Rënia e Sali-shtetit

0
112

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 13.01.2010

Raporti i përvitshëm i organizatës “Freedom House”, rikonfirmoi dje atë që prej kohësh Shqipëria po e vuan: Pushteti ekzekutiv në vend ka rënë, në krye të qeverisë me vota të vjedhura është një bandë plaçkitësish dhe mafiozësh, që për hir të interesave të tyre ekonomike janë gati të bëjnë gjithçka kundër popullit të tyre, me çfarëdolloj çmimi, me çfarëdolloj kostoje politike, ekonomike dhe sociale, të cilat i paguan populli.

Ai gjithashtu është një thirrje që u bëhet institucioneve të pavarura për të mos u bërë mantenuta të qeverisë, opozitës që të ndërmarrë aksione ligjore edhe efikase për të nxjerrë vendin nga bataku politiko-social ku ka rënë dhe medias së pavarur për të shpëtuar degradimin e pakthyeshëm të vendit, pavarësisht metodave (in)direkte të presionit që u bëhet nga qeveria dhe veglat e saj.

Ajo që për shumë vende është një hap përpara, për Shqipërinë është një tablo e zymtë. Në hartën e raportit të organizatës, Shqipëria është e shënuar me portokalli, me të njëjtën ngjyrë si disa vende të tjera të rajonit si FYROM, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Turqia apo ish-Republika Sovjetike si Moldavia, Armenia, Gjeorgjia, apo Osetia e Jugut dhe vende të pastabilizuara në Afrikë, Azi, Amerikë apo ishujt e Paqësorit.

Por, hartuesit e raportit, nxitojnë të ndajnë nga harta e vendeve pjesërisht të lira, vende fqinje si Kosova, duke thënë se ajo ka bërë hap përpara, duke kaluar nga një vend jo i lirë te një vend pjesërisht i lirë, çka lidhet me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve vendore për herë të parë nga vetë organizmat e Kosovës, atë që për turp të qeverisësve të sotëm dhe avokatëve të tyre ndërkombëtarë nuk arriti ta bëjë qeveria e Sali Berishës në qershor 2009.

Ajo çfarë ka lënë Shqipërinë në listën e zezë është ajo që shqiptarët po e provojnë mbi kurrizin e tyre: mungesën e një qeverie të përgjegjshme, europianiste dhe veçanërisht popullore dhe sundimin në vend të saj të një bande plaçkitësish nga e djathta të në të majtë të mbledhur për të marrë secili nga një llokmë të majme prej pasurisë së shqiptarëve.

Raporti, si për ironi të fatit publikohet në javën e dytë të përmbytjeve të zonës veriperëndimore të Shqipërisë, jo prej Zotit, siç mundohet me neveri ta servirë para shqiptarëve dhe qeverive e agjencive të huaja kryeministri i vendit, por prej qëllimit të qeverisë së tij për të mbledhur sa më shumë ujë prej reshjeve nëpër basenet e hidrocentraleve për të nxjerrë miliardat nga trafiku fitimprurës i energjisë dhe makutëria e paskrupullt e kryeministrit për të bërë biznesin energjetik dhe për të mbushur buxhetin e zbrazur nga qeverisja piramidale që ka instaluar në vend.

Dy dekada pas rrëzimit të sistemit diktatorial Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë, sepse në pushtet është ende kryeministri Sali Berisha dhe në qeverinë e tij ministra që kanë vrarë, vjedhur dhe së fundi plaçkitur dhe përmbytur shqiptarët.

Ishte qëllimi dhe vullneti i Sali Berishës që në Shqipëri të shpërthente Gërdeci, ku bëhej tregtia përrallore me municionet, të binte rruga e kombit që ka ngrënë dhe vijon të gëlltitë paratë e buxhetit të shtetit, të përmbytej gjysma e vendit, për të mos rrezikuar digat e hidrocentraleve, me të cilat banda qeverisëse kishte llogaritur të bënte biznesin e eksportimit të energjisë.

Nën urdhrat e tij kanë qenë ish-ministrat e këtyre skandaleve. Fatmir Mediu është prej shtatorit 2009 ministër Ambientit edhe pse ishte zbatuesi i tragjedisë qeveritare të Gërdecit.

Berisha dhe partia e tij bënë të pamundurën për ta nxjerrë të pafajshëm nga drejtësia, duke u bërë presion me mandatin e ri të deputetit, ndërsa kishin luftuar stoikisht që atij të mos i hiqej imuniteti.

Lulzim Basha ishte zbatuesi i rrugës më të kushtueshme në historinë moderne të vendit, tashmë jashtë funksionit, sepse puna pa projekt solli rrëzimin e tunelit, ndërsa segmentet rrugore po degradojnë dita-ditës. Sali Berisha investoi gjithçka pranë drejtësisë shqiptare që dosja e rrugës së mbyllej dhe Basha është prej shtatorit Ministër i Brendshëm.

Precedenti i tyre është një lehtësim i madh për ministrin aktual të Energjetikës, Dritan Prifti, i cili sypatrembur refuzon të japë dorëheqjen dhe nuk ka ndërmend ta japë, pasi jo vetëm ai e di se “komisari” i ujërave, digave dhe biznesit të energjisë është direkt kryeministri dhe ai vetëm sa ka zbatuar urdhrat e tij.

Ndërsa në Shqipëri krimi nuk është ndëshkuar dhe qeveria është e vendosur të bëjë krime të tjera, apeli që bëhet për shqiptarët është ai që me shumë droje dhe sforco po mundohet ta artikulojë opozita shqiptare: rrëzimin sa më të shpejtë nga pushteti i kësaj bande plaçkitësish të paskrupullt të udhëhequr nga Sali Berisha, sepse pushteti i tij ekzekutiv ka rënë prej kohësh dhe katastrofa të tjera do të sjellë për shqiptarët nëse nuk rrëzohet.

Një apel edhe për organet e drejtësisë për rihapjen e dosjeve dhe ndëshkimin e kriminelëve të veshur me pushtet, ndryshe Shqipëria në raportin e ardhshëm të Freedom House do të përfundojë te zona gri, një vend jo i lirë, siç ishte dy dekada më parë.