ga Mero Baze, 15 Mars 2013
Historia e përfshirjes së familjes Berisha në Gërdec, ka prodhuar më shumë politikë brenda PD-së, se sa në debatin mes Partisë Demokratike dhe opozitës. Fakti që i biri i Sali Berishës ishte lobuesi kryesor i projektit, bëri që pas tragjedisë së shkaktuar nga një aksident, gjithë energjitë e Sali Berishës të orientoheshin për të fshehur gjurmët e të birit në këtë histori. Në këtë rropatje të tij të gjatë pesëvjeçare, brenda PD-së është prodhuar një bilanc shumë herë më dinamik ndryshimesh nga kjo tragjedi.
Bilanci i parë që prodhoi tragjedia e Gërdecit në pushtetin e PD-së ishte fillimi i betejës së Berishës me institucionet e shtetit shqiptar, që sapo i kishte zgjedhur vetë. Sipas dëshmive të ish- presidentit Topi, krisja e tij e parë me Sali Berishën ka të bëjë me Gërdecin dhe lidhet me fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, kur ai kërkoi të dalë përgjegjësia e strukturave shtetërore për tragjedinë. Nga ai moment, raportet e tij me kryeministrin u ftohën dhe më pas u vijuan nga një luftë e ftohtë, bllokime emërimesh dhe deri betejë publike.
Shiko videon: http://new.livestream.com/accounts/2759351/events/1862069/videos/13882931
Personazhi i dytë i rëndësishëm që hyri në konflikt me Sali Berishën për këtë shkak ishte kryeprokurorja Ina Rama. E zgjedhur disa muaj më parë me mbështetjen e Berishës, nën superlativa si “Silvia Konti” e drejtësisë shqiptare, Ina Rama në të vërtetë u kthye një armike të madhe të pushtetit sapo filloi të merret me këtë dosje. Ajo humbi menjëherë jo vetëm mbështetjen e shumicës, por u vu nën një presion të paprinciptë nga Sali Berisha deri në fyerje personale, të cilat arritën kulmin pas ngjarjeve të 21 janarit 2011.
Personazhi i tretë i rëndësishëm nga drejtësia, që u fut në konflikt me Sali Berishën për Gërdecin, ishte Kreshnik Spahiu, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas dëshmive të tij publike, konflikti i tij i parë me Sali Berishën ishte rreth një gjyqtari, që sapo kish mbyllur një çështje në favor të biznesmenit Delijorgji, i cili ishte partneri i parë i djalit të tij në Gërdec.
Pra, historia e Gërdecit rrënoi fitoret politike të Sali Berishës në pushtetin që sapo kishte arritur në kapjen e institucioneve kryesore të shtetit shqiptar siç ishte Presidenti, prokuroria dhe KLD.
Bilanci i dytë negativ i Berishës me Gërdecin ishte brenda PD-së. Për shkak të tenderimit preferencial të kompanisë që i biri i Sali Berishës i rekomandoi Fatmir Mediut, ky i fundit fitoi një pushtet personal të bezdisshëm në raport me ministrat e tjerë të PD-së pranë Berishës. Në atë kohë Fatmir Mediu ishte aq i pranishëm në pushtetin e Berishës dhe aq pranë tij gjatë gjithë kohës, sa ngjante se ishte nënkryetar i Partisë Demokratike dhe jo kryetari i Partisë Republikane. Ai shfaqej nga mëngjesi në mbrëmje nën shoqërinë e të birit të tij, ndonjë amerikani që merrej me biznesin e tyre, dhe pjesën tjetër me Sali Berishën.
Ai u bë agresiv dhe ndaj ministrave të PD-së, që kishin qenë afër Berishës për këtë shkak. Një luftë e paprinciptë klanesh nën shtytjen e tij, filloi ndaj ministrave që kishin hezituar të firmosin kontratën e Gërdecit, sidomos ndaj Ilir Rusmalit dhe Ridvan Bodes. Ky i fundit, duke nuhatur rrezikun, bëri gjeste të tjera që kompensoi Berishën, ndërsa Rusmali, i cili e konsideronte atë biznes një privilegj të Mediut, ishte duke ecur mbi mina, derisa gjetën rastin dhe e shkarkuan.
Por sidoqoftë krisja ishte më e madhe se kaq. Brenda PD-së nuk kishte predispozicion kundër djalit të Sali Berishës, dhe kundërshtimet e Rusmalit, Bodes dhe deri diku Rulit, nuk kishin të bënin me Shkëlzenin, por thjesht se e shikonin si një trafik të Mediut. Ndaj ndryshimi brenda PD-së u vërejt më shumë se sa tek ndëshkimet ndaj tyre, tek mbështetja dhe ngritja e njerëzve që i qëndruan besnik të birit të Berishës në këtë proces. Njerëz krejt anonimë, që ishin përfshirë pa dashje në këtë histori morën menjëherë pushtet. Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, Eduard Halimi dhe Drejtori i Kodifikimit, Viktor Gumi, u bënë menjëherë deputetë në vitin 2009. Fati i Gumit ishte se kishte hedhur një firmë mbi faksin që Aldo Bumçi do t’i niste Ministrisë së Mbrojtjes për të shprehur dakordësinë e saj për biznesin e të birit, si një linjë informimi paralel për të birin e kryeministrit.
Enkeled Alibej, një nëpunës mediokër i kryeministrisë tek zyra antikorrupsion, i cili ishte gati për tu shkarkuar për shkak të disa aferave me Albpetrolin, papritur lulëzoi vetëm pse kish shërbyer si përcjellës mesazhesh nga zyra e Berishës për tek ministritë përkatëse për këtë shkak.
Aldo Bumçi, i shkarkuar me nervozizëm nga Berisha si “imbecil”, iu bë po ashtu fat ky biznes dhe u rikthye në qeveri pas vitit 2009 dhe mori dhe drejtimin e degës së Tiranës, që është në të vërtet një strukturë paralele kriminalo- biznesi e djalit të Sali Berishës.
Aq shumë u polarizua situata brenda PD-së pro dhe kundër Gërdecit, sa për shumë nëpunës pa emër u kthye në biznes hapja e fjalës se ai duhej shpërblyer pasi kishte ndihmuar dhe ai diçka në atë histori. Të ishe i lidhur me Gërdecin brenda PD-së, u bë njësoj sikur të kishe qenë bashkëpunëtor Sigurimi në kohën e Partisë së Punës. Të hapeshin të gjithë dyert.
Beteja e tretë e Berishës për Gërdecin ishte me median. Së pari, ai bëri betejë me redaksitë e mëdha të medies për t’i kufizuar në raportet e tyre investigative ndaj kësaj çështje dhe në një farë mënyre ia arriti. Me gazetarë si Andi Bushati, unë, Ilva Tare, etj, që u morëm personalisht me çështjen, përdori sulme personale, verbale, financiare dhe fizike. Me reporterë guximtarë, sidomos ata që shkuan tek krateri i Gërdecit dhe morën dëshmitë e para, përdori sulme verbale të frikshme. Kujtoj fyerjet ndaj gazetares se News 24, Top Channel dhe disa reporterëve të gazetave, duke i kompleksuar t’i ikin raportimit.
Por beteja e tij u shtri dhe më tej. Ai hyri në konflikt për të mbyllur këtë histori dhe me trupin diplomatik. Marrëdhëniet e tij me ambasadorin Uidhers u shkatërruan pas kësaj periudhe dhe shkuan në ekstrem. Ambasadori kundërshtoi presionin e tij mbi drejtësinë, median dhe politikën për Gërdecin dhe për këtë e pagoi shtrenjtë. Lobistët e Berishës në Uashington e izoluan dhe ai u detyrua të dalë në pension të parakohshëm dhe të premtojë se do shkruajë një libër mbi Berishën dhe Shqipërinë.
Pas pesë vitesh, Berisha ia ka dalë të prodhojë një Gërdec të dytë në institucione, në drejtësi, në medie dhe marrëdhëniet ndërkombëtare për të mbuluar Gërdecin e parë. Por si çdo krim që mbulohet me një krim të ri, kjo gjë nuk mund ta qetësojë. Nëse nuk e zbojmë nga pushteti, ky krim do të vazhdojë të prodhojë krime, si çdo krim i pandëshkuar.