Brokaj: Mjeku Berisha vuri dorë mbi kufomat

0
39

Aktualitet NGA JAKIN MARENA, 17 Shkurt 2013

TIRANE – Ish-ministri i Mbrojtjes, njëherësh ish-ministër Shëndetësie dhe njëri ndër mjekët më të njohur në vend, prof. Sabit Brokaj në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ka akuzuar Berishën si urdhëdhënësin e vrasjeve të 21 janarit ku humbën jetën katër demonstrues të pafajshëm, ndërsa e akuzon dhe për manipulimin e provave e fshehjen e krimit sipas tij shtetëror. Brokaj deklaron se mjekët, garda, gjykata, prokuroria dhe gjithçka janë nën presionin dhe kërcënimin e kreut të qeverisë, aq sa erdhi momenti që u rrëzua dhe ekspertiza e FBI, e kërkuar vetë nga qeveria shqiptare që solli zemërimin dhe reagimin sipas e vonë dhe të ambasadorit amerikan Arvizu. Për të përsa kohë të jetë Berisha në këtë post nuk ka demokraci, s’ka zgjedhje të lira e të ndershme dhe zbardhje të vrasjeve në Shqipëri, ndaj duhet larguar.

Prokuroria akuzon ekspertin Çardaku për manipulim të provave për vrasjet e 21 janarit. Komenti juaj?
Do mjaftonte vetëm kjo për të provuar që krimi është shtetëror. S’ka mjekë, ekspertë mjekësorë ndër vite te ne apo në botë që të bëjë veprime të tilla, të sajojë prova. Dihet formimi profesional, etika profesionale dhe përgjegjësia. Fakti që ky mjek bën këtë veprim, apo mjeku tjetër i spitalit ushtarak jashtë çdo lloj detyrimi shkencor, profesional, ligjor foli për llojin e armëve që kanë qëlluar, kur dihet që eskpertiza mjekësore merret vetëm me llojin e plagës e karakterin e dëmtimeve, jo në atë aspekt që ai foli për armë të lehta, të vogla etj etj., tregon shumë mirë krimin shtetëror. E dyta, me të gjithë këtë vertikale ku janë angazhuar të gjitha nivelet, Garda me krimin që qëlloi, policia, mjekët e ekspertizës mjekoligjore dhe ai i Spitalit ushtarak, gjykata dhe më saktë gjithë këto hallka të këtij sistemi zinxhir tregojnë një gjë: Se është autoriteti i lartë që i bën këta që të shkelin ligjin, të shkelin të vërtetat, të manipulojnë provat.

Dhe autoriteti më i lartë është ai që ka urdhëruar. Absolutisht nuk do ta detyronte atë mjek asnjë lloj kompromentimi dhe as kërcënimi për të bërë atë gjë që bëri, nuk do të detyronte mjekun e spitalit ushtarak të bënte atë pohim skandaloz, përçse autoriteti i atij që ka dhënë udhër. S’mund të bënin gjykatësit atë gjykim aq skandaloz, përveçse kur urdhëruesi i vrasjeve i ka urdhëruar apo kërcënuar ata. Prova e fundit për mua e mbylli rrethin apo ciklin e gjithë veprimeve të urdhëruara nga kryeministri i Shqipërisë. Do të mjaftonte vetëm kaq për të vënë gishtin se kush është urdhëdhënësi i vrasjeve të 21 janarit.

Ju jeni mjek, keni hasur ngjashmëri të futjes së duarve në prova kaq hapur, duke filluar nga diktatura deri te Hitleri…?
Në sistemet diktatoriale, e vërteta është se, sidomos në marrjen e pushtetit manipulojnë ndaj kundërshtarëve. Fjala vjen Hitleri, i vuri flakën Rajshtagut dhe tha se e bënë komunistët me Dimitrovin etj. Por ai pavarësisht se manipuloi ndonjë provë, ama nuk arriti që në plagë të fusë prova, apo të manipulohet më saktë mbi provat mbi kufomën apo mbi sendet e kufomës, pasi s’kishte pse ta bënte. Kështu që këtu del karakteri monstruoz i urdhërit të dhënë për manipulimin e provave. Edhe diktaturat i bëjnë si të thuash, me më shumë dinjitet krimet e tyre se sa është bërë ky gjesti i fundit për 21 janarin.

Reagimi i SHBA ka qënë vërtetë i ashpër pas dhënies së vendimit të pafajsisë për gardistët. Komenti juaj për këtë reagim të vonë?
Për mua ka dy anë. Një anë është për faktin se realisht Arvizu ishte mbrojtësi i Berishës. Berisha kështu ka bërë me shumicën e ambsadorëve amerikanë, pasi u blen mendjen në fillim, dhe ata e mbështesin. Kuptohet mbështetja vjen nga synimi për të ruajtur stabilitetin dhe pastaj kur ata konstatojnë shkelje të rënda të karakterit demokratik të qeverisjes apo të politikës së Berishës, natyrisht që reagojnë. Por tashmë Berisha u ka blerë mendjen e u ka shkelur “majën e këpucës”. Prandaj dhe Arvizu u kthye nga “Qabeja” që të mbajë atë qëndrim në favor të demokracisë dhe jo në favor të stabilitetit në diktaturë, siç e pati mbajtur në fillim ai. Ana tjetër më e rëndësishme, është fakti se u angazhua FBI dhe nuk mund të diskutohen provat e FBI-në në asnjë vend në botë dhe jo më nga drejtësia e kompromentuar e injorante në Shqipëri. Dihet fare mirë që ata gjyqtarë, për të mos thënë se dhe prokurorët kishin lënë hapësira për të manipuluar për gjyqtarët, gjithçka e kanë bërë nën presionin e urdhërdhënësit për vrasje. Prandaj, në këtë pikëpamje, amerikanët nuk mund të duronin dot më.

Për ta drejtësia dhe e vërteta është e shenjtë. Aq më shumë që dhe ata hynë në valle seriozisht, nuk u futën në valle si për Trebickën, që ishte vetëm një lojë ekspertiza, madje e padenjë për një vrasje. Ata hynë me FBI-në, të kërkuar nga Shqipëria zyrtarisht dhe ndërkohë që gjithçka duhej të mbështetej në ekspertizën e tyre, ajo u hodh në kosh. Vetiu që do reagonin amerikanët, aq më shumë që kursi i Berishës në këto muaj është tejet skandaloz, shumë i debatueshëm dhe shumë i rrezikshëm. Prandaj mendoj që pika derdhi kupën.

Ju thoni se reagoi vonë ambasadori amerikan…?
Berisha i ka shkelur Arvizu jo majën e këpucës, por krejt këmbën. Në kohën kur Arvizu duhej t’i thoshte Berishës nxirr kriminelët dhe vrasësit nga Kryeministria dhe çoi në prokurori, lante gojën. Shkonte te prokuroria dhe na zbuste ne për mllefin që kishim dhe nga ana tjetër nuk vente te Berisha që t’i thoshte që të nxirrte vrasësit, që rrinin në kryeministri dhe manipulonin provat. Tani Arvizu del e reagon. Reagon sepse është poshtëruar dhe natyrisht është përballë një shteti që nuk shkelet kollaj në autoritetin e tij. Kur i është angazhuar FBI në këtë valle. Ky ka qënë shkaku i jetëgjatësisë së Saliut, sepse i janë pranuar dhe krimet. Nuk kishte skandal më të madh se sa kur ambasadori fliste për deputetët apo për ndonjë organizatorët, sipas ndonjë informacioni të dhënë nga Ylli i SHIU-t të servirue nga Berisha, sepse demek do të bënin çudinë ata deputetët e PS, kur vrasësit i mbante Berisha në kryeministri dhe Arvizu nuk i thoshtë që t’i nxirrte, ndërkohë që bënte poza me Ina Ramën në krahun tjetër.

Mendoni që në këtë situatë të pafavorshme për të kreu i qeverisë mund të fusë duart te vota dhe çfarë duhet të bëjë opozita…?
Një person që urdhëron vrasje, që është implikuar realisht në krime, nuk e ka fort problem të merret dhe me komisionerët. Një person që ka përballë ekspertizën e FBI, pohimet e rëndësishme të autoriteteve më të larta amerikane për 21 janarin, apo të BE se ka për gjë të tallet me komisionerët për t’i blerë apo kërcënuar për t’i trembur ata. Aq më shumë që këto u bënë në TV e në mexhlis më 8 maj dhe shikohej qëndrimi i Saliu, jo më diku ku nuk shihet nëpër zona të thella, zgëqe apo shtëpitë e privatëve ku janë qendrat e votimit. Nëse do të flitej për zgjedhje realisht korrekte, ato do të fillonin nga Berisha. Me apo pa këto qëndrime të amerikanëve dhe të BE, Berisha do të luftojë për pushtetin, do të luftojë për të manipuluar votat dhe rezultatin. Nuk ka asnjë tërheqje. Unë e kam thënë dhe e përsëris se pluralizmi i vërtetë në Shqipëri fillon me largimin e Berishës. E gjitha është një farsë.

S’bëhet fjalë për pluralizëm, s’bëhet fjalë për demokraci kur njerëzit kanë ndoshta më shumë frikë se dje. Provoni një njeri në administratë që të flasë keq për PD e Berishën në vendin e punës, a do të qëndrojë më në punë. Shikoni sa mjekë firmosin nëpër deklarata apo sa intelektualë e njollosin veten duke firmosur nën komandën e shtetit vetëm për të mbajtur vendin e punës. Nuk ka intelektualë të shkolluar dhe tamam, se kata janë mender intelektualë që të firmosin udhërat e pushtetit, kur normalisht intelektuali i kohës duhet të jetë me opozitën ose nuk shprehet.

Pra ka pak shpresa…?
Më vjen keq që qoftë amerikanët apo gjithkush tjetër nuk kanë kuptuar gjënë më elementare dhe substanciale që s’ka pluralizëm me Berishën, nuk ka demokraci me Berishën. Gjithçka fillon pas tij. Atëherë të shohin se si do të shkojë, por garantoj se nuk përsëritet më Berisha në skenën politike shqiptare. Të gjitha këto që thuhen se do ndryshojmë, do ta korigjojmë, do ta pengojmë apo kontrollojmë zgjedhjet, janë në favor të Berishës. S’pengohet Berisha sa të jetë në post. Kujtoj dhe një detaj. Berisha ka qënë në opozitë dhe PS ka qënë në pushtet, dhe PS kishte frikë se do manipulonte Berisha. Kjo është mëse domethenëse për të treguar se aq më shumë kur ky njeri është në pushtet, nuk mund të arrihet asgjë e mirë. Më shumë do të thoja është të gënjesh veten.

Po si mund të bëhet…?
Berisha nga viti 1992 e deri më tani duhej të kishte vajtur të dëshmonte në gjykatë apo prokurori, pasi ka qënë si i pandehur disa herë. Ka tërë këto ngjarje, jo thjeshtë këto të mëdhatë duke filluar me vrasjen e Azem Hajdarit, “Gërdecit” apo 21 janarit. Madje me sa di unë për çështjen e Azem Hajdarit është kërkuar dhe nga Strasburgu që të dëshmojë, pasi personi që është në burg kërkon që të sillet dëshmitari Berisha që të tregojë se çfarë ka ndodhur. Në ka një njeri që është përjashtuar efektivisht nga gjykimi dhe drejtësia është Berisha. Askush tjetër. Dhe ish-presidenti Ramiz Alia, edhe ish-kryeministri Fatos Nano hynë në burg, apo të tjerë që shkuan para drejtësisë, madje dhe pa bërë gjë. Kurse Berisha i kërkuar apo i implikuar me kaq krime, me kaq korrupsion asnjëherë nuk e ka parë derën e gjykatës. Pra, secila prej këtyre që përmenda përbëjnë argument që zgjedhjet duhet të ishin pa Berishën. Ai theu embargon e OKB dhe nuk i hyri gjemb në këmbë, çfarë s’ka bërë pas vitit 1992 dhe përsëri ishte i përjashtuar nga dhënia llogari para drejtësisë.

Ju thoni se mund të bëhen zgjedhje pa Berishën…?
Ka arësye plot të bëhen zgjedhjet pa Berishën, por kjo është zvarritje allashqiptare dhe kompromentimi i thellë i pranisë ndërkombëtare në Shqipëri, që gëlltisin dhe pranojnë në Shqipëri të gjithë ato gjëra që në vendin e tyre janë fanatikë dhe nuk i pranojnë kurrë, nuk jep shumë shpresë. Në cilin vend një kryeministër apo një politikan do kishte kaq rëndime ligjore dhe nuk shkon qoftë dhe formalisht me këmbët e tija apo me detyrim te prokurori apo gjykata. Absolutisht askund. U ndalua në Austri ish-kryeministri kroat, por dhe në Pakistan janë nën gjykim dy kryeministra. Kurse në Shqipëri as që bëhet fjalë të preket. Por kjo natyrisht është dhe dobësia e opozitës, dhe psikologjia e kompleksuar e shqiptarëve në tërësi që të pranojë një realitet të tillë. Unë them që këtu duhej të fillonte operacioni i opozitës në tërësi dhe jo vetëm i PS. Një opozitë që e ka frikë për manipulim Berishën që është në opozitë dhe ajo ishte në pushtet, kuptohet pastaj se sa joefikase është ajo për të mbrojtur votën. Natyrisht na e ka qejfi të shpresojmë, pasi do të monitorojë zgjedhjet BE, NATO etj., por përderisa loja luhet me po ata aktorë, nuk pres ndonjë ndryshim thelbësor në vëzhgim, drejtësinë apo vërtetësinë e zgjedhjeve.

(b.m/shqiptarja.com)