Qosja: Nëse vidhen zgjedhjet, opozita të bëjë protesta e demonstrata

0
31

NGA: FATMIRA NIKOLLI

Qosja: Nëse vidhen zgjedhjet, opozita të bëjë protesta e demonstrataTIRANE-Qeveria e sotme, e kryesuar prej një njeriu që aq agresivisht po e përdor dhe shpërdor politikën, që aq hapur dhe aq agresivisht po e përdor dhe po e keqpërdor demokracinë, që aq agresivisht ka ditur t’i keqpërdorë edhe zgjedhjet herët e kaluara, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Me këto fjali, akademiku Rexhep Qosja shpreh pritshmëritë e tij për zgjedhjet e 23 qershorit. Duke folur për sfidat e politikës së Tiranës, profesori thekson se togfjalëshi Shqipëria po ndryshon është një mashtrim në përmbledhjen e madhe mijëra faqesh të rrenave dhe mashtrimeve që bën Sali Berisha në jetën politike shqiptare tani e njëzet e dy vjet! Në pjesën e tretë të intervistës për “Gazeta Shqiptare”, akademiku i njohur nuk lë jashtë vëmendjes as Aleancën Kuqezi dhe kërkesën e saj për referendum.

TOGFJALESHA MASHTRUES

Viti 2013, nëse u referohemi sloganeve të dy partive kryesore në vend, duhet të jetë viti për rilindjen e shqiptarëve, apo shqiptarët duhet të vazhdojnë të mbështesin alternativën e një Shqipërie që po ndryshon?

Togfjalëshi Shqipëria po ndryshon, që është bërë slogan i fushatave zgjedhore dhe në përgjithësi politike të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha, është një togfjalësh tautologjik. E kjo tautologjik në rastin konkret do të thotë thjesht mashtrues. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria, si edhe të gjitha vendet e tjera ish-komuniste evropiane, ka hyrë në rend të ri politik shoqëror dhe kushtetutar juridik. Ndryshimi është bërë përmbajtja, qëllimi dhe kuptimi i këtij rendi të ri politik shoqëror dhe kushtetutar juridik, i quajtur rend demokratik. Dhe, ky ndryshim është proces në të cilin marrin pjesë të gjitha partitë, që nuk ndalet për kohë të gjatë, proces që në të vërtetë nuk ndalet kurrë.

Dhe, këtë ndryshim pashmangshëm e sjell natyra e rendit të ri dhe këtë ndryshim pashmangshëm e bëjnë të gjitha institucionet qeverisëse pavarësisht prej cilave parti janë të përbëra. Të thuash, prandaj, pas rënies së komunizmit se Shqipëria po ndryshon është njësoj si të thuash: Shqipëria ekziston. Shqipëria ekziston dhe do të ekzistojë pavarësisht u tha a nuk u tha se ajo ekziston e do të ekzistojë. Shqipëria po ndryshon dhe do të ndryshojë pavarësisht u tha a nuk u tha se ajo po ndryshon dhe do të ndryshojë.

Domethënë: togfjalëshi Shqipëria po ndryshon është edhe një mashtrim në përmbledhjen e madhe mijëra faqesh të rrenave dhe mashtrimeve që bën Sali Berisha në jetën politike shqiptare tani e njëzet e dy vjet! Por po ta pranojmë këtë slogan si të vërtetë do të shtrojmë pyetjen: si po e ndryshon Shqipërinë qeveria e Sali Berishës? Përgjigjen në këtë pyetje e japin emisionet e jashtëzakonshme Shqipëria tjetër. Dhe, emisioni për fshatin afrikanisht të varfër Peza afër Tiranës. Dhe, emisioni për lagjen skëterrore të romëve në Gjirokastër; dhe emisionet për një varg lagjesh, fshatrash, shkollash, rrugësh, familjesh në Shqipëri.

Viti në të cilin kemi hyrë do të duhej të jetë vit i rilindjes shqiptare e kur them i rilindjes mendoj edhe i pastrimit të njëmendësisë politike e shoqërore dhe historisë shqiptare prej pasojave të despotizmit të Sali Berishës.

Po, me këtë rast nuk mund të mos e përgëzoj Partinë Socialiste dhe Aleancën Kuqezi për gjithë ato përpjekje të faktuara që po bëjnë për t’i bërë plotësisht të dukshme, sado me vonesë, pasojat e politikës së tij.

ZGJEDHJET

A keni besim se në 23 qershor, qeveria aktuale do të mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme?

Jo, jo, nuk kam besim, asnjë çast nuk kam besim se qeveria e sotme mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të ndershme sikur nuk bën të mundshme as Kodi ekzistues zgjedhor. Në Shqipëri, deri në këtë ditë kur po i përgjigjem kësaj pyetjeje tuaj, nuk kemi pasur zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet të jesh naiv e të besosh se do të kemi më 23 qershor të këtij viti. Qeveria e sotme, e kryesuar prej një njeriu që aq agresivisht po e përdor dhe shpërdor politikën, që aq hapur dhe aq agresivisht po e përdor dhe po e keqpërdor demokracinë, që aq agresivisht ka ditur t’i keqpërdorë edhe zgjedhjet herët e kaluara, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Si mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme një qeveri që e kryeministron, siç e quajnë në Shqipëri, stalinisti i fundit në Evropë? Jo, ky njeri që e ka ndryshuar vetëm retorikën politike, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme? Jo, nuk mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme qeveria e kryeministruar prej këtij stalinisti, e cila aq hapur, aq pafytyrësisht i vodhi e stërvodhi votat e qytetarëve të Tiranës për ta bërë kryetar të saj njërin prej nënbishtërinjve të tij.

Edhe SHBA-të, edhe Bashkimi Evropian herët kanë filluar të ushtrojnë trysni në këtë qeveri që të mos bëjë çka ka bërë në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në zgjedhjet e Tiranës. Bashkimi Evropian, madje, edhe mundësinë që Shqipëria të fitojë të drejtën e bisedimeve për kandidate e ardhshme e tij, e BE-së, po e kushtëzon me lirinë dhe ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve. Kot. Si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar shumëkund shumëherë se në politikën e vendeve të demokracisë së çoroditur i kritikojnë butë, gati sa i falin, të gjitha dallaveret, të gjitha vjedhjet e ndorimet e tjera përpos grushtshteteve.

Unë kam drojë që Sali Berisha, në qoftë se sheh se po i humb zgjedhjet – e të gjitha të dhënat që pranon mendja e shëndoshë tregojnë se do t’i humbë – mund t’i sjellë farë tragjedie të re Shqipërisë! Agresiviteti që tashmë po e shpreh tregon për rrezikun që ai përfaqëson në zgjedhjet e 23 qershorit.

ÇDO E KEQE PËRGATITET MË HERËT

Debatet zgjedhore kanë nisur tashmë, nëse kemi parasysh ato për zonat zgjedhore dhe tjetra, akuzat për rritje artificiale të popullsisë në Kukës, çka nënkupton manipulime për çështje votash. Cili është sugjerimi juaj për 23 qershorin?

Zgjedhjet e palira dhe të pandershme ndodhin ditën e votimeve, por ato përgatiten me muaj a vjet përpara. Si është vërejtur më herët, teknologjia e manipulimeve, falsifikimeve, keqpërdorimeve, frikësimeve, mashtrimeve, korruptimeve para zgjedhjeve apo, madje, edhe në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri është e përpunuar jashtëzakonshëm. Në këtë teknologji të përsosur të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, në të gjitha zgjedhjet, është i përmbajtur edhe ai agresiviteti i tij që vazhdimisht është treguar efikas! Si duhet t’i kundërqendrojë opozita kësaj teknologjie zgjedhore?

Së pari me kompromitimin politik, shoqëror, moral të të gjitha trajtave të manipulimeve, keqpërdorimeve, falsifikimeve, frikësimeve, korruptimeve dhe, në qoftë se me reagime të tilla nuk ndalen ato, atëherë me protesta, apo, madje, me demonstrata. Protestat dhe demonstratat janë mënyra me të cilën një e keqe politike a një qëllim politik bëhet më i dukshëm, më përshtypjebërës për opinionin.
REFERENDUMI

Aleanca Kuqezi ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për zhvillimin e referendumit për bashkimin Kosovë-Shqipëri. Cilat janë pritshmëritë tuaja nëse kemi parasysh se po atë ditë ambasadori amerikan, Arvizu, tha se njeh vetëm Shqipërinë zyrtare?

Me politikën e tij anakronike rrejshëm atdhetare, turbosportive e turbofolklorike, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili 20 vjet i ka kaluar në luftë politike kundër, si thoshte ai, Shqipërisë së madhe, domethënë kundër bashkimit kombëtar tani po i nxit disa forca politike, që idenë e bashkimit kombëtar, në të vërtetë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e kanë në programet e tyre partiake, të bëjnë hapa politikë të parakohshëm e kjo do të thotë edhe të papërgatitur si duhet politikisht. Një hap i tillë, i shpejtuar, i parakohshëm për mendimin tim ishte edhe kërkesa që Aleanca Kuqezi ia paraqiti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e referendumit mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen, por jo tani në sajë të kërkesës së tanishme për referendum të Aleancës Kuqezi.

(Vijon nesër në Gazeta Shqiptare)