Agron Tufa: Edvin Rama dhe gjoja strategjia për të përndjekurit… Më mirë te aleatja e vjetër, PD, por me kushte!

0
35

ResPublica.al, 16 shkurt 2013

Në një opinion te Panorama, Agron Tufa analizon se kush ka bërë më shumë për ish-të përndjekurit. Ai akuzon Kreshnik Spahiun se “gjatë gjithë viteve postkomuniste ka punuar në organet e larta të Drejtësisë, deri në KLD, është i shquar për një gjë: gjatë thuajse çerek shekulli ai nuk shtroi për zgjidhje asnjë problem të ndërgjegjes lidhur me krimet e komunizmit, nuk hapi asnjë gjyq, nuk bëri asnjë kallëzim penal, nuk pati asnjë strategji e asnjë farë nxitjeje për dekomunistizimin e Shqipërisë”.

Tufa rikthen emërtimin Edvin Rama, për të argumentuar se “krijoi edhe një strukturë në Kryesinë e PS-së, ku shtresa e të përndjekurve do të përfaqësohej në program me një strategji gjoja konkrete…” dhe analizon figurat e anëtarëve te grupit të punës për strategjinë “militantes së kësaj partie, Keti Bazhdarit, vajzë e një prej të përndjekurve politikë nga Shkodra.

Personi i dyti në këtë Kryesi, i angazhuar me këto çështje, është, siç e kemi parë në daljet publike me z. Rama, Bilal Kola, gjithashtu djalë i një të përndjekuri politik, Kurt Kolës” për të arritur në parashtrimin se bëhet fjalë për një parti “e cila vjen si trashëgimi e drejtpërdrejtë e diktaturës dhe kupolës komuniste, që i kishte persekutuar pa mëshirë ish-të përndjekurit, – një parti që ende ka në gjirin e saj dinozaurët e PPSH-së, hedh vështrimin nga votat e ish-të përndjekurve” e për ta mbyllur me pyetjen “gjatë gjithë këtyre viteve, kush ka ndryshuar – ish-të përndjekurit, apo Partia Socialiste (ish PPSH)?”

Edhe Bamir Topi nuk është më mirë sipas Tufës, sepse “Ne nuk gjejmë ndonjë frymëzim as të mëparshëm (kur Topi ishte drejtues i lartë i PD-së), as ndonjë ndjeshmëri personale të tij, kur ai ishte President.”

“Formacioni më i madh politik i së djathtës dhe partia e vetme që tradicionalisht i ka pasur me vete ish-të përndjekurit, dihet, është Partia Demokratike” thotë Tufa, për të vënë re se përfaqësimi i të përndjekurve është thuajse inekzistent në legjislacionin e fundit.

Prandaj, “llogaritë duhen bërë mirë me aleaten e vjetër, PD-në. E vetmja zgjidhje tek e cila shoqatat e ish-të përndjekurve mund të shpresojnë, është nënshkrimi i një kontrate të re të marrëdhënieve të saj me PD-në, e bazuar në një gjë konkrete: votat, pa u çarë në fronte të ndryshme, t’ia japë Partisë Demokratike… por tashmë me një kusht: bashkë me votat, edhe përfaqësuesit e saj!”

k.c.

E plotë:
http://www.panorama.com.al/2013/02/16/kriza-e-kauzes-zgjedhore-dhe-ish-te-perndjekurit/