KA ENDE NJERËZ QË BEZDISEN PREJ ANTI-BERISHIZMIT

0
47

MUSTAFA NANO, 5 Prill 2013

Mustafa NanoNë bisedën që u zhvillua mes gazetarësh në studion e Zhejit, si dje një javë më parë, pata një karfosje me Pekën, gazetarin që jemi mësuar ta shohim si moderator në talk-show-n e vet, por që kohët e fundit është shfaqur dhe si opinionist TV-je. Njerëzit e stafit të televizionit “News 24” e kishin zbardhur një copë këtu e një copë atje bisedën e zhvilluar, dhe disa të përditshme e kishin publikuar të plotë këtë version gjysmak. Nuk është se lexuesit e gazetave kanë humbur ndonjë gjë të madhe (ishte thjesht një shkëmbim batutash pa ndonjë përmbajtje kushedi se çfarë), por mua ai versioni “përtac” më sillej dhe si version i belbët, ku frazat ishin të gjymtuara e të palidhura me njëra-tjetrën, e ku mesazhet dilnin si mos më keq.

Por nuk është ky nënvizimi që më intereson, sido që e kisha merak ta thosha. Më intereson diçka tjetër. Mes të tjerash, Peka më tha se “unë jam kritik me Berishën, ngaqë Berisha nuk ma var siç ua var kolegëve të mi”. Nuk pretendoj se citimin mes thonjëzave e kam sjellë germë për germë, por thelbi i idesë së Pekës është pikërisht ky që del nga kjo frazë, që është një nga më banalët që më kanë dëgjuar veshët prej atyre kolegëve apo prej ca të tjerëve që kanë dashur të shpjegojnë në mënyrë idhnake anti-berishizmin tim (edhe në komentet e internautëve nuk gjen të tilla xhevahire).

Mos u trembni, megjithatë! Nuk kam ndërmend të ndalem te debati me Pekën. Dua të ndalem gjetkë, dua të ndalem te shpjegimi që i bëhet anti-berishizmit tim, të cilin një koleg tjetër, Alfred Lela, e quante në një shkrim të publikuar në “Mapon” e djeshme, “një epsh në dukje i pashërueshëm”, e “nganjëherë i pashpjegueshëm”. Ai kufizohej me këto etiketa, e nuk përpiqej t’i bënte ndonjë shpjegim anti-berishizmit tim; në shënimin e vet merrej me tjetër gjë; merrej me problemet që më hap mua aleanca e qelbësirave, e cila tani ka nevojë për marketing politik.

Po të ish menduar pak më gjatë, s’do duhej të kish hyrë në këto ujëra. Do të duhej ta dinte pra se nuk është zanati im marketingu. Atë ua kam lënë të tjerëve, që dinë ta bëjnë mirë. E nuk janë të paktë. Zanati im është kritika. S’do mend, edhe kritika ime ndaj berishizmit, të cilën ca e ca e shohin si fiksim timin, si epsh (!!!), si një gjë të pashpjegueshme, si makth, apo ku di unë.

Po shpjegohem, ndonëse e di që herë pas here do të kem nevojë të rishpjegohem. Gjërat lëvizin e ndryshojnë, dhe gjithmonë ndodh që çfarë është evidente për mua, nuk është e thënë të jenë evidente për të tjerët. Kaq gjë e kam mësuar mirë në këtë botë, dhe është kjo arsyeja që unë nuk tronditem që Peka, Lela etj., nuk shohin çfarë unë shoh, e nuk shqetësohen për çfarë unë shqetësohem. Kam mësuar pra në këtë botë që opinionet që ne shprehim e qëndrimet që ne mbajmë janë të diskutueshme, dhe shyqyr që e kam mësuar kaq gjë, pasi ndryshe as që do t’u jepja dorën, në mos do t’u futesha me grushte (po të kisha fuqi, kuptohet) atyre që s’bien dakord me qëndrimet e mia; shpresoj të mos e bëjnë këta të fundit me mua.

Megjithatë, edhe pse opinionet e qëndrimet janë me përkufizim të diskutueshëm, në debatin që bëjmë me njëri-tjetrin është mirë t’u mbahemi ca parimeve, vlerave apo të vërtetave të përbashkëta, gjë që do të na bëjë që herë pas here të kemi të njëjtat shqetësime. Është e mundur kjo gjë? Po, është, nëse ne besojmë të gjithë njësoj te, fjala vjen, transparenca e standardi etiko-moral në qeverisjen e vendit, demokracia, shteti i së drejtës etj. E duke pasur shqetësimin për këto të fundit si kriter të vlerësimit të politikanëve, të bëmave e “ideologjisë” së tyre, kam arritur të vë re fare kollaj që nuk ndahem me kritikët e mi lidhur me socialistët, me Edi Ramën, me Ilir Metën, me klasën politike në përgjithësi (me pak sfumatura të ndryshme, na puqen qëndrimet për të gjitha këto çështje); ndahem veç kur vjen puna te berishizmi, të cilin unë e shoh si problemin më të madh (bazuar te kriteret e mësipërme, gjithnjë), ndërsa kritikët e mi, edhe kur nuk e thonë, e shohin si të vetmen zgjidhje të problemeve që kemi. Siç shihet, hendeku është i madh, dhe i pambushëm, dhe ky hendek vjen prej formimeve të ndryshme politiko-kulturore.

Është një hendek që unë e kam vënë re në shumë rrethana. Më e para rrethanë që më vjen në mendje, teksa bëj arsyetime të tilla, është 21 janari i vitit 2011, kur në bulevard, ditën me diell e nën vështrimin e kamerave të pabesa televizive, u vranë nga Garda e Republikës katër vetë të pafajshëm, të parrezikshëm, të pambrojtur; u vranë pas një proteste të dhunshme, e të organizuar për të qenë e dhunshme (këtë nuk po e them tani për t’u dukur i balancuar; e kam thënë qysh në fillim); por u vranë me një logjikë banditeske, në fillim me synimin që vrasjet të shiteshin si vrasje të kryera nga vetë opozita, e më pas të motivuara si mbrojtje ndaj një grushti fantomatik shteti të planifikuar në detaje butaforike, deri te pajisja e protestuesve me thika me helm, me stilolapsa-pistoletë, me çadra-automatikë etj.

Tani, disa kritikë që në atë rrethanë nuk thanë qoftë dhe një fjalë qortuese për vrasësit e urdhëruesit e tyre, kanë zënë të shtrojnë pyetjen: Ç’do të bëhet me 21 janarin pas aleancës Rama-Meta? Personalisht, nuk e di. Nuk do ta dija, në fakt, edhe sikur PS-ja t’i fitonte e vetme zgjedhjet përballë Metës e Berishës. Nuk do ta dija, pasi, së pari 21 janari është një problem i sistemit të drejtësisë, dhe ky sistem ka dhënë shenja se vuan rëndë, shumë rëndë, nga korrupsioni, dhe së dyti jam i sigurt se Rama 21 janarin e ka në plan të dytë; në plan të parë ka pushtetin, pushtetin, pushtetin. Po unë? Unë vetë do të kërkoj vazhdimisht që drejtësia të flasë ashtu si duhet lidhur me atë ngjarje, dhe nuk besoj se ndokush mund ta vërë në dyshim këtë gjë.

21 janari është për mua momenti që ndan botën më dysh, por duhet thënë se berishizmi ka ekzistuar përpara se të vinte 21 janari; nuk është 21 janari që e bëri berishizmin; është berishizmi që e bëri 21 janarin. Dhe berishizmin mund ta shihje edhe para, edhe pas 21 janarit në përpjekjen e pamaskuar dhe harbute për të marrë nën hyqëm tërë vendin, për të shtënë në dorë të gjithë ngrehinën shtetërore, të gjithë administratën, të gjitha institucionet, të gjitha pushtetet, aq sa erdhi një moment kur Berisha mund të thosh pa frikë se “l’état, c’est moi”.

Është Rama po kaq rrezikzi? Unë besoj se jo, s’ka gjë se në terma të korrupsionit nuk vë re asnjë ndryshim mes tyre. Por edhe në më daltë ndryshe, unë do të jem këtu për të bërë gazetarin kritik ndaj qeverisë. Dhe të tjerët, nëse s’kanë punë tjetër, le të më ndjekin se si “i kam kapur armët kundër qelbësirave” e le t’më këqyrin “djersët që do të më kullojnë” po njësoj (frazat në thonjëza janë të Lelës).