TemA, 16 Mars 2013
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar në një intervistë për ABC News, se rezultatin më spektakolar Partia Demokratike do e shënojë në Fier, qarkun që voton me diferencë të theksuar të majtën.
“Rezultati më spektakolar ka për të qenë në Fier. Nuk mund të përdorësh Fierin si pretekst antieuropian, jo vetëm për ndryshimet, por thelbësisht për atë që synojmë të bëjmë, një Shqipëri me rroga ku e arsimtarit shkon në 700 dollarë”, tha ajo.
E pyetur nëse baza e demokratëve është entuziaste për një mandat të tretë, Topalli thotë: “Ata janë më të motivuarit. Qytetarët shqiptarë dhe nuk e kam fjalën vetëm për votuesit e PD, janë të interesuar për rroga më të larta për pensione për të vazhduar rritjen e punësimit një jetë më të mirë dhe integrimin e vendit në BE”.
“Më 23 qershor shqiptarët do votojnë me vetëdije të thellë shoqërore, duke menduar ku ishin dhe ku janë dhe duke projektuar veten përpara. Me vetëdije të thellë shoqërore për të gjithë ata që nuk kanë bërë detyrën e tyre patriotike, për të gjithë ato që përpiqen të ngrenë mure të paqena”.