Nga Mero Baze, 6 Prill 2013
Nëse deri më sot ankoheshim se sistemi ynë elektoral ngushton diferencat reale mes blloqeve politike dhe i jep avantazhe forcës së dytë politike në vend, me aleancën PS –LSI tre muaj para zgjedhjeve, kemi një produkt të ri edhe më të keq: ky sistem bën të panevojshme dhe zgjedhjet. Nga mënyra se si Partia Socialiste arsyeton aleancën me LSI, dhe nga ofensiva e “pragmatistëve” kundër “moralistëve” që flasin për një nevojë të ikjes së Berishës me çdo çmim, ne kemi prodhuar një precedent të rrezikshëm në historinë tonë politike, ku rotacioni mund të prodhohet nga vendimi i dy liderëve dhe jo nga populli.
Aktualisht shqiptarët kur dalin në votime, pyeten vetëm nëse janë dakord me listën e Berishës apo Ramës, dhe pasi i përgjigjen kësaj pyetje, ata i janë përgjigjur njëkohësisht pyetjes kush është kryeministër, kush është president, kush është kryetar parlamenti, kush është kryetar i Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i SHISH, etj. Pra, në mënyrë të paprecedent, ky sistem elektoral si në asnjë vend tjetër të botës, privon qytetarët të shprehen për më shumë se sa një pushtet, fjala vjen të shprehen edhe për presidentin, edhe për kryeministrin, dhe të kenë mundësi po ashtu të bashkojnë vullnetet për pushtetin gjyqësor. Pra, aktualisht kemi një sistem që shqiptarët ia delegojnë me vetëdije pushtetin një njeriu.
Me precedentin LSI- PS, shqiptarëve u ikën dhe kjo e drejtë, pasi nuk e ka më pushtetin as ai që e kanë votuar, por një patericë e tij që ndryshon partner, por jo karrigen e pushtetit.
Katër vjet më parë, kur Ilir Meta hyri në grevë urie kundër kodit të ri elektoral, ne që e mbështesnim atë, kishim keqkuptimin se ai po penalizohej nga ky kod. Në të vërtetë katër vjet më pas ne shikojmë se ky kod është aq i keq, sa persekuton hartuesit e tij duke privilegjuar viktimën e menduar të kodit. Falë këtij kodi, një parti si e Ilir Metës mund të rrijë gjithë jetën në pushtet, pavarësisht se për kë votojnë shqiptarët, duke detyruar partnerët e tij të shkatërrojnë çdo kauzë të tyre për hir të pushtetit.
Për këtë arsye, debati i ri që rihap kjo aleancë për formatimin e opozitës, kërkon një arsye më të gjerë se sa programet partiake, që sot duken qesharake, apo zotimet për institucionet. Është qesharake që tashmë Meta të mbrojë taksën e sheshtë dhe Rama taksën progresive, Meta të flasë për sistemin e shëndetësisë të modelit Tavo, ndërsa Rama për modelin e tij që do shembë modelin Tavo- Vasili, është qesharake që Ilir Meta të mbrojë gjëmat e Ministrisë së Ekonomisë, dhe Rama të flasë për reforma në koncesione, privatizime dhe transparencë të tyre. Ta harrojmë këtë histori dhe të biem dakord që dështuam.
I vetmi motiv për një shumicë të re, përfshi dhe “qelbësirat” brenda saj, është një aleancë për ndryshime kushtetuese dhe rikthim të Shqipërisë në normalitet.
Kjo nënkupton që nëse duhet të riformatohet opozita pas 1 prillit dhe të ribashkohen nën një kauzë të re, dhe e vetmja kauzë që më duket se ka kuptim është një projekt i qartë për ndryshime kushtetuese lidhur me Presidentin e Republikës, ndarjen e pushteteve dhe sistemin elektoral. Rikthimi i Shqipërisë në normalitet përmes një sistemi që e garanton këtë, mund të tejkalojë ndasitë opozitare dhe shijen e hidhur që lënë akrobacitë politike për pushtet. Nëse opozita ia arrin të bëjë një pakt zyrtar për këtë para zgjedhjeve, ky duket se mund të jetë një motiv që mund të mbajë në këmbë ngrehinën e bashkëpunimit politik, për t’ua heq nga duart Shqipërinë dy vetëve që mund t’i ulë në tavolinë një mafioz për interesa të veta dhe të bëjë këtë vend çiflig të tij.
Argumenti se këta që po “bëjnë moral” janë njerëz të Berishës, është fyes, por tek- tuk mund të ketë dhe prej tyre, por unë që kam pasur nevojë të shikoj dikë përballë Berishës këto 7 vite, nuk kam parë askënd përballë Berishës prej këtyre “pragmatistëve” që po na bëjnë gjyq. Përkundrazi, i kam parë krah Berishës, duke marrë tenderë, reklama, koncesione ose duke bashkëpunuar si “konstruktivë” me të.
Ideja se duhet të ikë Berisha me çdo çmim, nuk është motivuese, pasi Berisha rrëmbeu gjithçka nga lehtësia që i dhanë ndryshimet kushtuese dhe paterica e LSI në pushtet. Që të mos mbetemi në dorë të Berishës, Metës dhe Ramës, dhe aq më keq, që të mos jemi viktima të darkave që mund të organizojë Nari, Koço apo Sandri, është më mirë t’i besojmë një Republike të re, e cila do të na japë më shumë garanci që do të kemi institucione dhe mundësi për të zgjedhur më shumë se sa një njeri në pushtet.
Kjo do të sfumonte së paku shijen e keqe të këtij “rotacioni” dhe do të rikthente shpresën për garë elektorale, për shtet ligjor dhe institucione të pavarura në vend. Ky pakt duhet të jetë i gjerë, qoftë dhe mes dy koalicioneve opozitare, biles dhe me parti të tjera brenda shumicës së Berishës nëse janë dakord. Duhet të tejkalohet ideja që na duhen vota vetëm sa për të ikur Berisha, por na duhen aq vota sa për ta çmontuar Berishën, i cili edhe në shtratin e pleqërisë në shtëpi, mund të komandojë shtetin me SMS. Një shumicë absolute për një Republikë të re, është i vetmi motiv që mund të përligjë një aleancë të gjerë politike mes koalicioneve opozitare, brenda një koalicioni, dhe të justifikojë nxjerrjen e pjesës gri të shoqërisë në zgjedhje më 23 qershor, e cila është neveritur nga pazaret e fundit. Ndryshe, ndëshkimi që mund të marrin “pragmatistët”, mund të jetë më i madh se ç’mendojnë.