Fotot e rralla të dhjetoristëve, “vendimi për grevën e urisë u mor në party”

0
44

Nga: REZARTA DELISULA

Fotot e rralla të dhjetoristëve, “vendimi për grevën e urisë u mor në party”TIRANE – Arjan Manahasa është një ndër studentët që merreshin me organizimin e grevës së urisë, grevë e cila nxiti e solli përmbysjen e sistemit diktatorial. Një fakt interesant përcjell studentit i Arkitekturës në atë kohë, e ky është që vendimi për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga universiteti u mor në një party studentësh. Përmes kësaj interviste të shkurtër dhënë për “GSH”, do të zbulojmë disa detaje interesante të grevës masive të të rinjve të cilët sollën ndryshimin e pushteteve.

21 vjet nga greva e urisë, sa është plotësuar ëndrra e studentëve të dhjetorit dhe e juaja si pjesë e asaj kohe?
Së pari desha të saktësoj që ky bashkëbisedim dhe atë ç’ka dua të shpreh në këtë interviste nuk ka absolutisht asnjë lidhje dhe asnjë ngjyrë politike. E rëndësishme kjo pasi në kohet e sotme është tejet i neveritshëm fakti që ç’do fjalë apo ç’do ngjarje kërkohet me ngulm dhe pa asnjë delikatesë të politizohet. Janë plot 22 vjet nga ai organizim i studentëve të asaj kohe dhe për ata të cilët patën fatin të ishin pjesë e atyre ngjarjeve duket sikur ato ditë janë gjithmonë të afërta, nuk harrohen kurrë. Ajo që studentët dhe një popull i tërë kërkonin nuk ishte ëndërr, por një e drejtë themelore e mohuar … ishte klithma për liri, ishte fati i atij brezi që jetoi ato ditë dhe ishte as më pak e as më shumë, por detyra e atij brezi të bënte atë që bëri, ishte detyrimi ndaj vetvetes dhe një atdheu të tëre.

Eksperienca botërore është e mbushur me ngjarje të tilla, por në një vend të vogël dhe të mbyllur si Shqipëria, jehona ishte tejet e madhe. Edhe sot, pas 22 vjetësh, nuk kam asnjë aludim se ëndrra e dhjetorit është përmbushur. Jo, duhet akoma të rrjedhë shumë ujë, shumë, që të mund të shpëlajë ç’do lloj forme të mbetur dhe të fosilizuar të komunizmit. Duhet shumë kohë që të ç’rrënjoset nga realiteti ynë ç’do mënyrë e të menduarit dhe vepruarit me mentalitet komunist. Në forma nga më të ndryshmet dhe më të stërholluarat, ne akoma udhë-hiqemi nga ish-komunistë pra, nuk mund të realizohet ëndrra kur ata që shpenzuan një pjesë të jetës për ta penguar vazhdojnë ta bëjnë përsëri … në një ngjyre tjetër kostumi. Personalisht kam bindjen se duhet shumë punë dhe shumë kohë që pjesërisht ëndrra e dhjetorit të bëhet realitet. Jemi akoma shumë larg.

Keni qenë në këshillin drejtues të grevës, ç’farë vendimesh morët në atë kohë dhe sa efekt kishte ky këshill në atë kohë?
Historitë dhe kalvari i tre ditëve grevë është treguar e ritreguar në qindra versione e nga qindra persona sepse dhe numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh. Nuk besoj se dikush mund të thotë të kundërtën, pasi kam patur fatin të jem pjesë integrale e ç’do minuti të atij organizimi. Po, u krijua një i ashtuquajtur komision drejtues prej 7 studentësh. Emrat e tyre u publikuan në numrin e radhës së RD. Asgjë e veçantë, thjesht ishte çështje organizimi pasi përtej idealit që bashkonte grevistet nuk ishte e thjeshtë të organizoje një grup prej më shumë se 700 personash në një kohë kur situata ishte tejet e rënduar dhe asgjë nuk ishte e sigurt, as jeta. Nuk dua të zgjatem, por vendimi për të bërë një greve urie për të hequr emrin e Hoxhës nga Universiteti i Tiranës është marrë në një mbrëmje në shtëpinë e njërit prej anëtarëve të grevës dhe komisionit drejtues. Normalisht ishim të rinj dhe na pëlqente të mblidheshim e të kalonim pak kohë nën tingujt e muzikës perëndimore të asaj kohe.

Në një mbrëmje të tillë ka lindur ideja e grevës dhe jo më larg se të nesërmen filloi organizimi i saj dhe shumë shpejt u konkretizua. Funksionimi i organizimit brenda ambienteve ku u zhvillua greva nuk ishte ndonjë vështirësi e madhe pasi qëllimi i përbashkët bënte që gjërat të rridhnin tejet të qeta dhe në një respekt maksimal të asaj që po ndodhte. I ashtuquajturi komision drejtues kishte thjesht një barrë më të madhe pasi i duhej të mbante nën kontroll si situatën brenda grevës ashtu edhe raportet me atmosferën jashtë saj. I duhej të bënte të mundur maksimizimin e jehonës së kësaj greve dhe gjithashtu të trajtonte me ish qeveritarë të regjimit mbi atë ç’ka greva kishte si qellim. Nuk ishte grevë studentore, por një aksion i mirëfilltë politik. Qëllimi u arrit. Qeveria e kalbur e regjimit u përkul.

Pamë një foto me babain tuaj, si e priti ai hyrjen tuaj në grevë?
Ajo foto është nga fotot më të dashura dhe më domethënëse të jetës time. Im atë nuk e kishte mundësinë të gjykonte për hyrjen time në atë grevë pasi unë kisha ikur nga shtëpia duke ju bashkuar studentëve që në 9 dhjetor 1990. Në heshtjen e tij tepër domethënëse kam ndjerë gjithmonë një mbështetje dhe inkurajim për gjithçka që në ato kohë kam bërë. Ai ishte njeri i shkencës dhe si i tillë dëshira për të qenë i pa sunduar flinte në shpirtin e tij. Ndoshta pa e kuptuar, me mjeshtërinë pedagogjike që e karakterizonte, na edukoi dhe ne djemtë e tij me këtë ndjenjë të respektit dhe të luftuarit për tu ndjerë i lirë. Ai moment është kur im atë erdhi vetë për të më thënë pa fjalë se ndjehej krenar për mua dhe shokët e mi. Nuk do t’i harroj kurë sytë e mbushur me lot të tij dhe atë përqafim.

Takimi në Ambasadën Italiane … pse?
Nuk është vetëm ai takim. Në rastin në fjalë shkuam si përfaqësues të lëvizjes studentore. Nga Italia kishte ardhur një delegacion i kryesuar nga senatori Flaminio Piccoli dhe deputetja Margherita Boniver. Shteti fqinj ishte tejet i interesuar për ç’ka po ndodhte në Shqipëri. Gjej rastin të shpreh respektin tim për impenjimin dhe vëmendjen që Zonja Boniver i kushtoi çështjes së Shqipërisë dhe sidomos problemeve që dolën pas eksodit të marsit 91. Ishte një takim me qellim informimin e delegacionit italian për ç’ka lëvizja studentore përfaqësonte dhe cilat ishin qëllimet e saj. Më pas, një tjetër përfaqësi e lëvizjes studentore mori pjesë në delegacionin e parë politik pluripartiak të ftuar nga qeveria italiane e asaj kohe në Romë. Ndoshta ishim tepër të rinj për të kuptuar gjithçka, por ishim pjesë e historisë, pjesë e rëndësishme e asaj kohe.

Ju çfarë studionit dhe vendimi për tu futur në grevë ishte personal apo ndjekës i turmës?
Isha student i Arkitekturës, degë të cilën e ndërpreva në prill të 1991. Rifillova studimet në Universitetin Gabrielle D’Annunzio të Chieti- Itali, ku në korrik të 1998 u diplomova doktor në arkitekturë. Ne ishim studentë dhe mendoj që detyra jonë kryesore ishte të studionim. Them se ne bëmë detyrën tonë ndaj atdheut dhe ndaj vetes tonë, por pas kësaj rikthimi në aulat e mësimit ishte një rrjedhim logjik. Kjo ishte dhe arsyeja e largimit tim nga Shqipëria. Nga sa më sipër del se nuk kisha asnjë mundësi të ndiqja turmën për tu futur në grevën e urisë së shkurtit 91, pasi isha një nga organizatorët e saj. Maksimumi ndoqa vendimin tim, atë vendim që e mora në mbrëmjen e 8 dhjetorit 90 kur vrapova për tek Qyteti Studenti për t’ju bashkuar shokëve të mi që sapo kishin ndezur shkëndijën e një zjarri të madh. Me-gjithatë nuk di që dikush mund të hyje në një grevë sepse e merr turma … ! edhe pse në disa tregime të kohëve të fundit e kam dëgjuar edhe këtë version por … kam buzëqeshur.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)