Analiza, Nga Redan Bushati, 14 Prill 2013
Që të bëheni dikushi në Shqipëri, ku halleve a problemeve, netëve pa gjumë që vijnë nga e keqja dhe varfëria, rrojtja me mund e sakrifica, pra që gjithë këtyre të ligave t’u thoni njëherë e mirë “lamtumirë” a “mirupafshim”, duke u vënë kapakun përsipër, ju vlejnë disa këshilla miqësore, por edhe mjaft të vyera sipas gjykimit tim.
Nëse keni shije, pasione apo afekte të veçanta për një drejtim të caktuar, ndryshoni kurs, pasi s’ka garanci se do të bëheni dikushi, të jetoni pa brenga e shqetësime. Që të bëheni jurist, mjek, ekonomist, punonjës social, marangoz, mekanik etj. i zoti duhet kohë, punë, por edhe sakrifica të mëdha.
Dhe në fund asgjë nuk është e garantuar, do të bëheni dikushi apo jo dhe do të rroni qetë-qetë. Pra, nëse keni pasione dhe jeni të prirur për një fushë të caktuar, ndryshoni kah, POLITIKA është për JU. Mos prisni, por merruni menjëherë me të!
Sigurisht, pasi të futeni në politikë, ju duhet të dini si të ecni, përndryshe do të dilni të gjakosur e të gjymtuar prej saj. Jo vetëm kaq, por do të vuani sa më s’ka. Kësisoj ju vlejnë disa këshilla se si të silleni në politikë, pasi jeni futur në radhët e saj.
Fillimisht mos u gruponi në klane. Çdo parti brenda vetvetes ka grupe të caktuara interesi. Ju mos u poziciononi në asnjë prej grupimeve, së paku publikisht apo ashiqare. Mbajeni mirë me të gjithë, u buzëqeshni secilit dhe mos përkrahni e mbështesni mendimet e ndryshme të grupacioneve brenda partisë.
Ju duhet të keni një njeri si udhërrëfyes. Me të lidhuni dhe servilosuni skajshmërisht. Ai do të bëhet shpëtimi e garancia juaj. Ju jeni i klanit të tij, por bini dakord me të, siç u thashë pak më sipër, të mos dukeni në publik se jeni me sojin e tij.
Çdo gjë që ju thotë “ylli udhërrëfyes” i juaji është sikur t’jua thoshte vetë Zoti (më ndje o Krijues i Gjithësisë për këtë blasfemi, por duhet t’u mësoj ca gjëra, ku paçka se bëhen të pacipë, së paku ikun nga viktimizimi që u sjell varfëria, stresi, shqetësimi etj).
Çdo gjë që nxjerrë nga goja “udhërrëfyesi i jetës” suaj merreni jo vetëm të mirëqenë, por edhe përsëriteni vazhdimisht, pasi çka nxjerrë nga goja “shpëtimtari” janë perla dhe xhevahire shumë të çmuara.
Në çdo mashtrim, vjedhje, grabitje të popullit, krim apo çdo të zezë të partisë suaj, ju duhet të bëni simahorin më të përkryer. Ta dini se ju jeni “Mbroja Hyjnore” për përfaqësimin tuaj politik. M… është mjaltë për ju – këtë ta keni gjithherë të skalitur në mendje e shpirt.
Nëse largqoftë ju ftojnë në debate politike, s’duhet të shkoni kurrsesi pa lejen e partisë dhe shpëtimtarit tuaj, pra njeriut që ju udhëzon dhe ju ndihmon më së shumti. Nëse vendoset që ju të shkoni, atëherë duhet të mësoni si një robot gjithçka ju këshillojnë (për ndihmë mund t’iu vijnë ca radhë nga F.Konica, pjesa “‘Robotët’ ose Njerëzit-Makina” te vepra “Shqipëria si m’u duk”).
Pyesni vetëm nga klani i udhërrëfyesit tuaj se si duhet të silleni, çka duhet të thoni e shumë e shumë të tjera, në mënyrë që performanca juaj të jetë e arrirë dhe të imitoni gjithçka përsosurisht.
Si arrivistë të paskrupull, e udhës është që ju të dini të gjitha pyetjet para se të shkoni në emision. Vetëm kështu do të ruheni, pasi jeni përgatitur nga stofi juaj, dhe do të arrini një sukses përpara subjektit tuaj politik. Asnjëherë mos mendoni se duhet të paraqiteni për popullin sa më të drejtë, fisnik apo të pranueshëm.
E gjithë problemi është të jeni në rregull me partinë. Ashtu ju do ajo, ashtu duhet të silleni ju. Përndryshe do të mbeteni në klasë. Nëse tregoheni lapërdharë në sytë e publikut, kjo s’ka aspak rëndësi. Partia është mbi të gjitha. Nëse ajo është e kënaqur me ju, atëherë jeni plotësisht në rregull.
Gjatë fushatës politike duhet të merreni me të gjitha punët që ju ngarkon partia. Mos harroni se ato që dje kanë ngjitur postera, sot janë bërë drejtorë, kuvendarë deri ministra! Ndaj, mos keni fare turp. Përmes afisheve, banderolave, çirrmave dhe lajthitjeve të tjera tuajat do të arrini një ditë, shumë shpejt, aty ku bollëkut do t’i thoni “mashalla”.
Kjo është tejet e rëndësishme: nëse jeni njëfarëlloj intelektuali, keni pakëz kulturë, mbani një emër të mirë familjar, por edhe personal, keni mbështetje dhe rezultate pozitive në shkollë, atëherë pa humbur kohë duhet të “zhvisheni” nga i gjithë ky “mallkim”.
Medoemos duhet të tregoheni debílë, budallenj, idiotë dhe injorantë me zile. Ç’ju kushton vallë të bëni gjasme si të tillë, kur përpara ju pret një e ardhme fort e ndritur?! Ta dini se intelektualin nuk e do askush. Mendojeni pakëz! Në një shoqëri ku antivlera prezantohet si vlerë e jashtëzakonshme, ku háleja bëhet drejtor apo drejtoreshë, çvend zë njeriu me intelekt? Pra, bëhuni çapaçulë në qoftë se doni të arrini te suksesi i pritshëm.
Me kalimin e kohës, pas çapitjeve të para, duhet të tregoheni çaraveshanë. Në politikë nuk ekziston morali. E ç’moral thoni o lumëmëdhenj! Duhet të besoni çapaqorrazi veç tek shërbimi ndaj llojit tuaj. Të shthurur siç jeni, servilë të denjë, kallamlëpirës të rrallë, puthadorë e sejmenë të hatashëm, pas pak kohe do të fitoni besimin e partisë, e cila do t’ju ngarkoj me një detyrë të veçantë. Do t’ju emëroj diku, në një pozicion të volitshëm.
Pasi të merrni postin e lakmueshëm, mos u tregoni krejt të pashpirtshëm.
Në njërin krah punoni për veten, pra vidhni sa të mundni se koha e pushtetit është e shkurtër dhe në krahun tjetër shërbejini partisë me militantë të rinj, me lajka të tjera dhe mbështetje të vazhdueshme. Gjatë kohës së mbajtjes së pozicionit tuaj, ndërtoni lidhje me qendrën, pra nëse jeni një copë drejtori i thjeshtë krijoni lidhje të vazhdueshme me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme, apo akoma më mirë me vetë ministrin e linjës. Kështu do të qëndroni më gjatë në dikasterin ku jeni.
Tani jeni futur në lojë, prandaj luani lojën tuaj. Shërbeni dhe ju shërbejnë. Fitoni me grushta, merreni shumicën për vete dhe çka të teprojnë për militantët, pasi këta të fundit do t’iu duhen në zgjedhjet e mëpasme. Deri këtu ju keni krijuar profilin tuaj, i cili me këtë ritëm do të shpërblehet së paku me ndonjë vend në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe sikur kaq, besoj se keni boll. Mos harroni!
Tanimë varfërinë se njihni më, skamja është fjalë e huaj për ju, ndërsa lumturia dhe luksi janë pronë e juaja. Polici, gjykatësi, prokurori apo çdo segment shtetëror janë në shërbimin tuaj. Ju jeni salemboza, të tjerët tashmë janë levantinë e tu. Bëfsh qejf! Se tashmë që t’i krihesh, Shqipëria po digjet.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)