Shenasi Rama: Selami leckë e Berishës, po ha turpin me bukë

0
41

Politikë Nga JAKIN MARENA, 15 Shkurt 2013

TIRANE – Njeri ndër aktorët kryesorë të Lëvizjes Studentore që çuan në dhjetor të vitit 1990 krijimin e të parës parti opozitare në vend pas 45 vitesh diktaturë komuniste, ish-studenti i dhjetorit prof. Shenasi A. Rama, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, ka komentuar dëshirën e ish-kreut të PD Eduard Selami për t’u kthyer në Shqipëri dhe për t’u integruar në politikën shqiptare. Një kthim për t’u integruar pikërisht në Partinë Demokratike, ku plot 18 vite më parë kur ishte kryetar i saj u shkarkua dhe u dëbua me ceremoni nga kjo parti për t’i dhënë si dhuratë qëndrimin e gjatë në SHBA. Duke e komentuar në mënyrë të rezervuar kthimin e Selamit në Shqipëri dhe lutjen që ai i bën Berishës për ta ingranuar në PD përmes listës së deputetëve, Shenasi Rama thotë se Selami më mirë të shiste makina në SHBA se sa të vinte në Shqipëri dhe të bëhej vegël e Sali Berishës.

Sipas tij, Eduard Selami nuk është dhe nuk ka qënë ndonjëherë shpresa por është një njeri që ka hallet e veta dhe i ka bërë llogaritë kështu, por që do ta hajë turpin me bukë, e do të bëjë shërbyesin e Berishës, njëlloj si të kthyerit e tjerë në PD që nga Imami e deri tek Pollo. Për më tepër ai thotë se ndjente mëshirë për të, pasi gjithnjë ai ka pasur ambicien më të madhe se sa aftësinë, ndërkohë që nxjerrjen e jetës së Selamit me punë të rëndomta Shenasi Rama thotë se këto nuk janë elementë negativë, pasi një njeri në kurbet ka bërë dhe bën gjithfarë lloj pune për të mbajtur familjen e tij dhe për të jetuar.

Kthimin e Selamit në Shqipëri ai e sheh si kthimin e një emigranti të lodhur prej mërgimit por që bërja publike përmes deklaratave është cilësuar si një gjë jo fort normale në radhët e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në SHBA. Njëherësh ish-studenti i dhjetorit shprehet dhe në lidhje me kontributin e Selamit në lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, duke e cilësuar këtë kontribut zero, i sjellë dhe i kultivuar nga të tjerë mes tyre dhe Hajdari dhe që kishte ardhur atje si ndërmjetës i Berishës, por që ishte përzënë prej tij. Rama thotë se Berisha është përgatitur jo për mandat të tretë, por për të qënë opozitë e fortë, ndërsa thotë se Shqipëria nuk ka qeverisje, por vetëm vjedhje dhe krim të organizuar.

Si je njohur me Eduard Selamin në dhjetor të vitit 1990 dhe cili ishte roli i tij në lëvizjen e dhjetorit për themelimin e PD?
Eduard Selami, si shumë pedagogë edhe të Godinës 18-të ndenjën të mbyllur brenda, deri sa e kuptuan se kaloi rreziku dhe dolën me datën 11 dhjetor, mbasdite. Roli i tij në Lëvizjen Studentore ka qënë zero. E kultivoi me kujdes Xhemal Dini e Tefik Çaushi, e solli Azemi me porosi. Unë e kam njohur kur më erdhi në dhomë si ndërmjetës i Saliut dhe e përzura. Nga ai moment, marrëdhëniet i kemi pasur tejet të ftohta.

Berisha e dëboi Selamin si kryetar të PD më 1995 dhe për disa vite ai jetoi në SHBA. Si e mendoni kthimin e tij, pasi për 18 vite është refuzuar të takohet nga Berisha dhe vetëm dy vjet më parë u takua me të?
Eduardi është njeri me botë, i matur, shumë i edukuar dhe qytetar. Edhe në Columbia ku ka qënë Visiting Scholar ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mira si studiues i përgatitur. Në SHBA ka punuar me nder dhe ka bërë të gjithë punët për të mbajtur familjen dhe për këtë duhet të jetë krenar. Punë të rëndomta kemi bërë të gjithë, dhe po të jetë nevoja edhe nesër i bëjmë. I ka kurbeti këto, sepse është kurbet. Por ambicien e kishte më të madhe se aftësinë, dhe PD ka qënë gjithnjë një bandë cubash. Kthimi i tij po bëhet temë publike, por unë do të kisha thënë që do të ishte mirë që të shprehet mirekuptim dhe të merremi me hallet e popullit. Eduard Selami nuk është shpresa, ai nuk ka qënë ndonjëherë shpresa. Ai ka hallet e veta, i ka bërë llogaritë kështu, do ta hajë turpin me bukë, e do të bëjë shërbyesin e Saliut, një lloj si këto shtupat e dyshemeve, Pollo, Imami, Shehu dhe me rradhë. Më mirë të zinte peshk në breg të Atlantikut, dhe të shiste makina se të bëhej vegla e Sali Berishës. Por unë nuk dua ta gjykoj. Thjeshtë më vjen keq dhe ndjej mëshirë për të.

Mendoni se këto “prurje” të reja PD do t’i sigurojnë Berishës një mandat të tretë dhe si është pritur në qarqet shqiptare në Amerikë lajmi i bashkimit të Selamit me PD, pasi deri më tani ai ka thënë se vinte për të rrëzuar Berishën?
Berisha nuk kërkon mandat të tretë por një opozitë të fortë, sepse e di se ka ca kufinj që nuk kalohen. Mirëpo bandat e PD-së do të punojnë që t’i vjedhin zgjedhjet në nivel lokal dhe efekti akumulativ do të jetë shkatërrimtar për vendin, që është në një krizë të thellë ekonomike, morale e politike. Kriza veç do të vijë duke u thelluar dhe vendi do të jetë gati për t’i vënë flakën. Rrethet shqiptare e kanë parë kthimin e Eduardit me mirëkuptimin që ka emigranti për dikë që kthehet i lodhur mbas mërgimit, në vendin e vet. Mirëpo mënyra e daljes publike nuk është pranuar si diçka normale.

Mendoni opozita e Ramës është gati për të qeverisur vendin?
Në shtetin shqiptar nuk ka qeverisje, ka vjedhje e krim të organizuar.

Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)