Krasniqi: PD e PPSH ishin bashkë kundër grevës së studentëve më 1991

0
88

Interviste, Shqiptarja.com, 20.02.2013)

Afrim Krasniqi, 20 shkurt 2013

Kush ishte arsyeja që çoi në organizimin e grevës së urisë së studentëve?

Në dhjetor u krijua PD dhe pluralizmi, por në muajin janar 1991 pati tri zhvillime negative: me 12 janar nisën antimitingjet në Tepelenë dhe Tropojë kundër PD dhe me parulla pro diktatorit Hoxha; në javën e dytë Ramiz Alia nxori dekretin për mbrojtjen me ligj të figurës dhe emrit të diktatorit, dhe po ato ditë Partia Demokratike në marrëveshje me Alinë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve pranoi kushtin për ndërprerjen e grevave deri pas fushatës elektorale. Vendimi për ndërprerjen e grevave ishte goditje indireklt ndaj studentëve dhe minatorëve, dy kategori të shprehura hapur kundër regjimit dhe që vazhdimisht promovonin kërkesa politike. E tillë ishte edhe kërkesa e studentëve për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga universiteti i Tiranës.

Nuk kishte kuptim që të kishim pluralizëm politik dhe të shkonim në zgjedhje me Hoxhën në diplomë dhe universitet. Ndaj studentët iniciuan protestat e para në fillim të muajit shkurt dhe ngjarjet morën rrjedhë të pakthyeshme në javën e dytë të muajit. Kur protestat arritën pikën kulmore dhe regjimi nuk tregoi tërheqje atëherë mbeti akti ekstrem, hyrja në grevën e urisë. Kjo ndodhi me 18 shkurt dhe pas 72 orësh u arrit objektivi i grevës, busti i Hoxhës ra dhe emri i tij iu hoq universitetit të Tiranës. Kjo fitore ishte e dyfishtë: sepse greva studentore ia arriti qëllimit dhe sepse ajo nxori në pah lojën e fshehtë të regjimit për një sistem demokratik të kontrolluar dhe të dirigjuar nga lart.

Cili ishte roli i partive politike në atë periudhë?

PPSH çuditërisht u soll në mënyrë më ekstreme sesa në dhjetor 90. Në fillim ndodhën disa zhvillime negative në Shkollën e Bashkuar dhe përdorimin e skemave ushtarake për shtypjen e studentëve, skemë e përdorur pa sukses edhe në dhjetor. Opozita denoncoi sjelljen e ushtrisë dhe dha alarmin për grusht të mundshëm shteti. Atëherë regjimi përdori një formë tjetër presioni, vendosjen e studentëve përballë shumicës popullore ende pro PPSH dhe pro diktatorit Hoxha. Ramiz Alia udhëtoi në Vlorë nga ku kërcënoi studentët, kurse në disa qytete nisën mbledhja e firmave për organizimin e shoqatës Vullnetarët e Enverit. Në atë organizatë morën pjesë mijëra qytetarë, përfshirë edhe emra që sot janë aktivë në politikë, madje janë deputetë dhe ministra. Presioni i tyre me peticione e antimitingje ashtu edhe deklarimet e shumta në mediat zyrtare kundër studentëve synuan të krijojnë idenë se studentët po përçarje vendin dhe ndaj duhen ndalur.

Pikërisht në këtë moment studentët kërkuan mbështetje nga PD, PR dhe partitë e tjera politike. Fillimisht PD ishte vëzhguese, por në 11-14 shkurt 1991 ajo u përfhsi në një garë të ashpër brenda saj për zgjedhjen e kryetarit. Fillimisht u zgjodh Meksi dhe pas anullimit të votimit, me 14 shkurt u zgjodh Berisha kryetar. Atëherë drejtuesit e PD mendonin se studentët po tejkalojnë limitet e lejuara dhe retorika ndaj studentëve grevistë shkoi deri atje sa ti konsideronin mjet presioni nga vetë Ramiz Alia. Ka një deklaratë të botuar të kryesisë së PD ku flitet kundër nismave që duan të destabilizojnë vendin, dhe fjala është për studentët.

Falë procesverbaleve origjinale të mbledhjeve të kryesisë së PD me 14, 16, 18, 19 dhe 21 shkurt 1991 rezulton se shumica absolute e kryesisë së PD, përfshirë drejtuesit kryesorë të saj, ishin kundër grevës së urisë së studentëve dhe kërkonin mbylljen e saj, rikthimin e studentëve në auditor. Fjalitë më të përdorura në kryesi ishin: “studentët na kanë dalë jashtë kontrollit, nuk pyesin për ne, studentët ia arritën qëllimit sepse sensibilizuan opinionin ndaj duhet të tërhiqen, të pranojnë zhvillimin e një referendumi për emrin ose ndarjen e universitetit në katër pjesë dhe kështu ti japin fund grevës”. Madje pati hyrje në grevë me kërkesën e mbylljes së saj të disa figurave politike të ardhur nga diaspora apo organizata të tjera brenda vendit, të cilat vinin me lejen e krerëve të PD dhe PPSH dhe me mesazhin e tyre.

Të gjitha këto deklarime bëheshin në formë oferte edhe nga Alia, pra kishte një konsensus në bisedimet midis PPSH dhe PD kundër grevës së urisë së studentëve. Ky është një fakt i njohur për të cilin është heshtur në këto vite, herë duke dashur të mos i prishet punë PD në fushata elektorale dhe herë duke mos dashur të pranohet afërsia midis drejtuesve të PD dhe Ramiz Alisë. Por fakti është një dhe në shkurt 1991 PD e PP ishin kundër grevës së urisë së studentëve. Vetëm kur greva nisi dhe situata u përshkallëzua atëherë PD u detyrua të ndryshojë qëndrim dhe të marrë anën e studentëve.

Edhe atëherë ajo kishte dyzime nga frika se mos gjendja e jashtëzakonshme mund të çonte në anulimin e zgjedhjeve. Mund të jetë një frikë e justifikueshme për kohën, por jo e justifikueshme në raport me studentët dhe aktin e tyre historik. Kur sheh sot politikanë që thurin lavde pafund për 20 shkurtin dhe grevën e urisë ndërkohë që 22 vjet më parë ishin në anën tjetër të grevës, ndjen keqardhje dhe trishtim mbi deformimin në gen që vijon ti bëhet të vërtetave të mëdha në historinë e këtij vendi.

Kush mori pjesë në grevën e urisë? Ka shumë emra, debate por nuk ka lista të plota?

Publikisht është thënë se ka pasur 723 studentë e pedagogë. Asnjëherë nuk është gjetur një dokument i saktë mbi pjesëmarrjen. Kemi disa fakultete, si ai gjeologji-miniera, i histori-filologjisë, i ndërtimit, i mjekësisë, i bujqësisë, i arteve, i shkencave politike e juridike, i sporteve, i ekonomisë, etj, të cilat kanë lista të sakta pjesëmarrësish, që janë siguruar nga kopjet origjinale të atyre që i kanë mbajtur gjatë grevës së urisë. Ka fakultete të tjera sidomos të inxhinierisë mekanike/elektrike dhe shkencave të natyrës ku listat nuk janë të plota dhe askush nuk del të publikojë një listë të saktë.

Në fakt lista ka qenë e saktë në grevë, por pas grevës është marrë nga komisioni organizator dhe siç është thënë më vonë, ka humbur. Nuk ka listë të plotë as në arkivin e ministrisë së brendshme, të SHIK dhe as në institucionet e tjera shtetërore. Gjithsesi lista e saktë e mbajtur nga hartuesit e saj origjinale dhe ajo gjysmake e mbledhur me dëshmi janë publikuar në librin tim të vitit 1998 “Fundi i Siberisë Shqiptare”. Nuk ka publikim tjetër.

Vlen të theksohet se ka pasur disa pjesëmarrës të cilët kanë hyrë ditën e dytë në grevë, siç ka të tjerë që kanë ikur ditën e dytë pa u mbyllur greva ose ka ndonjë që është përjashtuar nga greva për akte të ndryshme. Sot të gjithë e quante veten grevistë dhe në varësi nga lidhjet politike vrapojnë të ndajnë merita, që në fakt nuk janë dhe nuk mund të jenë të njëjta për të gjithë. Mjafton të shikoni fotot që publikohen vazhdimisht në media për grevën dhe një pjesë e tyre përbëhen nga vizitorë të rastësishëm të grevës, kryesisht reporterë gazete, përfaqësues të Komitetit të Helsinkit, politikanë etj, të cilët nuk janë grevistë dhe nuk kanë lidhje reale me të. Është një ngjarje historike ku shumë duan të jenë pjesë e suksesit të saj, por pak kanë qenë realisht meritor të saj.

Po ndodh si me dhjetorin 90 ku ka një dallim të madh midis asaj pakice që dolën në protestë, bojkotuan mësimin, u përleshën me policinë dhe krijuan pluralizmin, dhe asaj pjesë ndofta më të madhe që nuk mori pjesë në asnjërën fazë të mësipërme, por ishte hezituese, spektike, spektatore ose kundër ecurisë së protestës. Sot ka ende politikanë që shënojnë veten si pjesëmarrës të kësaj lëvizjeve kur në fakt nuk kanë asnjë lidhje me të, përveç faktit se kanë qenë në Tiranë ato ditë. Dy janë dokumentet bazë që provojnë dhe njohin kontribute historike: janë lista e nënshkruese të themelimit të PD si themelues edhe të pluralizmit dhe lista e grevës së urisë. Kush është jashtë tyre, me ndonjë përjashtim, nuk mendoj se ka shumë të drejtë të identifikohet dhe imponohet në emër të Lëvizjes Studentore.

Kush ishte fati i studentëve grevistë dhe i universitetit?

Një pikë kritike për zhvillimet e vitit 1991 mbetet vendimi për mbylljen e universitetit të Tiranës dhe dënimin e studentëve për kthim në vendlindjet e tyre. Duket e habitshme por vendimi i marrë në atë kohë nga Ramiz Alia, kryeministri Nano dhe ministri i arsimit Islami gjeti mbështetje tek opozita, përfshirë PD. Nuk pati asnjë akt zyrtar publik kundër, përkundrazi. Pra pati një ndëshkim konsensual mbi studentët dhe kjo përbën një nga aktet e fundit konsensuale që bëri të mundur nxjerrjen e studentëve jashtë skenës politike. Më pas nisi fushata, vetëm 3-4 studentë u përfshinë në listat elektorale dhe pas zgjedhjeve ndodhi 2 prilli dhe përfundimisht nuk pati më akte politike në mbështetje të studentëve dhe as hapësirë për veprimin e tyre. shumë prej tyre u larguan në mars ose më vonë nga Shqipëria dhe sot pothuajse gjysma e tyre nuk ndodhen më në Shqipëri, përfshirë edhe një pjesë të komisionit organizator të grevës.

Nga ana tjetër duhet të theksohet se protesta e nisur në maj 1991 pro minatorëve të Valiasit gjeti mbështetje nga studentët, por vetë partitë përfshirë PD nuk e nxiti dhe as e mbështeti më tej, pasi siç u mësua më vonë, ajo kishte rënë dakord me PPSH për krijimin e një qeverie të përbashkët midis dy palëve, pra midis partisë antikomuniste dhe asaj komuniste. Kjo shënoi fundin e protestave qytetare dhe studentore dhe nisjen e pluralizmit të prapaskenës, me marrëveshje të fshehta ose të hapura midis krerëve të djathtës dhe të majtës sa herë ato kanë pasur interesa pushteti. Gjë që vijon të ndodhë edhe sot qoftë me kompozimin e koalicionit qeverisës, qoftë me ndryshimet kushtetuese.

Çfarë ka mbetur nga greva studentore dhe kujtimet e saj?

Pothuajse asgjë përveç vetë pjesëmarrësve dhe respektit që ata kanë për veten e tyre. Në Shqipëri ka mijëra libra mbi individë pa ndonjë meritë publike, kurse për grevën e urisë ka vetëm tri botime, edhe këto nga protagonistë të atyre ngjarjeve, jo nga institucione apo njësi studimore. Shumë herë politika sidomos PD premtoi ngritjen e një memoriali përkujtimor me emrat por pas 22 vitesh nuk është bërë asgjë. Përkundrazi, qeveria e sotme nuk pranoi idenë që Kinoklubi në qytetin Studenti të ruante një vlerë muzeale, duke e bërë njëherë vend të lojërave të fatit dhe më pas duke ia ndryshuar të gjithë strukturën dhe bërë mjedis universitar.

Të vetmet simbole ende ta pandryshuara kanë mbetur emri i Arben Brocit, një tabelë në krah të ambasadës italiane dhe ndonjë shenjë tjetër nderimi që në fakt janë bërë nga FRPD më 1994-1995. Në muzeun kombëtar nuk ka asnjë material që lidhet me grevën, në tekstet zyrtare ajo kalon me dy reshta ndërkohë që i jepen faqe të tëra biografisë së kryeministrit, nga media vizive nuk ka asnjë dokumentar specifik dhe kështu me këtë ritëm shumë shpejt do të vijë dita kur do flitet për diçka të largët, pa emër dhe pa detaje reale. Qeveritë janë përpjekur ta keqpërdorin kujtimin e kësaj lëvizjeje, duke sjellë dëme jo të vogla.

Aq absurde është kjo saqë për vit kryeministri aktual mban fjalime e nderon me fjalë populiste studentët e dhjetorit, sikur bëhet fjalë për 100 vjetarë dhe jo për njerëz të gjallë me emër e mbiemër, që janë në moshë familjare dhe ndodhen në Tiranë, në rrethe dhe në shumë kryeqytete të botës, të harruar, braktisur, denigruar dhe të zhgënjyer nga politikanë e politika të tilla mosmirënjohëse dhe populiste. Pavarësisht përpjekjeve për të shpikur protagonistë zyrtarë e diferencuar emra pro qeverisë në ngjarje të tilla, me siguri do të vijë një ditë kur arkivat të hapen, arsyeja të dominojë mbi interesat retorike elektorale dhe kur të gjitha faktet, emrat dhe ngjarjet të marrin vlerësimin e merituar.

Së fundi duket tërhequr vëmendja në një fakt: çfarë donin brezi studentor më 1990? Thjesht më shumë parti? Jo kërkonin Shqipërinë si gjithë Evropa, kërkonin integrim dhe zhvillim, kërkonin universitet jopartiak dhe vota të fshehta e të lira. Me trishtim duhet thënë se pas 22 vitesh asnjëra prej tyre nuk është arritur. Kemi shumë parti, shumë qeveri, shumë deputetë, shumë ministra, shumë fjalime, por bilanci konkret është se Shqipëria ende nuk është pjesë integrale e Evropës, integrimi ka mbetur premtim i pambajtur, vota ende nuk numërohet, universiteti është po aq partiak sa atëherë, gjendja ekonomike është në shifra alarmante.

Këto janë dështime jo të studentëve, jo të lëvizjes studentore, por të atyre që përfituan nga revolucioni për të marrë frytet e saj për veten, familjet e miqtë, pra për ata politikanë që deshën të zëvendësojnë regjimin e vjetër me regjimin e ri ku vetë drejtojnë, byronë e vjetër me byronë e re ku vetë drejtojnë, pra bustet e vjetra me bustet e reja për vetveten. Ndaj sot në Shqipëri nuk ka një rrugë me emrin e Lëvizjes Studentore por ka një bulevard me emrin e kryeministrit, sot 8 dhjetori nuk përkujtohet më si dita kur studentët ndryshuan sistemin, por si dita kur kryeministri hapi llogari në facebook! Mjafton kjo për të kuptuar deformimin e madh që ka ndodhur mbi projektin qytetar, moral dhe rinor të dhjetorit 90 dhe shkurtit 1991.

Intervistë me Afrim Krasniqin, ish student pjesëmarrës në themelimin e PD 1990 dhe në grevën e urisë 18-20 shkurt 1991

Titulli i botuar ne gazete eshte i redaksise, jo i autorit.