Doktori, masa të rrepta në “Javën e Preshit” në Lushnjë

0
59

TemA, 19 Janar 2012

Lajmi se Doktori do të shkojë të shtunën në Lushnjë, i ra si bomba Shehut. Situata ishte njësoj. Janar tani, janar atëherë, e shtuna e tretë e janarit tani, e shtuna e tretë atëherë, tension tani, tension atëherë, i prishur me të huajt tani, i prishur me të huajt atëherë…

I alarmuar e mori Doktorin në telefon.

-Doktor, Tani jam, Tani. Si je, si je, mirë, mirë, ç’kemi ndonjë gjë?

-Mirë Tritan, të përshëndes. Si është puna?

-Mirë, mirë, asgjë, asgjë, jo, kot mora, më thanë që do ikësh në Lushnjë më 21?

-Po Tritan, do shkoj. Duhet me e konsolidue si festë 21 Janarin. Asht mbledh Kongresi i Lushnjës…

-Dakord, dakord, mirë, mirë, shumë mirë, shumë mirë, s’ka problem, s’ka problem…

-A do të vish?

-Jo, jo, s’ka problem, s’ka problem, jo, jo, nuk vij, nuk vij. Mora kot sa për informacion.

-Ashtu, shumë mirë. Po, po, do shkoj, do shkoj patjetër. Kena marrë të gjitha masat, do jetë miting madhështor…

-Atë desha të them se janë maskarenj këta, atë desha të them.

-Jo Tritan, e kena mendu. Këta do bëjnë miting në Tiranë të shtunën. Gjithë socialistët e Lushnjës do jenë në Tiranë. Dhe ata të Fierit dhe Rrogozhinës. Kështu s’besj se do ketë problem.

-Dakord, dakord, shumë mirë, shumë mirë, ndaj pyeta, për merak. Aha, protesta, po, po, po, po, po, shumë mirë. Dakord, dakord, ke të drejtë. Do jenë në Tiranë ata. Dakord, dakord, se janë agresivë.

-E di, s’ka problem, i kemi marrë gjithë masat.

Tritani e përshëndeti dhe u qetësua.

“Si nuk më shkoi në mendje që është 21 Janari mitingu, në Tiranë, tha. E sigurt që s’ka rrezik.”

Por Doktorit ju zgjuan xixat pse mori Tritani dhe merr në telefon kryetarin e PD-së në Lushnjë.

-Ore, keni marrë masat se mos ka ndonjë incident të shtunën, i tha.

-Patjetër Doktor, i kemi marrë të gjitha. S’ka asnjë problem. Vetëm ky kryetari i Bashkisë po na saboton.

-Pse, ça bën ai, tha Berisha. Po organizon ndonjë atentat?

-Jo, jo, është njeri paqësor kështu, por po na provokon. Ne i kemi kërkuar të mbyllë tregun e fruta- perimeve të shtunën dhe një treg të madh fshatar që bëhet në fillim të qytetit, po ai nuk dëgjon.

-Po pse do ta mbyllni, lëreni, tha Berisha. Ça na bëjnë fshatarët? Ne mbështetjen kryesore e kemi në fshat.

-Jo Doktor, është rrezik i madh, tha. Gjithë problemi është si të bllokojmë dy ditë para, d.m.th nesër dhe pasnesër, tregun e fshatarëve që të mos shitet asnjë fije presh në Lushnjë. Gjithë plani i tyre është të shesin atë ditë presh, biles kam të dhëna që duan t’i falin. Ka ardhë porosi nga Edi Rama, na tha një socialist që preshtë të shtunën në Lushnjë të jepen falas për popullin dhe njerëzit të presin Saliun me presh në duar. Duan të përkujtojnë ngjarjen e Tritanit, i tha.

Berisha u bë serioz. “Ndaj ishte i shqetësuar Tani,” tha me vete dhe u xhindos.

-OK, dëgjo. Lidhu me shefin e policisë dhe mos lër asnjë fshatar të hyjë në qytet. Kontrolloni minimarketet që shesin fruta- perime dhe hiqni çdo presh nga kontrolli i cilësisë së ushqimit. Lidhuni me Rulin të dërgojë ekip kundër preshve. Le të shpikin se kanë një sëmundje. Të bllokohet nga Rrogozhina në Fier çdo kamion, furgon apo makinë që ka presh. Duhet me e ba. Jo, duan të fyejnë Kongresin e Lushnjës ata, po unë nuk i lejoj.

-Ke të drejtë Doktor, nuk i lëmë, nuk i lëmë. Ja tani jap urdhër. Asnjë fije presh asgjëkundi. Bie dhe ters në fakt. Dhe Tanit më 24 Janar i ndodhi. Java e parafundit ishte. Është shumë ters kjo javë në Lushnjë se dhe është vetëm preshi mall në shitje. Por do t’i bllokojmë, mos ki merak.

-Nuk dua asnjë, po asnjë të them. Plehra. Do të fyejnë Kongresin e Lushnjës me presh. Dhe kujdes se kam dëgjuar që mund të mbajnë tufa me lule në duar dhe të kenë presh brenda dhe sa të filloj mitingu të tundin preshin në ajër.

-Pa merak Doktor, do t’i shikojmë gjitha detajet. Mos u mërzit. Biles kam menduar të marrim njerëz nga Tirana në miting, që mos të dalë asnjë lushnjar. Do ta rregullojmë, një herë ha qeni petulla, s’e lëmë më këtë punë ne.