Incident mes kreut të PDIU dhe Ilva Tares. Idrizi: Nuk do vdes me PDIU se jam i zoti i vetes

0
34

TemA, 20 Mars 2013

Mbrëmë pritej një përballje televizive mes Shpëtim Idrizit dhe Artur Dojakës në studion e Ilva Tares në Ora News. Përballja ishte paralajmëruar në emisionin e të premtes dhe ishte konifrmuar nga vetë Idrizi në linjë telefonike me Taren gjatë emisionit.

Të premten në darkë një panel gazetarësh dhe Pëllumb Xhufi, Artur Dojaka dhe Tahir Muhedini kanë diskutuar mbi çështjen came dhe hapat politikë të pamjaftueshëm që po ndërmerren në këtë drejtim.

Gjatë debatit televiziv ka patur një kërkesë për përballje mes kreut të PDIU-së Idrizi dhe kreut të Lëvizjes Çame të mandatuar nga komuniteti për përfaqësim politik në 23 Qershor, Artur Dojaka.

Moderatorja e emisionit, gazetarja e njohur Ilva Tare ka konfirmuar se Shpëtim Idrizi ka pranuar ardhjen në studio përballë Dojakës dhe se biseda televizive do zhvillohej të martën (pra, mbrëmë).

Por mbrëmë, tema e emisionit ka qenë tjetër dhe shikuesit e shumtë të komunitetit çam që prisnin përballjen televizive Dojaka-Idrizi kanë mbetur të zhgënjyer. Çfarë ka ndodhur? Burime nga televizioni Ora News, pranë stafit të emisionit të Tares kanë konfirmuar për DITA se Idrizi është tërhequr nga përballja televizive, madje jo vetëm kaq.

Pas emisionit të së premtes, ai i ka dërguar një numër mesazhesh telefonike nervoze Ilva Tares në numrin e saj celular. Vetë Tare nuk ka pranuar të kometojë për DITA-n përmbajtjen e këtyre mesazheve, por burime pranë stafit të saj televiziv, bëjnë me dije se gazetarja ka qenë gjithë kohën e shqetësuar dhe se disa nga fjalët e përdorura në SMS-së e Idrizit, janë më së paku të pavenda.

Në disa nga SMS-të janë përdorur shprehje të tilla si “Me ty nuk kam problem se e di kush je! Por kam dy llafe vetëm me…” dhe janë përmendur emra të supozuar nga Idrizi si me pushtet mbi median dhe politikën.

“Në Tiranë më ke…” dhe “Ligjet e Njutonit veprojnë njësoj për të gjithë” – kanë qenë fjali të tjera të SMS-ve të Idrizit nervoz, i cili ka shkruar gjithashtu fjali si “Unë nuk do vdes me PDIU-në se jam i zoti i vetes…” etj.

Këto mesazhe dhe ngjarjet e ditëve të fundit me komunitetin çam vecanërisht në Durrës e Fier janë me sa duket arsyet e tërheqjes së Idrizit nga përballja e mbrëmshme televizive.