TemA Online, 7 Mars 2013
Mbështetësit e Aleancës Kuq e Zi janë mbledhur në Pallatin e Sportit të qytetit të Korçës duke kërkuar largimin e qeverisë.
Sipas AK, Berisha ka degraduar dhe sistemin arsimor duke i dhënë deputetëve të saj licenca për universitete private.
Lideri i Aleancës Kuq e Zi ka premtuar se “qeverisja kuq e zi që do të lindë pas 23 qershorit do të konfiskojë çdo pasuri të ministrave, deputeteve dhe zyrtarëve të korruptuar të qeverisë së shtetasit Sali Berisha dhe do ti shndërrojë ato në vepra infrastrukturore për arsimin publik në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku shqiptarët jetojnë nëpër botë”.
“Jemi këtu për t’i premtuar Korçës dhe të gjithë qytetarëve që Aleanca Kuq e Zi më datë 24 qershor do të sekuestrojë të gjitha universitetet, të cilat janë pastrim i parave të ministrave më të korruptuar të qeverisë shqiptare dhe shtetasit Berisha. Ata nuk mund të gëzojnë paratë duke shitur diploma me shumicë dhe pakicë. Ne vijmë me një moto për të shuar kaosin dhe anarkinë në sistemin arsimor në këto 23 vite, ku biznesi bëhej me abetaren apo gjeografinë, me historinë. Sot ne vijmë me një premtim për të unifikuar abetaren, gjeografinë dhe historinë e kombit tonë”, tha Spahiu.
Më tej lideri i kuqezinjve u ndal të thirrja për marshimin e të gjithë shqiptarëve në Tiranë për një “7 Prill pa Berishën”.