Kryeekonomisti i BB: Borxhi i Shqipërisë s’duhet të jetë më shumë se 40%

0
36

TemA Online, 16 Shkurt 2013

Niveli i lartë i borxhit publik është shndërruar në një nga pikat më të nxehta të debatit politik në Shqipëri, por jo vetëm. Që prej fillimit të krizës botërore, institucionet ndërkombëtare i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Qeverisë shqiptare të vërë nën kontroll financat publike.

Indermit Gill, kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, në një intervistë për Top Channel, sqaron arsyet se pse borxhi mbi 63 për qind e Prodhimit Kombëtar është i rrezikshëm për Shqipërinë:

“Shikoni, nuk është qeveria që përcakton se kush është niveli optimal i borxhit dhe nuk është as Banka Botërore apo FMN. Ai që vendos është tregu. Sepse është tregu ai që i jep këto para borxh. Dhe mënyra për të parë nëse një vend ka apo jo borxh të lartë është të shohësh kur tregu fillon të shqetësohet dhe thotë dakord, unë do t’i jap këto para, por jo me afat të gjatë maturimi. Unë do t’i jap këto para, por me norma të larta interesi. Dhe kur një vend sheh që interesat të borxhit po rriten dhe afatet e maturimit po ulen, atëherë ky vend ka arritur një nivel borxhi të lartë, që nuk është i qëndrueshëm. Përgjithësisht sa më të ulëta të ardhurat për frymë të një vendi dhe sa më të pazhvilluara institucionet e tij, aq më i ulët është niveli optimal i borxhit. Zakonisht ne themi se për vendet me të ardhura të larta, borxhi 60 përqind, është një masë e mirë ku duhet të fillosh të shqetësohesh. Por, për vendet me të ardhura të mesme si Shqipëria, ky nivel është rreth 40 përqind”.

Ka një debat se cila do të ishte rruga më e mirë për Shqipërinë që të ulë borxhin e saj. Disa ekspertë, madje dhe FMN, kanë këshilluar të shikohet dhe kahu i të ardhurave, pra rritje e taksave. Të tjerë thonë se rruga më e mirë do ishte shkurtimi i shpenzimeve. Cila do të ishte këshilla juaj?

Mënyra më e mirë do ishte të shihej eksperienca e vendeve që e kanë bërë këtë më parë, si Turqia, Bullgaria apo dhe ndonjë tjetër. Në rastin e Turqisë borxhi u ul nga 80 në 40 përqind. Si ia arritën? Ka tre gjera. E para edhe më e rëndësishmja është rritja ekonomike. E dyta është se këto vende kanë pasur forcim të monedhës që ka ulur borxhin e jashtëm. E treta është se të gjitha kanë pasur suficit primar, pra kanë shpenzuar më pak se sa të ardhurat që kanë mbledhur. Pyetja kyç këtu ka të bëjë me kohën. Cilat janë masat e menjëhershme. Receta më e mirë janë politikat e orientuara nga rritja ekonomike që nuk kërkojnë shpenzime publike shtesë. Dhe ka shumë gjëra të tilla që Shqipëria mund dhe duhet t’i bëjë menjëherë.

Mund të beje gjërat më të lehta për biznesin që të investojë. Të lehtësojë regjistrimin e pronave, pagesën e taksave, një element në të cilin Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në botë. Po kështu përmirësimi i furnizimit me energji apo lehtësimi i lejeve të ndërtimit. Qeveria është duke ndërmarrë disa nga këto reforma, por nëse do të bënte më shumë, do të përfitonte më shumë. Elementi i dytë do ishte të bëhej më e lehtë për të eksportuar.

Pse mendoni se rritja e eksporteve do ishte një rrugë e mirë për të pasur një rritje më të lartë ekonomike?

Shqipëria ka akses në të gjithë tregun europian. Është një treg 14 trilionë dollarë. Është më mirë për ju që të aksesoni këtë treg se sa të shikoni tregun e brendshëm për rritje ekonomike. Po të shikoni eksperiencën e vendeve më të suksesshme, sidomos në Europën qëndrore, ato kanë një tregues eksportesh mbi 50 përqind të prodhimit kombëtar. Shqipëria filloi nga një bazë shumë e ulët. Në 2004 eksportet ishin rreth 22 përqind. Sot ato janë afër 35 përqind. Por për një vend të vogël si ju, ky tregues duhet të jetë absolutisht mbi 50 përqind, edhe 70 përqind. Unë mendoj se për Shqipërinë kjo është rruga më e mirë për të pasur rritje ekonomike dhe mënyra më e mirë për të stimuluar eksportet është të siguroheni që këtu të ketë një ambient shume mikpritës për investimet e huaja.