TemA, 6 Mars 2013
Ndërkohë që prokuroria ka nisur drejt Greqisë dosjen për ekstradimin e Arben Frrokut, të dyshuarit për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, gazeta Mapo raporton se telefoni i tij tregonte se ai ishte në Kërrabë në momentin kur ka ndodhur vrasja, duke e komplikuar më shumë hetimin.
Ndërkohë, sipas Panoramës, në polici kanë nisur të vërshojnë telefonatat pasi është vendosur shpërblimi prej 100 mijë dollarësh për atë që jep informacion për vrasjen e Lamajt.
Një nga telefonatat tregon se Lamajn e kanë vrarë dy të afërm të Frrokut.
“Sot paradite ndodhesha tek një lokal pranë Doganës dhe dy persona që ndodheshin në tavolinë pranë meje, po flisnin për vrasjen e Dritan Lamajt. Ata flisnin me dialekt nga veriu dhe njëri i tha tjetrit se Dritan Lamajn e ka vrarë një familjar i Arben Frrokut dhe kushëriri i tij,” thuhet në një nga denoncimet në polici.
Panorama raporton po ashtu se gruaja e Dritanit, Anila, ka rrëfyer në polici se i shoqi ishte kërcënuar. Ajo thotë se ai nuk i tregonte shpesh për kërcënimet, për të mos e shqetësuar, por shton se të paktën dy biznese e kanë kërcënuar, njëri në hyrje të Kombinatit dhe tjetri pranë Doganës, një lokal nate.
Media të tjera raportojnë se familja e Lamajt është marrë në mbrojtje.