Artan Mullaj, 31 Mars 2013
Për t’i shërbyer si gjithmonë e deri në fund pushtetit, ditët e fundit, disa nga gazetat “e pavarura”, publikuan një faksimile të montuar të peticionit, për të treguar se kandidatja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, dekane e Ekonomikut në Universitetin Aleksandër Xhuvani, kishte firmosur në fletën e bardhë me mirëbesim dhe vetëdije të plotë.
Peticionin e firmosur nga Evis Kushi e nxori në dritë zonja Jozefinë. Duke e tundur në dorë, fytyra i rrezatonte një ngazëllim të dalë rrudhash, a thua në atë letër kishte jo firma të vdekura për një peticion të vdekur, por formulën e ilaçit të rinisë së përjetshme! Ç’donte të tregonte Jozefina me triumfin e radhës? “Shikoni, e kapa me presh në duar këtë vajzë, që, këtej firmosi për ne peticionin, këtej qaset të bëhet rilindëse!” Ka firmosur me vetëdije të plotë, tha Kryetarja e Parlamentit. E çfarë pastaj?
Shumë mirë ka bërë që ka firmosur. As Jozefina dhe as tellallët e gazetave të pushtetit nuk mund të paragjykojnë vendimin e një intelektualeje për të firmosur këtë apo atë peticion… Zakoni i mediokërve në pushtet për të interpretuar çështje që dalin nga fuqia e tyre e perceptimit është një nga makabritetet më të mëdha në këtë vend.
* * *
Por meqë jemi te peticioni, le të sqarojmë se fraza “vetëdije e plotë” në një administratë të terrorizuar nga pushteti, si e jona, merr një tjetër kuptim. Evisi mund ta ketë firmosur peticionin me vetëdije, por ndoshta jo me vullnet a bindje të plotë. Kjo do të thotë se ajo mund ta ketë firmosur thjesht për të mos rrezikuar vendin e punës. Nuk është hera e parë që i ndodh kjo gjë një intelektuali nëpunës shqiptar. Mos vallë nxënësit që i heqin nga shkolla për t’i çuar në mitingjet e Saliut, shkojnë atje me vullnetin e tyre? Apo administrata, që kërcënohet çdo herë me bukën e gojës nëse nuk merr pjesë edhe ajo, në grumbullimet e partisë, është aty me bindje dhe vullnet të plotë? A është e sinqertë qenia e tyre në sheshe? Retorikë që s’ka nevojë të trazohet, përndryshe na trazohen njëherësh edhe Jozefina, edhe Saliu.
Por le të supozojmë se Evisi ishte krejt e sinqertë në firmën e saj të peticionit. Të themi se bindja e saj për të firmosur ishte e shëndetshme. Një moment ajo besonte se duheshin votuar tri ligjet sarkazëm të epokës. E pastaj? Kush tha se të firmosësh një peticion përbën një mëkat? Madje, aq më mirë sikur firma e saj të ketë qenë e ndershme, e vërtetë, e sinqertë. Sepse në këtë rast merr një vlerë të dyfishtë.
Së pari, sepse sinqeriteti është aurora e moralit. Së dyti, gjërat ndryshuan kur pedagogia e re u përplas, u njoh, u magjeps me alternativën gjëmuese të Rilindjes. Kjo është dëshmia më e sigurt e fuqisë ndryshuese të kësaj alternative, e forcës së saj tërheqëse. Kjo alternativë jo vetëm mund t’i bëjë për vete disa njerëz që dje mund të kenë menduar ndryshe, apo firmosur kundër saj, por edhe t’i ketë në krah për të punuar së bashku. Kjo është alternativa e Edi Ramës, që nuk merret me të shkuarën e njerëzve, por i orienton dhe i frymëzon ata t’i përkushtohen të ardhmes së vendit të tyre, në një dinamikë shpirtërore drejt kauzave të mëdha dhe vlerave. Kjo alternativë bëri të mundur ndryshimin e perceptimit të një intelektualeje, çka është diçka jo e zakonshme.
Pak fleksibilitet, që për fat të keq i mungon, do ta ndihmonte Jozefinën të kuptonte se kalimi i firmëtares së peticionit në krahun e Rilindjes, në fakt, nuk është një lajm i gëzueshëm për mazhorancën, por është një arsye e mirë që më parë të fillojë të shkulë flokët e rralluar.
* * *
Për të gjithë është e qartë se Evis Kushi është njëra nga shumë viktimat e një strategjie të paskrupullt të qeverisë për të mbajtur nën një psikozë paralizuese administratën shtetërore, në mënyrë që kjo administratë të mund të manipulohet dhe të përdoret për qëllime elektorale. Nuk është vetëm Evisi, janë me qindra dhe me mijëra nëpunës që jashtë vullnetit të tyre, kanë qenë të detyruar të firmosin peticione, të marrin pjesë në mitingje, të angazhohen në fushata, të dalin nga vetja e tyre, nga bindjet e tyre, nga idealet e tyre. Evis Kushi është viktimë e babëzisë së dyfishtë të pushtetit, që për të sunduar, synon me çdo mjet dhe me çdo kusht prishjen e normalitetit.
Sepse ky është një pushtet, një sundim, që normaliteti, përkundrazi, e bën të shkrijë sakaq si akulli në ujë.
Zhurma e qëllimshme për Evis Kushin, e amplifikuar në këtë farë feje, është tërësisht anormale, perverse, e shëmtuar!
Parë kështu, nën trysninë e një brutaliteti psikologjik të pashembullt, edhe “papërgjegjshmëria” e saj në firmosjen e një karte të bardhë, eklipsohet, e humb rëndësinë. Nëse duam të flasim për përgjegjshmëri dhe karaktere, krahasuar me Jozefinën, kjo e fundit e ka listën e budallallëqeve në politikë, ku e ku më të madhe edhe se listën e magjive që ka bërë Harry Poter.
* * *
Fraza “zhele, kap për zhelesh”, që e personifikon mirë artistikisht, peticioni mbërthyer në dorë, mes thonjve, zullubaja e ngritur, të gjitha këto, aty ku e qasin me imazhin e një intriganteje, e shëmbëllejnë njëherësh me magjistaren e rremë që përpiqet të endë një triko pa fije.
Në dështimin e saj, në fakt Jozefina nuk shqetësohet për formatin, por për standardin.
Jozefina e di se Edi Rama nuk kish dijeni për firmën e Evisit në peticion, ashtu si e di mirë se standardi i Edi Ramës në përzgjedhje nuk anon në hedhjen a paragjykimin e një firme, por anon nga personaliteti profesional e shoqëror; Edhe Xhozi e ka kuptuar se për Edi Ramën nuk është e rëndësishme e shkuara, perceptimet, përshkallëzimet e ndjeshmërisë ndaj ngjarjeve të veçuara, as fakti se nga vinte Evisi, nga lufta apo nga paqja partiake, por e rëndësishme për të është dinamika e admirueshme elektorale që kandidatja Kushi disponon në Elbasan, dhe është pikërisht kjo gjë që shqetëson realisht Jozefinën e ngazëllyer.
Dihet që zullubaja u krijua rishtazi për të vënë në pozitë të vështirë kryetarin e opozitës, që përkundrazi, pas këtij lajmi, është në të drejtën e Zotit të shijojë frutin e standardit të vet, për më shumë që duke dalë mbi rutinën negative të politikëbërjes në Shqipëri, fton në ekipin e Rilindjes një personalitet që dje e paska pasur kundër. Përfytyroni Berishën në të njëjtën situatë, dhëmbëmprehur, hundëkuqur, të kishte përballë e ca më pak të ftonte në skuadër, një njeri që kishte firmosur një peticion kundër tij. Mision i pamundur! Më kollaj bashkohet Toka me Hënën.
Personalisht, si një njeri i medias, ndihem shumë keq që gjithfarë shkronjësish të pushtetit krijojnë një dallgë të tillë me synimin të linçojnë një grua të sapofutur në politikë. Deri sa flasim për standarde, duhet të flasim pikë së pari për moralin. Ç’moral ka kjo babëzi që në emër të moralit shkon të kompleksojë një grua, një femër?