
Nga “Faktori Plus”
Qeveria shqiptare ka nisur një vit të ri me lajme të këqija në të gjitha drejtimet. Përveç humbjes së kontrollit mbi situatën në Veri të vendit, dhe përgjegjësitë që ka për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë së qindra mijëra banorëve, qeveria shqiptare po shënon rekorde të reja ndërkombëtare, sa i përket përkeqësimit të standardit të lirive dhe standardeve të qeverisjes. Komentet e Freedom House, organizatës më prestigjioze në botë që vlerëson indeksin e lirisë, tregojnë qartë se Shqipëria hyn te lista e vendeve problematike, e cila është e vetmja në rajon që nuk ka bërë asnjë përparim përkundrazi ka shënuar hapa mbrapa sa i përket korrupsionit, lirisë së medies dhe standardeve të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Raporti ka përshkruar faktin që kryeministri Sali Berisha ka marrë në mbrojtje zyrtarë të korruptuar siç është rasti i Fatmir Mediut dhe ky është një identitet turpërues për një shoqëri demokratike.
Po ashtu lajme dyshuese vijnë nga Evropa lidhur me shanset e liberalizmit të vizave. Megjithëse shqiptarët, tani që flasim, duhet të ishin të lirë të lëviznin ashtu si malazezët, serbët apo maqedonasit, deklarata e Kancelares Merkel duket se lë vend për dyshime nëse Shqipëria do të arrijë t’i përmbushë këto kushte, te kufiri që ka vendosur Bashkimi Evropian për korrikun e vitit 2010.
Ky përkeqësim në të gjitha drejtimet, në standardet e qeverisjes, në liritë njerëzore dhe funksionimin e institucioneve si dhe në humbjen e standardeve demokratike, është një kosto për qytetarët shqiptarë. Po t’i shtosh këtij bilanci dhe faktin që qeveria po nis një vit të vështirë ekonomik, me një bilanc të mbartur për pagat e papaguara të dhjetorit dhe me një faturë të shtrenjtë financiare për shkak të drejtimit joprofesional në menaxhimin e krizës së kaskadës së Drinit, do të duhen shumë energji pozitive që situata të kthehet në normalitet. Në këto kushte qeveria duhet të përcaktojë prioritetet e saj për të dalë nga kjo situatë, dhe këto prioritete nuk duhet të jenë propagandistike si mbledhja e qeverisë në Shkodër. Qeveria ka kuptim të mblidhet në Shkodër kur ajo është vërtetë në Shkodër në krye të punëve dhe nuk ka kohë të kthehet në Tiranë. Në fakt qeveria ka aq shumë kohë, dhe është aq qesharake në këtë nismë, sa harxhon dhe tri orë rrugë për të shkuar e ardhur në Shkodër vetëm që të shfaqet nëpër TV që është pranë vatrës së krizës.
Me këtë qasje ndaj krizave që i janë grumbulluar këtë fillim viti, kjo qeveri nuk ka fuqinë e duhur të stabilizojë gjendjen. Nëse gjithë energjitë e saj do të vazhdojnë të harxhohen vetëm për të sulmuar opozitën dhe për të gënjyer qytetarët, kjo nuk funksionon, pasi betejat që ka përpara qeveria, i ka me problemet që i ka krijuar vetë dhe jo me problemet që ende nuk ia kanë krijuar as qytetarët dhe as opozita. Qeveria ka probleme me standardet e lirisë që i ka përkeqësuar vetë, me lirinë e medies që e ka prodhuar vetë, me pavarësinë e gjyqësorit që i ka prodhuar vetë, me humbjen e shansit për liberalizimin e vizave që e ka prodhuar vetë, me krizën ekonomike që e ka prodhuar vetë dhe me përmbytjen që e bëri me dorë të saj. Kjo është një agjendë problemesh ku nuk është përfshirë ende kriza me opozitën dhe raportet e saj me qytetarët. Kur të përfshihen dhe ata, do të jetë problem tjetër.







