SHENIM/ Ta zhdukim para se të na zhdukë të gjithëve. Ky vend po bëhet varrezë

0
58

TemA, 17 Mars 2013

Një vrasës serial jetonte në mes të Tiranës, duke kërcënuar fëmijët tanë.

Të krijohet ideja se ky është një vend me 300 milion banorë kur hedh sytë nga ekranet e televizionit apo kompjuterit, aq shumë krime ndodhin.

Dhe e tmerrshmja është se i kemi të gjitha llojet e krimeve. Të vret qeveria, të vret mafia, të vret i çmenduri, të vret komshiu, të vret hajduti.

Një vogëlush është ndarë nga jeta në mënyrë çnjerëzore. Një maniak seksual jetonte pranë tij. Shumë banorë të lagjes e shihnin se si joshte djemtë dhe afronte fëmijët.

Por edhe më e rëndë se kaq, maniaku vrasës kishte precedentë penalë për abuzim seksual me të mitur. Ai ishte dënuar vetëm me një gjobë prej 600 mijë lekësh.

Ai jetonte vetëm 100 metër në vijë ajrore larg shtëpisë së Julian Çelës. Por edhe pse vogëlushi është zhdukur tre muaj e gjysëm më parë, kjo palo polici qesharake nuk ka bërë asnjë kërkim tek shtëpia e tij.

Kjo dreq policie nuk ka asnjë të dhënë për personat që kanë prirje të rrezikshme. Merrni të paktën shembull nga Maqedonia që skedon njerëzit me tendenca të dyshimta.

Gjithë lagjia e ka ditur se ai ishte i rrezikshëm, vetëm policia jo. Madje familja e vogëlushit u la krejt në harresë nga policia dhe nëna e shkretë kërkonte gjithandej e vetmuar për djalin e saj.

Kështu ndodhi edhe me një tjetër vrasës serial, që grabiste bankat e vriste pa mëshirë, ndërsa nuk ishte aspak profesional në krimet e tij.

Ky vend po kthehet në varrezë të madhe.

Duhet zhdukur i pari që vret në këtë vend, për të mos lejuar të vrasin të tjerët.

Ai vret për pushtet, të tjerët janë harbuar.

SOS: Ky vend po vdes.