej të njëjtave rregullave, gjykimi apo perceptimi si pjesa tjetër e shoqërisë.

Shembulli klasik është Sali Berisha. Në këtë muzg të karrierës së tij fantastike në nivel personal, ndonjë mbrëmje, në vetmi, ai mund të bëjë një llogari vetjake nga e cila nuk do të dalë keq. I lindur i varfër, më i varfër se shumëkush në Shqipërinë tmerrësisht të varfër të komunizmit, ai la pas një kullë që edhe e re do të quhej e pabanueshme sipas koncepteve normale të jetesës. Konvikti i shkollës së mesme mjekësore në Tiranë, do t’i jetë dukur parajsë në krahasim me çfarë la pas në Tropojë, por ishte ferr në krahasim me pallatin klasik komunist në Brrakë ku u strehua si mjek i ri.

Ferr do t’i jetë dukur dhe ai apartament kur e krahasonte me vilat pa shije të Bllokut kur hynte në to si mjek, por edhe si mik i banorëve të tyre të “famshëm”. Në thelb, Sali Berisha dhe gjithë çfarë i ndodhi pas, ishte as më pak dhe as më shumë sesa sendërtimi i ëndrrës së çdo shqiptari: “Më bëni mbret 24 orë, pa e di unë se çfarë bëj”! 24 orët e ëndrrës, Berishës ju shndërruan në vite. Falë politikës.

Dhe falë politikës, një nga trashëgimtarët e kullës së gurtë në Tropojën e largët, prej vitesh e ka trajtuar gjithë Shqipërinë, por edhe të mirën e të keqen, të drejtën dhe të shtrembrën, moralin dhe amoralitetin, si pronë të tij. Sot, megjithatë, kur basti i tij i madh nuk është 23 qershori, por historia dhe vendin që do të zërë nesër në të, ai nuk mund të presë një fat më të mirë. Mund të gjendet një copë bronz nga dashnorët e tij të shumtë për statujë, por do t’ia thërrmojnë urryesit e tij të pafundmë. Mund të ndodhë edhe kështu.

Por, kur bronzi i kursehet zonjës Thatcher, edhe Berisha, e jo vetëm ai, duhet t’i bëjnë llogaritë ndryshe! Me ngut. Në Shqipëri harresa ka status të shpejtë. Ka pasur dhe burra të tjerë që janë adhuruar dhe më pas, janë lënë në vetmi e në tallje. Profesioni i politikanit në këtë vend, afron vetëm interes dhe dashuri interesi. Zakonisht mbas mbetet vetëm harresa, tallja dhe urrejtja. Kjo është drama e vërtetë e mbretërve për 24 orë ose 24 vjet. Kjo është drama mbretit tonë lakuriq në këtë prag qershori.

Java