Eduard Selami në ‘ditë të hallit’ me jetën në SHBA?

0
81

TemA, 19 Shkurt 2013

Dalja më e fundit e Eduard Selamit në KLAN i bëri shumëkujt përshtypje dhe çudi, nisur dhe nga qëndrimet kritike të Selamit ndaj Berishës në 17 vitet e fundit. Por ajo çka shkaktoi diskutime të zgjatura ishte përpjekja për të gjetur motivet e vërteta që e bënë Selamin të bënte këtë ndryshim trajektoreje të papritur. Disa folën për ftesë të beftë dhe këmbëngulëse te Berishës, me qëllimin për të penguar negociatat e Selamit me partinë e Bamir Topit. Të tjerë folën për një “shqisë të gjashtë” të Selamit, i cili ka gjetur momentin më të përshtatshëm për të “futur këmbët” dhe për të luftuar për drejtimin e PD në këtë fund të mandatit të dytë e të shumëkonsumuar të demokratëve. Pati dhe nga ata që kapërcyen shumë me imagjinatë duke e shpjeguar mbërritjen e Selamit, si një “direktivë amerikane” etj. A mund të ketë shpjegime të tjera për të mbërritur te shtysat e kësaj lëvizje të Selamit?

E përditshmja “DITA” ka botuar sot informacione mbi jetën e Selamit në Shtetet e Bashkuara në dy vitet e fundit dhe rezultati është befasues: Selami duket në ditë të hallit. Gazeta në fjalë ka botuar faksimile të një dënimi gjykate amerikane ndaj Selamit, i cili është paditur për mosshlyerje të faturës për një shërbim dhëmbësh, e më tej një tjetër faksimile vendimi gjykate ku Selami rezulton i divorcuar dhe i nxjerrë jashtë nga shtëpia. Historia e botuar nga dita tregon një Selam krejt tjetër nga miti i krijuar në Tiranë (edhe emrin e ka të ndryshuar në Edward Selamaj). Sipas gazetës historia në fjalë zbulon arsyen e vërtetë banale të ndryshimit të papritur në qëndrimet ndaj Berishës.

“Nuk është një histori private e Edwardit apo Eduardit, aq më pak është e tillë kur bëhet fjalë për një person që nesër do jetë ligjvënës. Eduardi në fakt ngjason me të tjerë shqiptarë, më pak të njohur se ai, por njësoj të dëshpëruar e të papunë që shkojnë tek lokali poshtë LSI-së apo tek lokali ngjitur me Bashkinë e Kamzës ku rri Xhelal Mziu, me shpresën se “partia” do t’ua gjejë “një vend” e në këmbim shesin shpirtin e dinjitetin. Vetëm se në rastin e Eduardit, banaku ku u mbështet nuk ishte ai i Mziut, por ai i Fevziut, ndoshta i vetmi privilegj ky që i ka sjellë e kaluara e tij si ish-drejtues i lartë i Partisë Demokratike, e cila mund ta pranonte Selamin në kohë dhe në rrethana të tjera. Por jo. Berisha i do të tillë, njerëz të thyer e të nevojtosur,” shkruan Dita në editorialin shoqërues të këtij artikulli.

http://respublica.al/artikuj/2013/02/19/eduard-selami-ne-dite-te-hallit-me-jeten-ne-shba