Misteri i faksit të Berishës për vrasjen e Hajdarit

0
36

Xhevdet Shehu, 26 Mars 2013

Ekskluzivisht nga Londra/Miranda Vickers: Populli shqiptar duhet të pyesë veten nëse….

INTERVISTA – Rrëfimi i rrallë për DITA i historianes së njohur të Akademisë Britanike të Mbrojtjes, që mbulon prej 22 vitesh vendimmarrjet e Londrës për çështjen shqiptare: Ku e kishin origjinën ngjarjet e tmerrshme që tronditën Shqipërinë në vitet 1997-98; Si shpjegohen qëndrimet e dyzuara të Berishës për Kosovën dhe Çamërinë; Pse Berisha nuk ka bërë thirrje për heqjen e Gjendjes së Ligjit të Luftës me Greqinë; Çfarë mendon për Edi Ramën; A do ketë dorëzim paqësor të pushtetit në qershor 2013 dhe pse përdor për qeverisjen termin “bajatosje”

Historiania e njohur angleze dhe një nga ekspertet më të mira të çështjes shqiptare, në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “DITA”, analizon situatën aktuale në vend para zgjedhjeve të 23 qershorit, ndërsa argumenton nevojën e ndryshimit. Ajo ka besim se nuk do të përsëritet manipulimi skandaloz i zgjedhjeve të vitit 1996, as dhe anarkia dhe kaosi i vitit 1997. Por ajo mendon se Berisha ka mbetur po ai. “Berisha mbetet po aq dogmatik dhe imponues si edhe më parë dhe po aq i vendosur për të të mbetur në pushtet me çdo kusht”, thotë ajo. Ndërsa flet për retorikën nacionaliste, ajo e kritikon Berishën për keqpërdorim të çështjes came. Ajo hedh dyshimet për vrasjen e Azem Hajdarit, ndërsa thekson se “Berisha fitoi kapital të madh politik pas vdekjes së Hajdarit dhe unë nuk mendoj se ne do të mësojmë të vërtetën e kësaj ngjarjeje, derisa frika që buroi nga Tirana në shtator të vitit 1998 nuk do të ekzistojë në korridoret e pushtetit në Shqipëri”. Këto dhe të tjera më hollësisht do t’i gjeni në intervistën në vijim.

– Zonja Miranda! Kanë mbetur edhe rreth tre muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Sa të rëndësishme janë këto zgjedhje sipas jush për Shqipërinë?

– Në çdo demokraci, shansi për të votuar në një palë zgjedhjesh të përgjithshme është një privilegj, i cili u është mohuar miliona njerëzve të cilët nuk kanë fatin të jetojnë në një demokraci parlamentare. Në zgjedhjet shqiptare të vitit 1992 morën pjesë 90.35 për qind e qytetarëve me të drejtë vote – aq i madh ishte entuziazmi i një popullsie që në zgjedhjet e mëparshme u ishte mohuar shansi për të votuar në zgjedhje të lira. Mjerisht, në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri që nga ajo kohë, pjesëmarrja e votuesve ka rënë në mënyrë dramatike. Kjo ka ndodhur për shkak të apatisë së përhapur dhe zhgënjimit me klasën politike të vendit, si të majtës ashtu dhe së djathtës, të cilët kanë dështuar vazhdimisht për të mënjanuar rivalitetin e tyre politik dhe për të luftuar për të mirën e kombit si një tërësi. Megjithatë, pavarësisht kësaj të kaluare negative, populli shqiptar nuk duhet ta humbasë besimin në procesin zgjedhor, pasi çdo palë zgjedhje, që nga zgjedhjet e tmerrësisht mashtruese të vitit 1996, kanë shënuar përmirësim në krahasim me paraardhëset e tyre.

– Pas 8 vjetësh të një koalicioni të djathtë, mendoni se është koha e një rotacioni politik në Shqipëri?

– Ashtu si me çdo demokraci moderne, pas një periudhe të gjatë me të njëjtën qeveri të rizgjedhur, është pozitive që të ketë një ndryshim të udhëheqjes, me futjen e gjakut të ri, ideve të freskëta dhe një angazhimi të përtërirë. Pavarësisht nëse janë të krahut të djathtë apo të majtë, qeveritë e rizgjedhura mund të humbasin freskinë, të bajatosen dhe të vetëkënaqen, duke humbur kontaktin me qëllimet e tyre origjinale dhe premtimet zgjedhore, siç ishte rasti në Britaninë e Madhe, kur ne kishim një qeveri konservatore për 18 vjet – 1979-1997. Rizgjedhja konstante gjithashtu mund të ngjallë një ndjesi të pakëndshme ndërmjet individëve në një qeverisje afatgjatë. Populli shqiptar duhet të pyesë veten nëse koalicioni aktual ofron ndonjë ide të re dhe objektiva që të qëndrojë në Shqipëri edhe gjatë katër vite të tjerë të shoqëruar me pasiguri ekonomike dhe çështje të vështira sociale dhe rajonale, ose do t’i shërbehet më mirë vendit dhe ripërtëritjes nga një administratë e re dhe e freskët.

– Mendoni se alternativa e zotit Edi Rama dhe opozitës është më e mirë se ajo e Berishës dhe pse?

– Është e pamundur për momentin të perceptojmë se si do të jetë një qeveri e kryesuar nga Edi Rama, por unë nuk mund të imagjinoj se ajo mund të jetë më e keqe se qeveria aktuale. Në kapacitetin e tij si kryebashkiak i Tiranës, Rama rigjallëroi tërësisht kryeqytetin, dhe, edhe pse vërehet një farë skepticizmi ndaj tij nga komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri, ai është i respektuar përgjithësisht jashtë vendit si një politikan i cili është në harmoni me Shqipërinë moderne dhe popullata e tij kryesisht rinore e pëlqen më shumë se Berishën. Pavarësisht se midis shqiptarëve që jetojnë jashtë kryeqytetit ka njëfarë hezitimi nga perceptimi i tij, si një politikan i qendrës në Tiranë, unë mendoj se shumica e shqiptarëve mezi presin ndryshimin dhe janë të gatshëm për t’i dhënë një shans Ramës.

– Ju, analistët britanikë, kam parasysh këtu edhe Prof. James Pettifer, kini qenë mjaft kritikë ndaj Berishës në periudhën e parë të qeverisjes së tij në gjysmën e parë të viteve ’90. Cilët konsideroni si gabimet më të rënda të Berishës atëherë, por edhe në vazhdim?

– Ashtu si shumica e njerëzve unë isha e kënaqur të shihja mbërritjen e demokracisë në Shqipëri në vitin 1992 dhe isha e impresionuar fillimisht me retorikën e fuqishme dhe karizmën e dukshme të Sali Berishës. Megjithatë, në vitin 1994, prodhimi i një projekt-kushtetute nga Partia Demokratike pa miratimin parlamentar përkoi me një polarizim politik në rritje dhe me spastrimet që kishin për qëllim një sundim presidencial të jashtëzakonshëm. Kjo kulmoi me manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 1996-s, me frikësim dhe terror të jashtëzakonshëm të mbështetësve të opozitës. Ky ishte një hap i madh prapa nga zgjedhjet relativisht të drejta të vitit 1992 dhe ishte një epitaf i keq për qeverisjen e parë të Berishës.

Unë besoj se ngjarjet e tmerrshme që tronditën Shqipërinë në vitet 1997 -98, ishin me origjinë nga diktatura presidenciale e Berishës gjatë administratës së tij të parë dhe përpjekjet e tij për të injoruar votën popullore në vitin 1996 dhe për të qëndruar në pushtet me çdo kusht. Kjo është arsyeja e vërtetë që Shqipëria u zhyt në kaos dhe anarki në vitin 1997 – rënia e skemave piramidale ishte vetëm katalizatori që shkaktoi kryengritjen e armatosur, ndërkohë që shqiptarët panë se u ishte vjedhur e vetmja mënyrë paqësore dhe demokratike për të hequr qafe një diktaturë të re.

Që nga rizgjedhja e qeverisë Berisha në vitin 2005, ka pasur disa arritje pozitive, të tilla si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave për në vendet anëtare të BE, që u mundëson shqiptarëve të udhëtojnë ligjërisht dhe të kërkojnë punë jashtë vendit. Gjithashtu arritje janë shënuar në programin e ndërtimit të rrugëve, i cili ka hapur lidhjet me rrethe të largëta dhe ka ndihmuar komunikimin e mbarë shqiptarëve. Megjithatë, kanë dështuar të trajtohen probleme serioze. Strukturat demokratike të Shqipërisë mbeten kronikisht të dobëta dhe kryesisht kozmetike.

Korrupsioni i shfrenuar në të gjitha sferat e jetës dhe mungesa e një gjyqësori të pavarur, kanë penguar seriozisht procesin e reformave të vendit dhe rrezikojnë shanset e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Hendeku social dhe ekonomik midis zhvillimit të shpejtë të korridorit Tiranë-Durrës dhe pjesës tjetër të vendit vazhdon të zgjerohet. Në zonat rurale papunësia është e rëndë, shëndetësia dhe arsimi janë tejet të dobëta, duke nxitur emigrimin pandërprerje jashtë vendit dhe në qytetet e mëdha dhe, rrjedhimisht, këto pengojnë zhvillimin rajonal.

Një dështim i madh i administratës aktuale është neglizhimi kronik dhe abuzimi ndaj mjedisit. Njëzet vjet më parë, Shqipëria ishte një nga vendet më të pastër dhe më të pandotur mbi tokë. Sot vendi po mbytet në një det të mbetjeve dhe degradimi mjedisor shihet kudo. Zhvillimi i pakontrolluar ka shkatërruar qytete dikur të bukura si Saranda. Neglizhenca të tilla të papërgjegjshme të mjedisit do të ndikojnë në jetën e të gjithë shqiptarëve dhe dëmtojnë seriozisht industrinë turistike. Kjo është trashëgimia nën drejtimin e qeverisë së Berishës pas vitit 2005.

– Nga zhvillimet e mëvonshme, a ka ndryshuar qëndrimi juaj ndaj Berishës?

– Mjerisht, jo. Edhe pse dialogu politik është përmirësuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, Berisha mbetet po aq dogmatik dhe arrogant si edhe më pare, si dhe po aq i vendosur për të të mbetur në pushtet me çdo kusht. Këto janë shqetësuese, në një një kohë që gjithë rajoni i Ballkanit dhe Shqipëria ka tmerrësisht nevojë për një lider, i cili të vërë interesat e Shqipërisë mbi ato të partisë dhe natyrisht mbi interesat personale.

– Para këtyre zgjedhjeve, Kryeministri Berisha është prononcuar fort në çështjen e nacionalizmit dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare. Sa serioz mendoni se është Berisha në këtë pozicion, apo e bën këtë për qëllime elektorale?

– Gjatë njëzet viteve të fundit Sali Berisha ka dashur gjithmonë të shihet se i ka dhënë prioritet të lartë çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë konfliktit në Kosovë dhe para pavarësisë së Kosovës, Berisha ka pasur një arsye të ligjshme dhe të justifikueshme për të folur në mbështetje të nacionalizmit shqiptar dhe vetëvendosjesnë Kosovë. Ai ishte haptazi kritik i shumë reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj ngjarjeve në Kosovë gjatë viteve 1990, dhe ai argumentoi saktë se masat e miratuara nga Grupi i Kontaktit në prill 1998 nuk arriti të marrë një vendim të ashpër dhe të qartë kundër agresionit serb. Bashkësia ndërkombëtare e paralajmëroi atëherë Berishën, në cilësinë e tij si lider i opozitës, që të mos shfrytëzonte kartën nacionaliste dhe ai u detyrua, nën presionin e SHBA, të braktiste thirrjet për bashkimin e të gjitha trojeve të Ballkanit të banuara me shqiptarë. Me përfundimin e konfliktit në Kosovë, Berisha vazhdoi të ballafaqohet me çështjen kombëtare, duke folur në mënyrë periodike mbi çështjen çame – veçanërisht në kohën e zgjedhjeve.

Çështja emotive Kombëtare është një kartë shumë e lehtë për ta shfrytëzuar për përfitime politike, dhe në çdo fushatë zgjedhore të kohëve të fundit Berisha nuk ka humbur asnjë mundësi për të folur për të drejtat e çamëve. Çamët, megjithatë, janë plotësisht të vetëdijshëm se Berisha e përmend çështjen çame vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve dhe i përdor vuajtjet dhe ankesat e tyre për të përfituar sa më lehtë politikisht. Kjo është provuar nga fakti se praktikisht asnjë lëvizje qeveritare nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për të zgjidhur problemin çam.

Pse Berisha nuk ka bërë thirrje për heqjen e Gjendjes së Ligjit të Luftës që pabesueshmërisht ekziston ende midis Greqisë dhe Shqipërisë? Pse nuk e ka marrë ai iniciativën për një konferencë ndërkombëtare për çështjen çame? Me daljen e Aleancës Kuq e Zi dhe qëndrimin e tyre të hapur nacionalist, në këtë fushatë zgjedhore, Berisha ndoshta ndjehet i detyruar të flasë me më shumë agresivitet për Çështjen Kombëtare. Megjithatë, në qoftë se ai është një patriot i vërtetë shqiptar, ai duhet të vërë mënjanë çështjet e tjera mbarëshqiptare dhe të përqendrohet në drejtimin e një fushate të mirë, të pastër zgjedhore dhe të pranojë rezultatin. Duke bërë këtë, ai do të ndihmojë për ta bërë Shqipërinë si një shembull i demokracisë së qëndrueshme – duke bërë këtë do të çojë më përpara kauzën e të gjithë shqiptarëve në Ballkan, më shumë se sa bërtasë dobët retorikën nacionaliste.

– Cili është perceptimi juaj për korrupsionin në Shqipëri?

– Perceptimi im i korrupsionit në Shqipëri është i njëjtë me atë të shumicës së popullit shqiptar – që niveli i korrupsionit është padyshim duke u përkeqësuar dhe kjo është pengesa e vetme më e rëndësishme për prosperitetin e Shqipërisë dhe zhvillimin demokratik. Nuk është bërë asgjë për të frenuar korrupsionin në gjyqësor apo për të ndaluar transferimin e paligjshëm të miliona dollarëve nga Shqipëria. Gjithashtu, nuk duket se ka rregulla për të përmirësuar sjelljen e atyre që janë në poste publike. Indeksi më i fundit i perceptimit të korrupsionit nga Transparency International konfirmon se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë, ka rënë në vetëm në një vit nga vendi i 95 nga 176 vende në vitin 2011, në pozicionin e 113 në vitin 2012. Kjo e bën qesharake politikën e “zero tolerancës” të qeverisë kundër korrupsionit, e cila mbetet vetëm një tog fjalësh të pakuptimta me qëllim që të duken të mirë në fjalimet, por një frazë e dobishme për t’u përmendur në bashkëbisedimet me ndërkombëtarët.

– Ju kini bërë një analizë thuajse shterruese për trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. Ato ngjarje patën si shkak thelbësor manipulimin e zgjedhjeve të vitit 1996 dhe mandej falimentimin e skemave piramidale. A ka shanse të përsëritet manipulimi i zgjedhjeve sërish?

– Me kalimin e çdo palë zgjedhjesh ka gjithnjë e më pak të ngjarë që Shqipëria të zbresë në anarki dhe kaos si në vitin 1997. Organizimi i zgjedhjeve parlamentare të 2013-s sipas standardeve ndërkombëtare është një nga kriteret kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të hapë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian. Përkundër rivalitetit të rrënjosur midis qeverisë dhe opozitës, klima politike është tani më e natyrshme dhe të dyja palët kanë punuar së bashku për të kaluar një ligj të përforcuar zgjedhor që siguron një kuadër të mirë për zgjedhjet. Të shtatë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë kanë marrë pjesë së fundmi në një kurs intensiv të menaxhimit elektoral të organizuar nga OSBE-ja dhe organizma të tjera ndërkombëtare. Pra, edhe pse këto zgjedhje do të kontestohen ashpër, unë mendoj se ato duhet të arrijnë një standard më të lartë se çdo zgjedhje të mëparshme. Gjithashtu, shqiptarët vetë kanë lëvizur – ata janë shumë më të sofistikuar nga sa ishin 16 vjet më parë. Ata e dinë se është e drejta e tyre demokratike që të presin zgjedhje të mirë dhe të ndershme dhe ata, për këtë arsye, nuk do të bëjnë asnjë lëshim ndaj manipulimeve dhe keqpërdorimeve zgjedhor.

– Çfarë duhet bërë që të shmanget kontestimi i zgjedhjeve dhe rezultateve, një ‘sëmundje’ shqiptare kjo gjatë dy dekadave të fundit?

– Unë mendoj se kjo pyetje sapo e mori përgjigjen në pyetjen e mësipërme.

MISTERI I FAKSIT TË BERISHËS PËR VRASJEN E HAJDARIT

Dokumenti i çuditshëm që mbërriti në zyrën e OSBE-së brenda 20 minutave pas vdekjes së Hajdarit.. Pse Hajdari u vra në Tiranë dhe jo në Veri… Çfarë ka parasysh Vickers me fjalinë “frika që buroi nga Tirana në shtator 1998 dhe që ekziston ende në korridoret e pushtetit në Shqipëri…”

Në këtë pjesë të intervistës Vickers flet për një nga çështjet të cilën ajo e ka prekur shpesh ën botimet dokumentare për Shqipërinë. “Mjafton të them se edhe pse Hajdari kishte shumë armiq në veri të Shqipërisë, unë besoj se njerëzit që ai kishte më shumë frikë ishin në Tiranë” – thotë ajo.

DITA: Znj.Vickers, në librin tuaj, tashmë të famshëm në Shqipëri, “Çështja Shqiptare – Riformësimi i Ballkanit” ju jeni ndalur veçanërisht në vrasjen e Azem Hajdarit dhe të ashtuquajturit ‘grusht shteti’ në shtator 1998. Por e vërteta e plotë mbi këto ngjarje nuk është zbardhur ende. Pse ka ndodhur kjo sipas jush?

VICKERS – Vrasja e Azem Hajdarit është një çështje jashtëzakonisht komplekse, sidomos për të diskutuar në një intervistë të tillë si kjo. Mjafton të them se edhe pse Hajdari kishte shumë armiq në veri të Shqipërisë, unë besoj se njerëzit që ai kishte më shumë frikë ishin në Tiranë. Fakti që një njoftim shumë mirë i përgatitur për shtyp u faksua nga selia e PD-së në zyrën e OSBE-së brenda 20 minutave pas vdekjes së Hajdarit, në një natë të shtune, vonë, kur stafi i sekretarisë në selinë e PD mungonte, tregon se faksi ishte përgatitur paraprakisht.

Pse? Nëse Hajdari do ishte vrarë në veri të Shqipërisë, vdekja e tij do të justifikohej po ashtu për një çështje armësh. Por në qoftë se megjithatë, ai do të përdorej si një “martir i demokracisë”, atëherë ai duhej të ishte viktimë e një vrasjeje të profilit të lartë në kryeqytet, më shumë se për kontrabandë armësh apo karburanti në veriun e largët të Shqipërisë në vitin 1998. Berisha fitoi kapital të madh politik pas vdekjes së Hajdarit dhe unë nuk mendoj se ne do të mësojmë të vërtetën e kësaj ngjarjeje, derisa frika që buroi nga Tirana në shtator të vitit 1998 nuk do të ekzistojë në korridoret e pushtetit në Shqipëri.