Nuk duhet pritur 23 qershori!

0
35

Nga Mero Baze, 27 Shkurt 2013

Edhe nëse nuk do të publikohej kurrë kjo fotografi, ajo që kam pasur në mendje ditën që komisar Dritani ishte i dëshpëruar pse një i ndaluari i tij ia kishte arritur ta hiqte nga detyra, ishte pikërisht kjo pamje. Katër drejtorët më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, të mbledhur në lokal në periferi të Tiranës, me një person me precedentë penalë në krye të tavolinës, me servis përpara për secilin nga pjesëtarët e drekës, me një çifteli që shëtit dorë më dorë si simbol i tribalizmit dhe vëllazërisë mes tyre… Janë katër njerëzit më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit shqiptar. Mungon Hysni Burgaj, i cili me letra është Drejtor i Përgjithshëm, por që e ka të pamundur të ulet në tavolinë, thjesht se ata, “kupola”, e quajnë të parëndësishëm.

Këta katër persona janë njëkohësisht dhe njerëzit e ngarkuar nga detyra të hetojnë vrasjen. Këta kanë njohur dhe autorin, dhe viktimën, dhe para se të ndodhte ngjarja, kanë qenë në anën e autorit të dyshuar të krimit. Sapo kanë mësuar për ngjarjen, kanë shkuar tek vendi i krimit dhe i kanë lënë kohë së paku tre orë e gjysmë të dyshuarit të dalë jashtë Shqipërisë normalisht, pa e ndaluar në pikat kufitare. Biles dhe kur i kanë shkuar për kontroll banese, kanë raportuar fillimisht se nuk kanë gjetur gjë dhe vetëm kur u bë publik arrestimi, kanë rikontrolluar shtëpinë dhe kanë gjetur armë.

Nuk dua ta thelloj më tej paranojën, pasi kam qenë i qartë qysh kur ndodhi krimi se shkaku real i vrasjes së komisarit ishte se pushteti nuk ishte në anën e tij, por në anën e të dyshuarit për krim.

Ajo për të cilën duhet të diskutojmë tani është se Ministria e Brendshme dhe Kupola e Policisë së Shtetit, nuk kanë vrarë vetëm komisar Dritan Lamajn, por kanë vrarë përfundimisht besimin tek publiku për luftën kundër krimit. Në një konflikt mes një zyrtari të policisë dhe dhunuesit të policisë, ata kanë marrë anën e dhunuesit të patrullës së policisë, me arsyetimin se autori është sponsor i PD-së. Pastaj kanë shkarkuar komisarin duke inkurajuar dhunuesin e policisë, dhe më së fundi duket qartazi se kanë kompromentuar rëndë dhe hetimin për dënimin e tij.

Pas kësaj mos prisni më që ndonjë polic në Shqipëri të përballet me krimin në rrugë. Ata duhet të pyesin një herë me çfarë partie është krimineli, pastaj të veprojnë. Mos prisni më që prokuroria apo gjykatat të ndëshkojnë krimin, pasi duhet të pyesin një herë se mos autori është me PD. Pas kësaj, mos prisni më që policia të jetë në anën e qytetarit. Më e pakta që mund të bëjë është të bëjë sikur nuk shikon. Kjo foto jo vetëm që fut në krizë besimin publik tek Policia e Shtetit, por fut në kaos aftësinë e saj për të qenë një garante e sigurisë publike.

Për t’u vendosur normaliteti, nuk mjafton vetëm dorëheqja e Flamur Nokës. Ai duhet të zhduket dhe nga ekranet dhe jo më nga politika. Për t’u rikthyer besimi tek opinioni publik, duhet që të pastrohet gjithë kupola e Ministrisë së Brendshme, bile po ka mundësi dhe portieri i Ministrisë. Në një vend ku kriminelët vendin më të sigurt kanë Ministrinë e Brendshme, nuk do të ketë kurrë qetësi.

Nëse ka një rast kur opozita duhet të demonstrojë fuqinë e saj politike kundër krimit, është ky. Duhet doemos jo vetëm të nis një valë protestash për dorëheqje të Ministrit të Brendshëm dhe Kupolës së Ministrisë së Brendshme, por duhet vendosmëri deri në fund. Protestat e përditshme para Ministrisë së Brendshme duhet të jenë qartësisht politike, si demonstrim i vullnetit politik për ta ndryshuar këtë situatë.

Duke vrarë katër demonstrues paqësorë më 21 janar, Sali Berisha mendon se ka trembur shqiptarët me kriminelë politikë dhe nuk guxon më njeri të ngrihet në protestë.

Opozita ka rastin ta thyejë këtë mit. Nëse shkohet deri në zgjedhje me këtë kupolë policie të inkriminuar, me këtë Ministër të Brendshëm, që nuk e ftojnë në atë tavolinë thjesht se u duket budalla, dhe me këtë lidhje të fortë të policisë me krimin, opozita do ta ketë të vështirë të fitojë betejën me krimin.

Kjo shkallë e lartë inkriminimi, i bën këta njerëz të jenë të vendosur për të mos lejuar rotacionin politik dhe për të përdorur krimin për mbështetje politike.

Italia e 40 viteve më parë ishte një vend ku qytetarët nuk protestonin dot kundër mafies pasi nuk kishte kush t’i mbronte. Kjo ngjallte frikë. Një situatë e ngjashme është në Shqipërinë e sotme. Sali Berisha, shërbëtori i mafies shqiptare dhe rajonale në pushtet, po përpiqet ta paraqesë si vlerë të tij që ka trembur shoqërinë me vrasje politike dhe me mafiozë të lidhur me pushtetin. Ky mit duhet vrarë. Ky është krimi më i madh që ai ka bërë ndaj shoqërisë shqiptare. Ai ka vrarë për të na trembur dhe tani po vazhdon të vrasë për llogari të krimit.

Unë nuk shikoj asnjë rrugë tjetër veçse të dilet në protesta të vazhdueshme ditore, ndoshta maratonë, derisa nga ajo ndërtesë të dalë dhe ortaku i fundit i mafies shqiptare. Nuk është fjala për Flamurin dhe as Agron Kuliçin. Duhet t’i shpëtojmë dhe ata nga detyrimet që kanë ndaj mafies. Le të kenë dhe ata një alibi që nuk i shërbejnë dot më tutje atyre, se nuk i lejuan, dhe të kthehen të qetë në shtëpitë e tyre, për të qenë njerëz më të lirë dhe më të sigurtë. Ajo godinë duhet pastruar nga të qenit Kupolë e krimit. Ajo duhet mbajtur e rrethuar si një ndërtesë nën “karantinë” derisa të sigurohemi se vatra e fundit e infektimit të policisë me krimin, të jetë shuar. Nuk duhet pritur 23 qershori. Mund të jetë vonë për të gjithë. Dhe për vetë Kupolën.