Ministri që ka vrarë më shumë komisarë se kriminelë

0
56

Nga Mero Baze, 26 Shkurt 2013

Dua të ndalem tek “Fenomeni Flamur Noka”. Vrasja e fundit e komisar Dritan Lamaj më bën të ndihem përgjegjës. Ajo që unë ndjej si përgjegjësi ka të bëjë me dy çështje.

E para, është se humori im me këtë personazh e tërhoqi Sali Berishën në një karshillëk të rrezikshëm, që ashtu siç poshtëronte njerëzit e vet në PD duke ua vënë Flamurin si bari tek koka, ashtu mund të poshtëronte dhe shqiptarët duke ua vënë ministër. Por problemi është se niveli i kriminelëve në vend është mbi nivelin e Flamurit, dhe ata nuk e morën asnjë sekondë seriozisht si ministër. As ata dhe as kupola mafioze e policisë së shtetit, që po ashtu tregon barsoleta për të. Kjo bëri që ky njeri të arrinte rekordet më të zeza në historinë e krimit në Shqipëri.

E dyta ka të bëjë me Dritan Lamajn. E kam pas njohur Dritan Lamajn dhe nuk dua tani pas vdekjes të përfshihem në polemikat për vrasjen e tij, përderisa nuk ia shpëtuam dot jetën. Por e kujtoj me dhimbje një detaj nga dita kur e hoqën nga komisariati i Kombinatit disa muaj më parë. Më takoi së bashku me një koleg tjetër të njohur gazetar, dhe ishte i dëshpëruar pasi personazhet me të cilët ai kishte hyrë në konflikt për shkak të detyrës, i ishin betuar që do ta hiqnin nga shef komisariati dhe ia arritën. Flamur Noka i ishte justifikuar se një nga personazhet në konflikt ishte sponsor i PD-së dhe nuk kishte çfarë t’i bënte, dhe së dyti ishte dhe problemi se Dritani ishte parë të pinte kafe me mua dhe Filip Çakulin si gazetarë dhe kjo ishte rrethanë rënduese.

Kur Dritani ma tha këtë atë ditë që e transferuan, u ndjeva përgjegjës që mes të tjerash ai po paguante dhe për shkak të njohjes sime dhe kolegut tim me të. Po paguante taksën e një shteti klasor, krahinor dhe klanor. Atë po e hiqnin e para se nuk e pranonin si njeri të PD-së, e dyta se ishte i vetmi shef komisariati nga jugu në Tiranë, dhe e treta se nuk i përkiste klanit të policisë së shtetit që komandon trafiqet në gjithë Shqipërinë. Për këtë arsye u spostua duke trimëruar kundërshtarët e tij për shkak të detyrës, dhe në fund u la në mëshirë të fatit.

Shqipëria nga Saranda deri në Tropojë është e mbushur me rreth 45 drejtues policie nga katundi i Flamurit, dhe pjesa tjetër nga Tropoja, a thua se ky vend mezi ka pritur kuksianët dhe tropojanët të shpëtonte nga krimi. Kjo statistikë vrasëse, mes të tjerash fyen dhe ata dhjetëra policë dinjitozë nga Kukësi dhe Tropoja që e meritojnë vendin e tyre të punës dhe që tashmë janë të përfshirë në një listë alergjike që e ka nxitur klientelizmi, krahinarizmi dhe shteti klasor i Sali Berishës.

E solla këtë detaj për të treguar se komisarët nuk po vriten rastësisht apo nga mungesa e profesionalizmit, por nga mbështetja e pushtetit për luftën kundër krimit. Komisari i Shijakut u vra nga njerëz që ishin militantë të PD-së dhe kanë qenë kryetar shtabesh të fushatave elektorale të deputetëve të PD-së. Dritani po ashtu. Mbi të gjitha ata po vriten si njerëz, të cilët punojnë në “të zezë” në polici, pasi puna reale e drejtuesve të policisë së shtetit tani nuk është lufta kundër krimit, por kontrolli mbi punët kriminale në vend.

Flamur Noka nuk ka nën kontroll as policinë e shtetit dhe as kriminelët. Agjenda e tij ditore është axhendë politike. Ai kriminelët i quan sponsorë të PD-së, pasi i kanë dhënë lek ndonjëherë, rezultatet e komisarëve i mat me numrin e mitingjeve të prishura kundër opozitës dhe sasinë e mbështetësve të opozitës së arrestuar, dhe mbi të gjitha nuk e kupton dot se Shqipëria nuk fillon në Topojan të Kukësit dhe nuk mbaron në Shemëri të Kukësit, ndaj dhe policia e shtetit që ka qindra profesionistë nuk mund të komandohet vetëm nga policë kuksianë, që njeh Flamuri.

Sali Berisha nuk është një kryeministër që nuk e di rëndësinë e rendit publik. Kur ai erdhi në pushtet në vitin 2005, shumicën e pikëve vitin e parë të pushteti i fitoi duke luftuar krimin dhe duke motivuar policinë kundër krimit. PD vazhdon të mburret akoma me arrestimin e bandave që terrorizonin qytetet dhe ishin të lidhura me lobe politike. 8 vjet më vonë, jemi në situatë të kundërt. Kriminelët drejtojnë dhe komandojnë policinë e shtetit dhe bëjnë ligjin brenda saj.

Sali Berisha e mbron këtë njeri, se nuk e pranon dot se si krimi nga një anë, dhe shoqëria nga ana tjetër, nuk i binden këtij njeriu si ministër i Brendshëm, edhe pse është qesharak, ashtu siç i është i bindur edhe PD-ja. Është e thjeshtë Sali Berisha. Shqipëria është më dinjitoze se ajo hale që ti pshurr çdo ditë dhe e quan PD. Me këtë zhgarravinë, vazhdo fyej dhe poshtëro PD-në, vërja shef Genc Rulit dhe Genc Pollos, Eduard Selamit dhe Sokol Olldashit, biles tani që do bëhet dhe doktor shkencash në mjekësi, vërja dhe Lirisë si “mentor” për mjekësinë, por Shqipëria nuk ta ka borxh.

Flake sa më shpejt se ke për ta pësuar pikërisht nga krimi. Shumica e sundimtarëve e kanë pësuar në fund të jetës së tyre pikërisht nga ajo gjë, me të cilën kanë abuzuar më shumë. Ti po abuzon me të drejtën tonë për të jetuar në shoqëri të sigurt, duke na vënë në krye të vendit një idiot. Ke për ta pësuar nga ata që na i ke lëshuar në shpinë të gjithëve, vetëm se do të na poshtërosh duke na detyruar të pranojmë për ministër një copë muti që as kriminelët nuk denjojnë ta shkelin me këmbë.