Nga: Kiço BLUSHI
Jashtë kontrollitFraza aq shumë e përdorur vitet e fundit: ky institucion “ka dalë jashtë kontrollit”, ose: ky person është “jashtë kontrollit” nuk vlen vetëm për kriminelët dhe pedofilët, për të fortët e lagjeve dhe “qëndrestarët” e plotfuqishëm të partive, por edhe për zona të tilla si Lazarati, – territor që formalisht gjendet brenda hartës së republikës, ku tashmë dihet se as policia dhe as ligjet e shtetit nuk funksionojnë, sigurisht jo vetëm për prodhimin e trafikimin e drogës…
Besoj se qytetarët, pavarësisht nga besimi fetar dhe ai partiak, zakonisht pasi e pësojnë në kurrizin e vet, arrijnë të kuptojnë mjaftueshmërisht se jashtë kontrollit kanë dalë edhe ilaçet e ushqimet, rrugët dhe lumenjtë, detet dhe tokat bujqësore, shkollat dhe spitalet, erozionet, përmbytjet, ndërtimet pa leje, pyjet nga zjarret dhe nga prerjet barbare, ndotja e mjedisit dhe ajo akustike, krimi dhe korrupsioni, kultura kombëtare, arsimimi dhe trashëgimia kulturore…
Për shkak se shteti dhe mënyra e qeverisjes prej vitesh nuk kanë dhënë garanci e siguri të mjaftueshme kundër këtij shkatërrimi, shpërbërjeje, degradimi dhe rrënimi, disa herë edhe përfundimtar në fushat e mësipërme, shumë ndër ne kanë zgjedhur, si të vetmin shpëtim rrugën e emigracionit, me motivin e kahershëm: “Të paktën të shpëtojmë fëmijët, se ne e hëngrëm çairin!”… Prandaj ne shqiptarët zëmë vend të parë në Evropë për emigracion, duke e nxjerrë edhe kombin dhe genin e tij “jashtë kontrolli”… Por edhe duke mbetur më të fundit në Evropë në proceset integruese dhe demokratizuese.
Afërmendsh, “dalja jashtë kontrollit” e së keqes dhe e mbrapshtisë në fushat e mësipërme (pa përmendur besimin e vakët të ndërsjellë dhe vlerat e cenuara të moralit), nuk i ngjason fatkeqësisë që e kaplon bujkun nga një breshër i papritur, apo nga një thatësirë e tejzgjatur… Se sidoqoftë, fshatari ka shpresë që vitin pasues do t’i kompensojë, me mund e me djersë humbjet e dëmtimet e vitit të kaluar… Ndërsa për rrënimet në shkallë kombëtare e ke të vështirë të mbash gjallë një të tillë shpresë, po qe se të mendosh se, pavarësisht se kush ka qënë në pushtet, dëmet, humbjet dhe shkatërrimet e kësollojta të pasurisë dhe mundësive të zhvillimit kombëtar e kanë pasur trajektoren për teposhtë…
Shumë shqiptarë ia hedhin fajin fatit dhe destinit, mendësisë sonë problematike si popull, mungesës së kulturës demokratike, traditës dhe deformimit që i bëri diktatura “njeriut të ri”, paaftësisë tradicionale për t’u vetëqeverisur, etj. etj, kurse në fakt, pa i mohuar një pjesë të argumenteve të mësipërm, fajin kryesor e ka pasur dhe vazhdon ta ketë dalja e përhershme dhe e pandalshme jashtë kontrollit e krerëve, e drejtuesve, e udhëheqësve, e ministrave, e deputetëve, e kryetarëve të partive e të gjithë atyre që, në mos me zgjedhje, me emërime dhe përzgjedhje partiake, klienteliste, fisnore, tribale apo krahinore ngjiten sipër, në majë…
Janë këta që me t’u ngjitur, puna e parë që bëjnë është prishja e balancës së pushteteve, kontrolli i tyre reciprok dhe sidomos shpërfillja dhe shkëputja prej çdo lloj kontrolli të qytetarit, të zgjedhësit mbi të zgjedhurit, madje edhe të atij që në shoqëritë demokratike quhet opinioni publik. Të nesërmen e zgjedhjeve, pasi merret mandati, interesat e qytetarit, të kombit e të shoqërisë nuk kanë pse të jenë më prioritet dhe as detyrim ligjor.
Nuk ka shoqëri tjetër të ngjashme, ku nuk ka e nuk mund të aplikohet asnjë lloj kontrolli mbi pushtetet dhe mbi titullarët e tyre, si tek ne! Kështu, mund të shitet (të falet) deti, mund të bëhen lloj-lloj privatizimesh e koncesionesh, mund të shitet Shqipëria dhe asetet e saj edhe për një euro, mund të rritet borxhi publik, mund të shkatërrohen pyjet, lumenjtë, minierat, pasuritë e naftës, mund të bëhesh miliarder brenda nate, mund të japësh urdhër të vriten demonstrues, mund të hedhësh në erë depo armatimesh, mund të gënjesh e të mashtrosh dhe… dhe askush të mos të të gjykojë! As të guxojë të kërkojë llogari. As të të ndëshkojë. Përkundrazi, falë kësaj “aftësie”, mund të rizgjidhesh deputet, të bëhesh ministër, të jesh edhe kryeministër lavdiplotë!
Shembulli më i spikatur për të ilustruar sa më sipër është pa asnjë dyshim kryeministri aktual. Nuk ka njeri, qeveritar, pushtetar, udhëheqës partie, pushtet, institucion të varur e të pavarur jo më në Shqipëri, por edhe në Ballkan që të ketë dalë e të ketë mbetur jashtë çdo lloj kontrolli, siç është Berisha. Këtë lider “historik” prej 22 vitesh nuk e kontrollon dot askurrkush, jo më partia dhe forumet e saj, anëtarësia, aq më pak opozita, po as zgjedhjet e ashtuquajtura të lira dhe demokratike brenda partisë dhe jashtë saj; dmth. as vota, as opinioni publik, as mediat e varura e të pavarura, as skandalet, as ndërkombëtarët, as Kushtetuta, as këshilltarët e vendit dhe të huaj, e, rrjedhimisht, as organet e Drejtësisë.
Kështu, të gjithë prokurorët e përgjithshëm janë shkarkuar, jo sepse ata kanë guxuar e këmbëngulur të venë nën fre yxhymin e tij mbi pushtetet e pavarura, në rastin konkret mbi atë të Drejtësisë, por sepse nuk i janë nënshtruar trysnisë së tij për t’u vënë nën kontrollin e tij ekskluziv për vendime të paligjshme. Mund të kujtohet, sa për të sjellë një shembull, fati i “mocionistëve” që e patën kundërshtuar dikur brenda partisë vite më parë (se tani as vërejtje nuk mund të përfytyrohet se mund t’i bëhen!…), për të mos përmendur dy ish-Presidentë Republike të zgjedhur prej tij, (“horra bulevardi”…”e morëm nga dominoja…”) si dhe lloj funksionarësh të tjerë, të niveleve më të ulëta, që kanë pësuar fatin “eduardselam”…
Ne qahemi dhe pyesim veten: përse gjykatat japin vendime të padrejta dhe si ndodh që tek ne aq shpesh lirohen kriminelët në sallën e gjyqit, përse policia nuk e parandalon krimin, përse në Kuvend e jashtë tij nuk ka dialog dhe marrëveshje as për çështje madhore, si ç’është integrimi’; përse organet e Drejtësisë, KLSH, KKRTSH, ILKDP, SHISH, KLD, Presidenti i Republikës, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, madje edhe deputetët dhe grupet parlamentare nuk janë të pavarur si në vendet e qytetëruara…
Kjo është e thjeshtë. Sepse të gjitha pushtetet varen nga një njeri, sepse në shoqërinë tonë nuk funksionon asnjë mekanizëm i kontrollit reciprok, sepse opozita legale dhe oponenca civile nuk e kontrollon/disiplinon dot qeverinë dhe qeverisjen as me kontrolle parlamentare, le më me debat, kritika e vërejtje (shihni seancat kuvendore dhe gjeni vetëm një rast që të jetë dëgjuar zëri i opozitës!) dhe sepse tek ne të gjitha pushtetet varen nga një njeri i vetëm, i cili, edhe ky, për fatin tonë të keq, ka dalë jashtë kontrolli!
Në këto kushte si mund të jenë të pastra, të pamolepsura e të sigurta ushqimet, ilaçet, mjedisi, harmonia, begatia, standardet demokratike, dmth. klima social-politike?







