Në emër të moralit

0
34

Analiza – Nga GENCI KOJDHELI, 05 Prill 2013

Nëse ka një epitet që është përmendur me tepricë tejet inflacioniste këto ditë ndër komentuesit e politikës shqiptare apo dhe mbështetësit e të gjitha forcave politike, ai është “i pamoralshëm”, që ka qënë pak a shumë përshkrimi i koalicionit të porsandodhur mes PS-së e LSI-së. Për ta bërë të qartë qysh prej fillimit, unë personalisht nuk kam qënë një mbështetës entuziast i koalicionit, por pozicionimi im është i parëndësishëm për debatin në fjalë.

Kjo sepse të flasësh për moralin e politikës shqiptare sikur ai të ekzistonte si një entitet i mirëpërcaktuar, i ngurtë dhe i bazuar në themele po aq solide e të palëvizshme të kastës politike është minimalisht një mangësi logjike, por edhe një amnezi e vullnetshme për sa i takon ngjarjeve që politika shqiptare ka përjetuar në këto 22 vitet e fundit.

Në një përqasje dialektike, morali i një shoqërie përfaqëson një kod të cilin pjesëtarët e saj e pranojnë dhe e përdorin si sistem reference për veprimet e tyre. Rrjedhimisht, edhe politika dhe politikanët (të dala prej kësaj shoqërie) duhet të reflektojnë në qasjet dhe veprimet e tyre të tillë kod moral.

Dhe teksa bëjnë moralistët politikë, duhet të mbajnë përherë parasysh sa e sa politikanë e parti makiaveliste janë valëvitur andej nga ka fryrë era e interesit afatshkurtër e afatmesëm (të cilat me siguri këta moralistëpolitikë nuk i kanë fshikulluar, në mos i kanë justifikuar); kanë krijuar aleanca e koalicione duke shkelur mbi pseudoparime e pseudoideologji dhe mbi besimin e vullnetin e elektoratit; kanë pështyrë për vite me rradhë e pastaj kanë ngrënë po në të njëjtin vend; kanë mohuar atë që kanë pohuar – me bekimin e moralistëve – e kanë pohuar – me po të njëjtin bekim – atë që kanë mohuar, (votëbesimi për Qeverinë dje nga Kuvend nga deputetë socialist p.sh), për të kuptuar se edhe nëse ekziston një ‘moral’ i politikës shqiptare, ai është tepër i vagët, në mos inekzistent, për t’iu referuar me qetësi akademike.

Ajo që mund të njohim e të pranojmë është vetëm se moraliteti i politikës shqiptare ka evoluar në mënyrë të njëtrajtshme me shoqërinë, dhe se ai s’bën asgjë më tepër se reflekton qëndrimet, dëshirat, vullnetet dhe përfundimisht kodin etiko-moral të kësaj shoqërie.

Ndërkaq, ekziston një pritshmëri jorealiste dhe gati akuzuese se Partia Socialiste duhet të jetë kalorësi i moralitetit në politikën shqiptare dhe t’i avitet betejave politike dhe elektorale e vetme, e panjollosur dhe e padamkosur (sigurisht sipas kutit te moralit te moralistëve politikë), ndërsa të gjitha forcave të tjera politike u lejohet të zhyten lirshëm (sa herë të duan, në mos gjithë kohën) në batakun e imoralitetit, të manipulojnë e të vjedhin zgjedhjet, të uzurpojnë e abuzojnë pushtet, të shiten e të blihen, tërësisht të pakompleksuara e të pashqetësuara, por njëherazi të votuara, të brohoritura e të mbështetura nga shqiptarë porsi ata që votojnë PS-në.

Askush nuk di të japë qoftë edhe vetëm një arsye të mirë se përse trumpetuesja e moralitetit politik duhet të mbetet ekzkluzivisht PS-ja, edhe pse pasojë e të tillë qëndrimi ka qënë mbetja e saj në opozitë. Një fakt i panegociueshëm që kritizerët e paktit PS – LSI duket se preferojnë të anashkalojnë është se moraliteti i një force politike nuk mund të ekzistojë apo të konsiderohet si i pavarur e i veçuar prej synimeve e programeve të saj, të cilat mund të përmbushen vetëm nëse kjo forcë merr pushtetin politik.

Dhe sot, pas 8 vitesh opozitë ndaj Berishës, qëllimi përfundimtar (dhe absolutisht i moralshëm) i Partisë Socialiste është që ta heqë atë nga pushteti, dhe në një pikëpamje tërësisht utilitare ato që kanë rëndësi tek moraliteti politik i Partisë Socialiste janë pasojat dhe rezultatet e veprimeve, ndërsa mjetet dhe veprimet në vetvete janë dytësore.

Analiza e vërtetë e moralitetit të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës do mund dhe duhet të bëhet vetëm kur kjo forcë politike dhe kryetari i saj të përballen me sfidën e vërtetë njëherazi morale dhe faktike, që është qeverisja e vendit dhe kthimi në realitet i programit elektoral që PS ka parashtruar tek shqiptarët. Politika mbetet mision dhe misioni i saj është mirëqeverisja e qytetarëve.

Ky është i vetmi moral të cilin Partia Socialiste e dëshmon dita-ditës në detaj nëpërmjet programit të saj. Çdo përsiatje paraprake dhe tentativë për të barazuar ‘imoralitetin’ hipotetik të Partisë Socialiste me atë faktik të Partisë Demokratike dhe Berishës do ishte thjesht dëshpëruese dhe një lexim tejet sipërfaqësor i realitetit politik të vendit, cili sigurisht nuk është krijuar prej qëndrimeve morale të partive deri më sot.

Duhet të kuptojmë më në fund se gjendemi në momentin kur mungesa e lëvizjes për të hequr qafe rrënuesin e përditshëm moral të shqiptarëve është shumë më e dëmshme se sa lëvizja vetë, qoftë ajo dhe amorale!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)