Dori, si mund të kesh të drejtë pas 15 vitesh?!

0
50

Analiza Nga ANILA BASHA, 01 Mars 2013

Dje media u mor gjerësisht me lajmin se kryepolici i Pogradecit është vendosur nën mbrojtjen e policisë. Krimi ka arritur deri aty, sa policët të kenë mbrojtjen e policëve.

Më kujtohet në vitin 1999, kur në emisionin “Ftesë në Studio” që realizoja në TV Koha, kisha të ftuar poetin, publicistin, politikanin, njeriun e madh, Dor Keko. Dori në studion time erdhi pas një kërkese pothuajse të vazhdueshme, pas kafeve te ditë pas dite që pinim në Bar West tek Parku Rinia.

Duke qenë se isha gazetare e re, dhe kisha ambicie të cilat Dori i vlerësonte, erdhi në studion time. Shumë e re dhe shumë naive asokohe, por më ndodhi diçka që asnjëherë nuk më kishte ndodhur.

E pyesja Dorin për realitetin në Shqipëri. Pas 1997, të ashtuquajturat komitete të shpëtimit në gjithë Shqipërinë u shpërbënë. Por, elementë të rrezikshëm kriminalë, endeshin nëpër Shqipëri. Berisha si lider i opozitës e kishte kartën kryesore kundër qeverisë socialiste pjesën e implikimit të qeverisë me bandat kriminale, ndërkohë që realiteti nëpër rrugë mbetej akoma i dhimbshëm kur ata eleminonin njëri-tjetrin dhe breshëritë e kallashëve merrnin edhe jetë të pafjshmëve që ecnin nëpër rrugë qetësisht.

Dorin, e kam pyetur në studio për këtë realitet. Pas kaq vitesh, po përpiqem të riprodhoj një pjesë të këtij emisioni me aq sa mbaj mend!!! (I kam kërkuar shpeshherë Nikollë Lesit që të mund të gjejmë këtë kasetë. E mendoj se ka qenë ndër intervistat televizive më të bukura të Dorit.

Kasetat “vhs” që përdornim asokohe janë prishur, dhe në arkivën e TV Kohës nuk gjendet. Ndoshta, ndokush e ka hedhur në koshin e plehrave, apo e ka fshirë regjistrimin për të rregjistruar diçka tjetër, pa e ditur sesa e vlefshme do të ishte në ditët e sotme).

Unë: Zoti Keko, si e shihni realitetin në Shqipëri. Zoti Berisha akuzon përherë e më shumë qeverinë socialiste për kriminalitetin…

Dori: Po mirë e ka. Po ja moj Anila, ke parë ndonjëherë, në ndonjë vend të botës, që të ngujohet grupi i gatshëm i policisë? Plot 10 policë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë a ku di unë si quhen?

Unë: Eshtë ngujuar “grupi i gatshëm? Ç’do të thotë kjo?
Dori: Ka ndodhur në Shkodër. Grupi i gatshëm i policisë u nis nga Tirana ca ditë më parë, për të kapur një super të kërkuar në një nga fshatrat e Shkodrës. Po ç’ndodhi do të thoni ju? Policia shkëmben armë më kriminelin. Krimineli ishte në kullë. Arrin të arratiset nga kulla. Grupi i gatshëm hyn në kullë për kontroll.

Po ky tjetri kishte thirr shokët e vet dhe rrethon kullën. E si përfundim, grupi i gatshëm ngujohet në kullë, e nuk del që andej derisa të ndërhyhej me struktura më të larta, që kriminelët të hiqnin rrethimin ndaj policëve në kullë e të largoheshin…

Se harroj atë skenë. Më kapi në studio një e qeshur e madhe duke parafytyruar se ç’mund të kishte ndodhur. I kërkova kameramanit që të mos fiksonte fytyrën time që qeshja me lot, po të drejtohej vetëm nga Dori. Dhe me një natyrshmëri, Dori më thotë mes emisionit: “Jo, jo, mos qesh. Kjo është e vërtetë dhe s’e mendoj dot se pse mos të reagojë Berisha për këtë situatë, kur policia nuk na mbron dot ne, por kërkon me kanun të mbrohet nga krimineli.

I dashur Dori,
Ti je diku tjetër e nuk e sheh realitetin e sotëm. As Shqipërinë që kemi pas 15 vjetësh. Do të doja të ishte ndryshe, por sot e shoh që ajo që më ke thënë në atë studio kaq vite më parë, është kaq shumë aktuale dhe sot. Po si kemi mbetur në vend dhe s’kemi lëvizur aspak. Po të të kisha sot në studio për të të pyetur, do të thosha sesi e sheh realitetin e sotëm. Jam e sigurt se ti nën ato mustaqet e tua, duke buzëqeshur me ironi do të më thoshe:

Po çfarë sigurie të presim moj Anila! Kur në mes mes të ditës të vritet një komisar. E kur të dyshuarit për autorë, hanë dreka darka me kupolën më të lartë të policisë së shtetit. E kur policia, në vend që të merret me mbrojtjen e jetës së çdo qytetari të pambrojtur në këtë vend, vendos të gjitha forcat dhe uniformat për të mbrojtur drejtuesit e vet. Pa mendoje pak, sikur çdo skuadër policie të mbronte çdo shef komisariati çdo të bëhej me qetësinë publike në vend?

Sot i dashur Dori, do kisha dashur të kisha qarë, jo të qeshja si 15 vjet më parë në studio kur u ngujua “grupi i gatshëm”. Do të qaja sepse jemi në pikë të hallit për jetën e gjithsecilit, jetë që na rrezikohet të mos na e marrë Zoti, po krimineli; do të qaja sepse ndihem e pasigurt të shkoj vonë në mbrëmje në shtëpi pasi kam mbyllur gazetën, apo pasi kam pirë një gotë me miqtë; ndihem e pasigurt sepse nuk di te kush polic të ankohem; ndihem e pasigurt sepse sikurse na raportojnë kolegë nëpër rrethe, kur policët shohin sherre, nuk shkojnë të ndërhyjnë të arrestojnë autorët, por frikësohen dhe nuk lëvizin nga klubi se mos keqbërësi është më i armatosur se vetë ata.

A kemi ne një polici të keqe dhe të korruptuar? Jo nuk e besoj. Ne kemi një sistem të kalbur. Ne kemi policë të mirë e të trajnuar, por kemi një kupolë që nuk e dimë se në cilën anë ta vendosim; ne kemi oficerë të mënjanuar që janë trajnuar edhe nga partnerë ndërkombëtarë dhe janë zëvendësuar nga militantë, për një vend pune.

Ne kemi policë e ekspertë, që për interesa të vogla, shkatërrojnë edhe provat e krimit. Ne sot, e kemi jetën më të pasigurt se 15 vite më parë. E pse? Sepse dje ruheshim, se vinim nga viti famëkeq 1997 dhe e dinim situatën e kriminalitetit. Sot ecim lirshëm nëpër Shqipëri, sepse besojmë se jemi të sigurt, por që në fakt, jemi më të pasigurt se dje.

Sa shumë do të doja i dashur Dori që të kishim ecur 15 vjet përpara, e jo 15 vjet pas.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)