TemA TV/ “Ku e ke investitorin shqiptar”- Braçe: Përse u jepen koncesionet vetëm të huajve? (VIDEO)

0
51

TemA Online, 25 Mars 2013

Deputeti socialist, Erion Braçe, duke folur në Kuvend gjatë një debati me ministrin e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, ka kërkuar nga ky i fundit të përgjigjet për bilancin e privatizimit të aseteve shtetërore. Duke pyetur “ku e ke investitorin shqiptar”, Braçe ka thënë se qeveria ka zhveshur shqiptarët nga çdo interes kombëtar, duke dhënë koncesione vetëm për biznesmenë të huaj.

“Ligji ka përcaktuar garë e konkurrencë për koncesionet, por këta po japin edhe bonuse. BE e ka konstatuar si korruptive këtë praktikë. Kërkoj nga ministri i Ekonomisë një bilanc të koncesioneve dhe mënyrës si janë privatizuar pasuritë tona”, tha Braçe.

Ministri Haxhinasto u përgjigj duke thënë se opozita po kërcënon investitorët, me kërcënimet se do të prishë kontratat koncesionare kur të vijë në pushtet.

“Natyrisht që ka probleme, por duhet të keni edhe kurajën se çfarë është bërë me to. Ka pasur edhe penalitete për heqjen e licencave. Ka dhe një numër tjetër masash që Ministria e Ekonomisë i ka iniciuar dhe vazhdon t’i iniciojë. Natyrisht që nuk mund të hidhemi direkt në prishjen e tyre, por do ndjekim hapat e ligjeve. Mund t’i çoni ankesat tuaja edhe për procedim ligjor, por ju lutem, mos spekuloni. Mos i dekurajoni investitorët e huaj me prishjen e koncesioneve që thoni, sepse i bëni dëm në radhë të parë qytetarëve, që i privoni nga punësimi”, tha Haxhinasto./ b.l