
SHKODER -Qarku i Shkodrës lë pas ditën e 11 të përmbytjeve dhe situata vazhdon të mbetet kritike. Moti i keq me reshje shiu të cilat kanë vazhduar pa pushim gjithë natën vetëm sa kanë shtuar nivelin e lumit Buna, dhe uji tashmë sa vjen përpin gjithnjë e më shumë sipërfaqe toke brenda në qytet.Ekspertët kanë llogaritur se deri me 9 janar dëmet kanë arritur në 66.1 milionë euro, nderkohe qe harta e permbytjeve vazhdon te rritet. Janë zhytur nën ujë 10 mijë e 400 hektarë tokë dhe 2500 shtëpi banim.
Ora 20:30- Basha në Shkodër: Mbetemi në emergjencë
Minstri Basha i instaluar prej disa ditësh në Shkodër si kryetar i Komitetit Operacional të Emergjencave Civile, u shpreh se situata atje pas të gjitha përpjekjeve vazhdon të mbetet problematike. Ai i ka bërë thirrje banorëve të përmbytur edhe në Shkodër, të evakuohen, pasi nuk mund të jepen ende afate kohore për përmirësimin e situatës
“Njolla e përmbytjes nuk është zvogluar, niveli i ujit vazhdon të mbetet i lartë. Ne kemi një shkallë jashtëzakonisht të lartë ndjeshmërie përgatitje operacionale për të vazhduar evakuimin, ndaj kërkoj nga popullsia vendase, të cilën edhe një herë dëshiroj ta përgëzoj për bashkëpunimin e deritanishëm, për kurajon e lartë që ka treguar, por kërkoj edhe një herë bashkëpunimin e tyre që të vazhdojë evakuimi me çdo kusht në të gjithë zonën e përmbytjes”, tha minstri Basha.
Në lidhje me rritjen e nivelit të liqenit të Shkodrës, dhe rrezikun që ai ka për qytetin e Shkodrës, ministri Basha u shpreh se “me porosi të kryeministrit Berisha, prej katër ditësh janë kontaktuar autoritetet malazeze dhe greke, në bashkëpunim me flotën detare dhe institutin e hidrografis, të cilat kanë bërë matjet përkatëse në liqen, kanë filluar ndërhyrjet e para. Duhet të jemi të qartë se këto ndërhyrje do të japin efektin e tyre, por jo të menjëhershëm. Prurjet në Liqenin e Shkodrës, të padëshmuara më përpara historikisht, janë nga një numër i madhë përrenjsh dhe lumenjsh, të cilët e furnizojnë atë kryesisht nga territori i Malit të Zi.” Një tjetër problem sipas Bashës mbeten akset e bllokuar në disa zona. Ku sipas tij, nuk mund të jepen afate për normalizimin e situatës
Ora: 19:37- Imami dhe Mujota inspektojnë Velipojën e Malin e Jushit
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami priti në Shkodër Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, z.Fehmi Mujota.
Gjatë takimit, Ministri Imami falenderoi homologun e tij për 30 forcat ushtarake që Kosova solli në ndihmë të autoriteteve shqiptare për të përballuar emergjencën civile në Shkodër. Ministri Mujota u shpreh i gatshëm për të shtuar forcat dhe mjetet në rast se autoritetet shqiptare do të kishin nevojë.
Pas takimit, dy ministrat inspektuan zonat e përmbytura në Velipojë dhe Mali i Jushit. Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Velipojës, ata e siguruan kryekomunarin se ndërhyrja do të jetë shumë e shpejtë për çdo rast nevoje, për ushqime, ndihmë mjekësore, apo evakuim të banorëve.
Ora: 18:00- Apeli në News24 ndihmon 62 vjecaren e sëmurë
News24 i vjen në ndihmë një tjetër familjeje, këtë radhë në lagjen Ajasëm në periferi të Shkodrës. Përmes gazetarit të News24 është përcjellë lajmi se një grua 62 vjecare me probleme kardiake vuante mungesën e barnave për shkak të izolimit në ndërtesë prej disa ditësh.
Apelit të kryefamiljarit Qamil Ura i është përgjigjur menjëherë Qendra Shëndetësore e zonës, drejtori i së cilës ka vizituar personalisht gruan e sëmurë duke i dërguar dhe ilaçet e nevojshme.
Të moshuarit kanë refuzuar të largohen ga banesa e tyre si shumë banorë të tjerë, ndërsa sot përvec problemeve shëndetësore duhet të vuajnë dhe lagështirën. Uji ka dëmtuar katin e parë të banesës së tyre duke nxjerrë jashtë përdorimit cdo objekt elektroshtëpiak e mobilje.
Ora: 16:45- Vërshimi i Bunës izolon Velipojën
Komuna e Velipojës mbetet e izoluar për shkak të vërshimit të ujrave të lumit Buna ndërsa është i bllokuar dhe kalimi për në lagjet periferike të Shkodrës si Shirokë dhe Zogaj. Kjo situatë ka krijuar mjaft probleme për banorët e këtyre zonave që ende nuk janë evakuuar nga banesat e tyre, madje disa prej tyre të sëmurë kanë mbetur edhe pa ilace. Raste të tilla janë bërë prezente sot në televizionin News24 dhe menjëherë pas apelit ka reaguar dhe Shtabi i Emergjencës.
Ora 16:10- Greqia ndihmë për banorët e zonave të përmbytura
Në një bisedë me minstrin e Jashtëm Ilir Meta, minstri i Jashtëm plotësues grek ka deklaruar se Greqia do të dërgojë një grup ndihme për banorët e zonave të përmbytura. Lajmi konfirmohet nga ambasada greke në Tiranë. Grupi grek i ndihmës përbëhet prej 29 vetësh, 4 makinash e mjete të tjera speciale. Grupi grek ndihmon në zonat e përmbytura për shpërndarjen e ndihmave. Mësohet se Greqia do të ofrojë ndihmën e saj edhe me ushqime e ilace
Ora 14. 40 Arkeologu: Uji po dëmton godinat me vlerë historike
Arkeologu i vjeter shkodran Zamir Tafilica i ftuar ne nje bisede ne studion e NEËS 24 ne Shkoder u shpreh i shqetesuar se krahas demeve njerezore permbytjet e fundit ne Shkoder po shkaterrojne dhe te pakta objekte arkoelogjike e historike qe i kane mbetur qytetit te vjeter verior. Sipas Tafilices nen uje ndodhet Shkodra e vjeter pikerisht ajo pjese e qytetit ku jane përqendruar të gjithe vlerat e tij
Ora 12. 32 Shkodër, ekipi nga Kosova tërheqin ujin me pompa
Në Shkodër në lagjen Shtëpia e Mushkonjës uji mbisundon kudo. Uji, niveli i të cilit arrin nga 50- 1.70 cm ka hyrë në katet e para të banesave duke shkaktuar mjaft dëme. Një grup i ndihmës së shpejtë nga Kosova po bëjnë tërheqjen me pompa të ujit në këtë lagje. Para portave, në vend të makinave, tani mund të gjesh të parkuar një varkë. Ky është i vetmi mjet me të cilën banorët të cilët nuk kanë pranuar të evakuohen mund të lëvizin për të plotësuar nevojat e përditshme. Shtëpia e Mushkonjës është përmbytur nga fryrja e lumit Buna.
Ora 10: 17 Lumi Buna zgjeron shtrirje, hyn rreth 800 metra në Shkoder
Moti i keq me reshje shiu të cilat kanë vazhduar pa pushim gjithë natën vetëm sa kanë shtuar nivelin e lumit Buna, dhe uji tashmë sa vjen përpin gjithnjë e më shumë sipërfaqe toke brenda në qytet.
Gazetarët e NEWS24 informojnë se sot në mëngjes në lagjen Xhabije, në hyrje të Shkodrës, uji ka zgjeruar shtrirjen e tij duke hyrë gati 800 metra brenda në qytet. Po keshtu uji ka vershuar dhe drejt lagjes se Perashit.
Ndërsa në hyrje të lagjes ku uji është prezent që prej tre ditësh, niveli është rritur me gati 10 cm.
Në lagjen e Mushkonjës, e cila ndodhet pikërisht afër lumit Buna niveli i ujit ka arritur në 1. 70 cm. Situatë problematike dhe në lagjet periferike Kiras, Ajasëm, Bahcallëk, Livade ku niveli i ujit vazhdon të mbetet i lartë.
Në të dy kahet e urës së Bunës uji vazhdon të zgjerojë territor duke e bërë gjithnjë e më të vështirë lëvizjen e mjeteve të vogla. Aksi Shkodër- Shirokë- Zogaj, përtej urës së Bunës që prej ditës së djeshme është i bllokuar qarkullimi për mjetet e vogla, ndërsa nuk paraqitet problem për lëvizjen në aksin Shkodër- Murican, (aksi në krah të majtë të urës së Bunës.
Problematike dhe situata në zonën e nënShkodrës. Uji vazhdon të mbajë të izoluar komunën e Velipojës, Bushatit dhe Dajcit.
Gazetarët informojnë se gjatë natës nuk ka pasur operacione të evakuimit, pasi banorët nuk pranojnë të largohen nga banesat e tyre, duke lënë në mëshirë të zotit, bagëtinë dhe gjithçka kanë.
Prefekti i Shkodërs Mexhit Cungu informon se sot operacionet e shpërndarjes së ndihmave do të përqëndrohet në koncentratet për bagëtitë.
Ora 08.00 Permbytjet, deri më 9 janar, dëmi 66 mln euro
Humbjet e shkaktuara deri tani nga përmbytja në veri të vendit duket se kanë një faturë shumë më të lartë se ajo që parashikohej. Ekspertë të administratës shtetërore kanë llogaritur deri tani se dëmet në sektorë të ndryshëm të jetës së vendit kanë arritur në total në 66.1 milionë euro, ose 9.1 miliardë lekë të reja. Kjo shifër është shumë më e lartë se i gjithë fondi i parashikuar në Buxhetin e Shtetit për vitin në vazhdim (5.2 miliardë lekë) për Rezervën e qeverisë dhe fondin e kontingjencës. Sipas ligjit për Buxhetin e Shtetit të vitit 2010, të ardhurat buxhetore janë afro 278.3 miliardë lekë të reja. Në këtë mënyrë, dëmi i konstatuar përafërsisht është i barabartë me 3.3 për qind të të gjitha të ardhurave buxhetore të një viti të tërë.
Vlerësimet e ekspertëve janë siguruar nga “Gazeta Shqiptare”, por nuk përbëjnë një dokument publik. Në llogaritjen e dëmit është marrë parasysh vlera e përafërt e humbjeve të familjeve të fermerëve, në prona të patundshme (shtëpi), bagëti, të mbjella, drufrutorë, orendi shtëpiake e pajisje elektroshtëpiake, të mbjella etj. Po kështu, është llogaritur edhe vlera e humbur e energjisë elektrike që del nga sasia e ujit të derdhur nga HEC-et e vendit.
Në këtë analizë nuk mund të përfshihen ende humbjet që u janë shkaktuar bizneseve të zonës, infrastrukturës nacionale e vendore, si dhe nuk jepet ende një pasqyrë e kostos së operacionit të shpëtimit, që po kryhet nga repartet e përballimit të emergjencës të shtetit shqiptar.
Për 10.400 ha tokë të përmbytur, që raportohet nga shtabi i emergjencës, kjo shifër duhet të jetë e barabartë me 15.1 milionë euro.
Llogaritet në një nivel më të lartë dëmi ndaj pasurive të patundshme dhe bazës ushqimore të blegtorisë, theksojnë ekspertët që vlerësojnë humbjet për një familje rurale në masën mesatare 14 milionë lekë të vjetra, ose 1.4 milionë lekë të reja. Në 2.499 shtëpi të dëmtuara, kjo shifër duhej të jetë rreth 25.3 milionë euro.
Në mbrëmjen e së hënës raportohej se lumi Buna vazhdonte të jetë i fryrë ndërsa niveli i ujit në lagjet periferike të qytetit verior arrinte në 1 metër e 70 cm. Buna ka vërshtuar në në hyrje të Shkodrës, duke hyrë deri në lagjen Xhabije. Edhe në anën tjetër të urës, që lidh Shkodrën me Shirokën e Zogajn vërshimi i ujit është pasuar me bllokimin e qarkullimit të automjeteve të vogla drejt këtyre dy fshatrave turistike. Vazhdon të jetë e rënduar situate në zonën e nënShkodrës. Uji ka izoluar tërësisht Komunën e Velipojës. Situata është alarmante dhe në komunën e Dajçit dhe atë të Bushatit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme pohojnë se, janë zhytur nën ujë 10 mijë e 400 hektarë tokë dhe 2500 shtëpi banimi, ndërsa janë evakuuar 4800 persona..
Në operacionin më të madh humanitar ët bërë ndonjëherë janë angazhuar 800 forca ushtrie, 611 punonjës policie, 110 personel shëndetësor si dhe 115 forca nga Garda e Republikës. Në ndihmë të të përmbyturve kanë ardhur ndihma nga Italia, Mali i Zi, Austria, Greqia, Kosova, Maqedonia, Franca etj.
(s.g/e.n/m.a/BalkanWeb)







